Ish-përmbaruesja private në Suharekë, Saranda Kuçi është deklaruar e pafajshme lidhur me akuzën për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Këtë deklarim, Kuçi e bëri në shqyrtimin fillestar, të premten në Gjykatën Themelore në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë rast, Kuçi po akuzohet se ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për procedurën përmbarimore, ashtu që të dëmtuarit Esat dhe Naxhije Murati nuk i kishte njoftuar për lëshimin Urdhrin përmbarimor për pagimin e shumës prej 4 mijë euro dhe se pa i dorëzuar të dëmtuarëve Murati konkluzionin e 4 nëntorit 2021, kishte caktuar ankandin publik për shitjen e parcelës së tyre, duke tentuar t’i dëmtojë në shumën prej 191 mijë euro.
Gjykatësi Artan Sejrani ka njoftuar të akuzuarën Kuçi dhe mbrojtësin e saj, avokatin Skender Morina që në afat prej 30 ditësh mund të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 28 prill 2023, ka ngritur aktakuzë ndaj të Saranda Kuçit, ku po ngarkohet se prej 27 dhjetorit 2019, e në vazhdim, gjatë ndërmarrjes së aktiviteteve përmbarimore i ka tejkaluar autorizimet e saj, duke shkelur afatin partitiv për përmbushje vullnetare të detyrimit.
Sipas aktakuzës, Kuçi nuk i kishte njoftuar paraprakisht të dëmtuarit Esat dhe Naxhije Murati me detyrimet që i kanë lidhur me faturën që e kishte lëshuar kreditorja Sabrije Syla dhe se të njëjtit nuk i njofton asnjëherë për lëshimin Urdhrin përmbarimor atakues për pagimin e shumës prej 4 mijë e 498 euro e 50 cent.
Po ashtu, në aktin akuzues thuhet se, e njëjta pa u dorëzuar personalisht të dëmtuarve Murati urdhrin përmbarimor atakues, merr konkluzion më 4 nëntor 2021, për caktimin e seancës së parë të ankandit publik për shitjen e parcelës kadastrale të tyre, njëkohësisht duke mos ia dorëzuar të dëmtuarit konkluzionin në fjalë, me këtë tenton t’i dëmtojë të dëmtuarit Esat dhe Naxhije Murati në vlerë prej 191 mijë euro, shumë kjo për të cilën është vlerësuar parcela kadastrale në fjalë.
Tutje, sipas aktakuzës, Kuçi po ngarkohet se njëkohësisht duke pasur për qëllim që avokates Sabrije Syla t’i sjell përfitim të kundërligjshëm pasuror në vlerë prej 4 mijë e 498 euro 50 centë, duke i dëmtuar të dëmtuarit në vlerë prej 5 mijë 298 euro e 50 centë dhe atë 4 mijë 498 euro e 50 centë, urdhri përmbarimor, 40 euro në emër të taksave gjyqësore për ankesë ndaj parregullsive dhe 800 euro shpenzimet e udhëtimit e për të gjitha këto veprime të ndërmarra nga e pandehura.
Me këtë rast, Kuçi po akuzohet se ka vepruar në kundërshtim me nenin 18 dhe nenin 287 të Ligjit për procedurën përmbarimore si dhe në kundërshtim me nenin 110 të Ligjit të procedurës kontestimore.
Andaj, për këto veprime e njëjta po akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragraf 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndryshe, ndaj përmbarueses Kuçi është duke u zhvilluar edhe një rast gjyqësor, po ashtu për korrupsion./BetimipërDrejtësi