11.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Jepet fjala përfundimtare në gjykimin e kryetarit të Dragashit

Salim i dragashitNë gjykimin për shpërdorim të detyrës zyrtare të kryetarit të Dragashit Salim Jenuzi dhe ish-kryesuesit të Kuvendit Komunal të kësaj komune Lulzim Rifaj, aktualisht konsull në Ambasadën e Kosovës në Sofje, u dha sot fjala përfundimtare e prokurorisë dhe mbrojtjes.
Prokurori i Shtetit Mehdi Sefa, tha se duke u bazuar në dëshmitë e dëshmitarëve dhe provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, është vërtetuar pa mëdyshje se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.

“Tregohet këmbëngulësia e këtyre zyrtarëve që të bartet prona shoqërore me çdo kusht në emër të komunës së Dragashit, pa i përfillur ligjet, aktgjykimin, shkresën e ministrit të pushtetit lokal dhe kështu i shkaktojnë dëm NBQ “Sharr Prodhimit” në Dragashë punëtorëve dhe AKP-së,” tha Sefa.

Ai i propozoi trupit gjykues që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, madje pati edhe porosi për këtë trup.

“Me rastin e marrjes dhe shqiptimit të dënimit, qoftë ai dënim të jetë edhe minimal, por ai dënim duhet të ketë edhe efekt parandalues- preventiv që edhe në komunat tjera të Kosovës të mos veprohet ngjashëm me ndërhyrje unilaterale në kompetencat e organeve tjera, qofshin gjyqësore, qoftë Agjencia Kosovare e Privatizimit,” deklaroi prokurori.

Përfaqësuesi i AKP-së, Fahredin Purova e mbështeti në tërësi fjalën përfundimtare të prokurorit. Po ashtu, Purova paralajmëroi se AKP-ja do të parashtrojë kërkesë pasuroro- juridike.

Nga ana tjetër, në fjalën e tij përfundimtare mbrojtësi i të akuzuarit Salim Jenuzi, avokati Ruzhdi Berisha, i propozoi gjykatës fakte, dëshmi dhe prova që tha se e lirojnë klientin e tij nga përgjegjësia, ndërsa propozoi të merren parasysh me rastin e marrjes së vendimitj.

“E nderuara kryetare, të nderuar anëtarë të trupit gjykues, nga gjithë ajo që u tha më sipër, pa mëdyshje rrjedh se i akuzuari Salim Jenuzi nuk e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, andaj edhe jo i vetmi propozim, po për ne edhe nuk ka mënyrë tjetër të vendosjes, përpos që në bazë të nenit 364 paragrafi 3 i Kodit të Procedurës Penale të lirohet nga akuza,” tha Berisha.
Ky nen tregon rastet kur një i akuzuar lirohet nga aktakuza.
Me fjalët e Berishës u pajtua edhe kryetari i Dragashit.

“Unë pajtohem plotësisht me fjalën e avokatit tim dhe nuk kam çka të shtoj,” tha Selim Jenuzi.

Mbrojtësi i të akuzuarit Lulzim Rifaj, avokati Fatmir Jëlliqi, pos tjerash tha se në këtë rast nuk kemi të bëjmë as me kundërvajtje, e lëre më me vepër penale.

“As që bëhet fjalë për ndonjë shkelje ligjore, në rastin konkret për më tepër nuk bëhet fjalë as për ndonjë element kundërvajtjeje, e gjithë kjo çështje që u ndërmor, konsideroj se i përket vetëm procedurave administrative,” tha Jëlliqi.

I akuzuari Rifaj, konsulli i Kosovës në Sofje tha se pret pafajësinë.

“Mbetem në tërësi pranë fjalës së mbrojtësit tim dhe deklarohem edhe njëherë para kësaj gjykate se nuk e ndiej veten fajtor për këtë që më ngarkohet dhe mendoj që jam i pafajshëm dhe pres prej trupit gjykues që të më shpallë të pafajshëm dhe të hedhë poshtë aktakuzën e pabazë të prokurorit të shtetit,” tha Rifaj.
Të akuzuarit, Jenuzi e Rifaj, akuzohen se pronën e ndërmarrjes shoqërore “Sharr Prodhimi” e bartën në pronësi të komunës.

Jenuzi akuzohet se këtë pronë pastaj ua dha në shfrytëzim pa ndonjë bazë juridike blegtorëve.

Rifaj ngarkohet se si kryesues i Kuvendit Komunal të Dragashit vuri në rend dite këtë bartje të pronës shoqërore, duke bindur asamblistët që ta votojnë propozimin, edhe pse e dinte se një veprim i tillë është në kundërshtim me ligjet në fuqi, pasi menaxhimi i pronës shoqërore me ligj i përket AKP-së.

Ligji për AKP-në e përcakton këtë agjenci si administratore të ndërmarrjeve publike, pavarësisht nëse ndërmarrjet i janë nënshtruar ose jo transformimit.
Seanca e shpalljes së aktgjykimit të këtij rasti do të bëhet më 22 janar 2015./kallxo.com/

Më Shumë

Rahoveci shënoi 26-vjetorin e daljes së parë publike të UÇK-së në Drenoc

Ish-veprimtarë të çështjes kombëtare, veteranë të luftës, familjarë të dëshmorëve dhe përfaqësues të skenës politike, kujtuan daljen e parë publike të UÇK-së në Zonën...

Bëhen të ditura terminet për ndeshjet e dyta të gjysmëfinaleve të playoffit

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka publikuar sot në faqen zyrtare të saj terminet e ndeshjeve të dyta të serive gjysmëfinale të playoffit. Peja, që...

Lajmet e Fundit