12.8 C
Prizren
E mërkurë, 8 Maj, 2024

“Into The Park”, frymëmarrje për kulturën

Teksa skenën tonë artistike dhe kulturore e ka kapluar amullia dhe kemi pak e aspak aktivitete në këto ditë të nxehta vere, një festival i muzikës në qytetin e Pejës do të na vijë si një fresk në thatësinë, jo vetëm të motit, por edhe të skenës sonë kulturore. Bëhet fjalë për edicionin e katërt të festivalit “Into The Park”, që zhvillohet më 24 dhe 25 korrik në qytetin e Pejës.

“Gjatë këtij edicioni, përveç pjesës së programit të muzikës e kemi ndërtuar po ashtu programin e promovimit turistik të komunës së Pejës,” na tha Granit Gashi, drejtor ekzekutiv i festivalit “Into The Park”. Kësisoj, mund të pritet që ky edicion të vijë me shumë risi dhe ta gjallërojë jetën kulturore-artistike të Kosovës.

Granit Gashi për “Zërin” foli edhe rreth mbarëvajtjes së punëve në përgatitjen e festivalit, tani që kanë mbetur më pak se tri javë gjer në hapjen e tij. Gashi na tha se përgatitjet po shkojnë mirë, duke shtuar se “të paktën duke iu referuar sikletit që vjen nga mbarëvajtja e punëve normale në Kosovë, mund të themi që punët po shkojnë mirë deri më tani”.

Gashi: Këtë vit me shumë risi

Por këto s’janë risitë e vetme që do të shfaqen këtë vit në “Into The Park”. Siç na bëri me dije drejtori i Festivalit, ideja për promovimin kulturor e turistik të komunës së Pejës përfshin ofertën e ndërtuar me kampingun, ngjitjen në “Via Ferrata”, klasën themelore për mësim në drejtim të paragllajdit dhe fluturim me të, çiklizëm, si dhe informata të tjera nga organizata partnere mbi konservimin natyror.

Nga sa edhe mund ta kemi kuptuar prej edicioneve të mëparshme, “Into The Park” gjithnjë sjell një frymë të re në skenën tonë muzikore dhe artistike. Por, përgjithësisht shquhet si festival që promovon diç alternative në skenën tonë dhe siç na tha edhe Granit Gashi, “Festivali synon që ta promovojë kryesisht muzikën e re dhe të krijuar prej muzikantëve kosovarë, të cilët zhvillojnë muzikë elektronike, por pa lënë anash edhe zhanret, të cilat vetëm se ekzistojnë, si: rok, alternative, indie e të tjera”.

Një gjë që na interesoi edhe neve dhe pa dyshim që do t’i interesonte secilit dashamir të këtij festivali është nëse do të kemi emra të rinj në këtë edicion. Nga sa morëm vesh, në këtë edicion të festivalit “Into The Park” do të kemi disa emra të rinj, ku ndër të tjera spikasin: “Asgjë Sikur Dielli”, “Taste2”, “Bllabllablla”, Florian Meindl, Vladislav Rashkov, George Adi, Nani Killa, Florent V., Versus, Mdosse, Dagg, Electra Leger, “MENdar”, “Sapton”, etj.

Emra të shquar në këtë edicion

Shumë nga këta nuk është që janë emra të panjohur për publikun tonë. P.sh., Florian Meindl është DJ, live performues, producent dhe audio-disenjator. Përveç performancave, ai është i angazhuar edhe me tekno-grupet si “Flash Recordings” dhe “Riemann Modular”, e cila është edhe kompania e re e pajisjeve të studiove të Florianit, e specializuar në Eurorack module. Ai është rregullisht i paraqitur në revista si “Future Music” dhe drejton Label-in shumë të suksesshëm të “Riemann Kollektion”.

Një emër tjetër për të cilin na foli drejtori i Festivalit është edhe ai i Vladislav Rashkovit (i njohur edhe si “Gnubass”). Rashkovi filloi karrierën e tij në vitin 1999, duke promovuar veten në disa ahengje në qytetin e tij. Një vit më vonë ai filloi të performojë në klubet e gjithë Bullgarisë. Në të kaluarën ka qenë rezident në “Briliantin Bar” dhe në “Mojito”, që të dyja në Sofje. Nga informacionet që na dhanë organizatorët e festivalit, në fillim ai eksperimentonte me Funky&Techno Tribal, por tani ai preferon Elektro&minimal dhe Funky&Tech House. Rashkovi shquhet për koncertet e kaluara me artistë të njohur, si Tiesto, Sven Vath, Umek, Freemasons, David Vendetta, etj.

Festivali “Into The Park” për herë të parë është organizuar në vitin 2012 në qytetin e Pejës, përkatësisht në hapësirën e parkut të madh, “Karagaqi”. Në tri edicionet e kaluara, festivali “Into The Park” ishte nikoqir i më shumë se tridhjetë e pesë grupeve muzikore nga vendi, rajoni dhe bota.

Më 2013, në kuadër të Festivalit janë krijuar hapësira në ngritjen e ideve inovative në fushën e artit, kulturës e teknologjisë dhe njashtu ka krijuar hapësira për promovimin e muzikantëve të rinj dhe ka mundësuar paraqitjen dhe performimin e tyre para publikut.

Gjatë tri edicioneve të kaluara të Festivalit, pjesë e programit kanë qenë edhe aktivitetet kulturo-artistike, ekspozita fotografike me temë trashëgiminë kulturore, ekspedita turistike, koncertet promovuese për artistët e rinj dhe aktivitete vullnetare në mirëmbajtjen, dekorimin dhe ndërtimin e festivalit në Parkun e Qytetit.

Siç na tha për fund drejtori i Festivalit, këto aktivitete të realizuara në vitet paraprake kanë kontribuar në promovimin kulturor dhe turistik, zhvillimin ekonomik, rikonstruktimin e imazhit të qytetit të Pejës si potencial kulturor e turistik dhe në ngritjen e vetëdijes qytetare rreth fenomeneve të tilla.

“Duke konsideruar arritshmëritë e objektivave dhe të rezultateve të Festivalit, numrin e pjesëmarrësve dhe artistëve nga vendi, rajoni dhe nga bota, numrin e artistëve të rinj të angazhuar në aktivitete rekreative dhe kulturore”, Gashi na tha se mund të themi se edicionet paraprake të festivalit “Into The Park” kanë qenë të suksesshme dhe paraqesin shembull për ngritjen e potencialeve edukative, kulturore, artistike dhe ekonomike në Pejë e më gjerë. /Zëri/

Më Shumë

MPB me vendim për patentë shoferët jolegale në Kosovë

Ministria e Punëve të Brendshme ka nxjerrë vendimin që mundëson kalimin nga patentë shoferi i lëshuar nga institucionet jolegale serbe në Kosovë, në ato...

Zhegrova nonimohet për çmimin e futbollistit të vitit në Francë

Futbollisti i kombëtarës së Kosovës, Edon Zhegrova, është nominuar për çmimin e futbollistit më të mirë të vitit në elitën e futbollit francez. Ai është...

Lajmet e Fundit