2.7 C
Prizren
E enjte, 20 Shkurt, 2025

Ishte ftohtë ato ditë shkurti – dhe une kisha një sekret

17 vjet Shtet
Ishte ftohtë ato ditë shkurti – dhe une kisha një sekret.

Me kujtohet si sot ajo dita e ftohtë e shkurtit. Secilit prej neve i kujtohet. Bënte acar i madh por tensioni ndihej në atmosferë që disa ditë më parë.

Unë isha edhe më e tendosur sepse e dija një sekret që nuk mund ta ndaja me askënd. As me familjarët më të afërt. Isha duke udhëhequr një pjesë të proceseve që ndërlidheshin me shpalljen e Pavarësisë – por askush nuk duhej të dinte se cilat ishin këto procese.

Duhej përgatitur konferenca për shtyp për media botërore, por askush nuk duhej ditur se për çka po ftohet konferenca. Duhej bërë përgatitjet e sigurisë por as policët nuk e dinin se çka do të siguronin dhe kur do të siguronin.

E kisha një sekret të madh në zemrën time, dhe nganjëherë qeshja me vete dhe me lajmin që ma nxente zemrën. Obelisku NewBorn përgatitej por nuk duhej ditë se kur do lindnim “foshnjën”.

Kishim shumë arsye për tu gëzuar dhe shumë arsye edhe për t’u përgatitur për më të keqën. Serbia sundohej nga nja nacionalist me agjendë të fëlliqur. Paralajmërohej dhuna, ndalja e rrymës. Agresioni verbal kishte arritur majat. Megjithatë, dihej se ne nuk do ta shtyjmë më procesin pasi që çdo rrugë e negociatave të Vjenës dhe vizitave të Trojkës Ishinger, Wisner dhe Borcan Harcenko, ishte shpenzuar.

Debatet e pafundta në OKB ishin shterur. Armiqtë e pavarësisë nuk kishin se kah t’ia mbanin më. Ahtisaari e kishte propozuar një kompromis të përkryer. Pavarësi do të ketë! – tha Presidenti i Urtë Ahtisaari – por do të jetë e mbikqyrur deri sa të dëshmojmë se minoritetet dhe e tërë shoqëria do të ketë jetë më të mirë dhe më shumë fuqi për shkak të krijimit të shtetit, e jo më pak.

Si deputete e dija se do të jem në mesin e përfaqësuesve të popullit (e jo të IPVQ!) që do ta shpallin Pavarësinë. Do ta kompletojmë shtetësinë e kombit. Edhe Deklaratën e Pavarësisë duhej shkruar në sekret, me një bukurshkrim që shihet se kah fundi i fjalive po ngutet, sepse tërë popullit të Kosovë po i ngutej. Nuk duronin më asnjë të vetmin minutë të shtyhej ajo që është ndjekur rrumbullak një shekull.

Që nga ndarja e Perandorisë Osmane, që nga koha e Isa Boletinit, nga koha e stërgjyshës sime Shote Galica, nga koha e Shaban Polluzhës por edhe partizanëve që luftuan nazizmin por u gënjyen nga Partia Komuniste. Nga koha e themelimit të Universitetit të Prishtinës, disidentizmit, burgosjeve dhe shpresave të rrejshme. Nga koha e viteve të mija si pjesëtare e “gjenerates së Republikës” që mbetëm pa shkolla, të helmuar dhe të injoruar nga Europa. Nuk duronim as edhe një minutë, që nga koha kur rezistenca jonë me armë, ushtarët të cilët i përcillja hap për hapi si një përkthyese e gazetave më të mëdha botërore, u ballafaqua me gjenocid ndaj civilëve nga okupatori shekullor.

Ishte ftohtë ajo ditë shkurti, më ftohtë se kurrë. Por unë e kisha sekretin në zemër dhe ai më nxente shpirtin.

Të ju them të drejtën sa kam qeshë, aq edhe kam qajtë atë ditë, mu për shkak të jetës që jetuam, sakrificës së nënës dhe babait tim, sakrificës së shokëve dhe shoqeve. Sakrificës së më të njomëve dhe më të moshuarve.

Këto janë ndjenjat që i rikujtoj sot, 17 vite më pas. Me gjasë ngrohja globale dhe ndryshimet klimatike po na bëjnë shkurtin më të nxehtë dhe të paborë, por ndjenjat më rigufojnë kur kujtoj se si u bëmë shtet dhe sa shtrenjtë e paguam të drejtën për shtet. Një shekull dhimbje. Por e dini si thonë në filma – no pain no gain. Dhe ne fituam shumë, më shumë se shumë e shumë popujt shkelur dhe nëpërkëmbur. Fituam jo vetëm Deklaratën e Pavarësisë, por Deklaratën e njohën demokracitë më të mëdha të botës. E njohu në një shkollë fillore me hartë të re, Sarkozy i Francës së Revolucionit që solli të drejtat e njeriut si koncept fundamental. Na njohu Italia e Renesansës humaniste që e vuri njeriun në qendër të universit. Na njohu Gjermania, shembulli global i rilindjës pas pendimit për katrahurën e Luftës Dytë Botërore. Na njohu Mbretëria e Bashkuar.

Dhe na njohu Amerika. Ajo të cilës gjithmonë do t’i jemi falë. Çdo 17 shkurt. Para disa viteve, një diplomat amerikan më rrëfeu se nuk ishte vetëm Hashim Thaçi që duhej bindur që të shtyhej shpallja e pavarësisë për ca muaj nga fundi i vitit 2007 në 2008. Rezistenca e tij ishte e madhe, por e njëjtë me gjasë ishte edhe e Presidentit Bush, i cili u thoshte diplomatëve të tij se “i kam premtuar një populli pavarësinë, dhe pavarësine do t’ua bëj”.

17 Vite më pas, shumë gjëra edhe mund të ishin më mirë. Pritjet e njerëzve se do të bëheshim Zvicër, shpresat se çdo gjë do të përmirësohej, se do të kemi punë dhe para, u thyen me hallet e tranzicionit, po të njëjtat që thyen shumëkë në tërë Europën Lindore pas rënies së komunizmit. Fatkeqësisht dhe jo rrallëherë edhe kriminalisht, jo të gjithë patën mundësi të barabarta të zhvillimit në shtetin tonë.

Solidariteti, dashuria e madhe, qeshja që e patëm të gjithë ndaj njëri tjetrit, nuk mbeti e përhershme.

E megjithatë, urrejtja nuk duhet zënë vendin e dashurisë. Pavarësia është finale, dhe asnjëherë nuk do të kthehet në pikëpyetje. Më vjen keq kur disa ende dyshojnë në te. Kur ende e mohojnë. Kur e përdhosin flamurin tonë. Por për ta sot nuk do të shkruaj.

Ishte ftohtë më 17 shkurt 2008. Por ishte edhe dita më e nxehtë e një shekulli të tërë.

Nga Vlora Çitaku, shkruar 15 vite më parë.

Më Shumë

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë takohet në Prizren me përfaqësuesit e komuniteteve jo-shumicë

Përfaqësuesit politikë të komuniteteve jo-shumicë janë takuar në Prizren me Shefin e  Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav. Kryetari i PREBK-së, Albert Kinolli...

Mot me vranësira të shpërndara dhe ftohtë, temperaturat deri në minus 7 gradë

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot me vranësira të shpërndara. IHK njofton se temperaturat minimale do të zbresin...

Lajmet e Fundit