15.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Kalendari i përbashkët kulturor i vitit 2015 Kosovë-Shqipëri ka filluar

Kumbaro-Shala-659x438Bashkëpunimi i ngushtë kulturor midis Kosovës dhe Shqipërisë do të vazhdojë për vitin e dytë me radhë, pas nënshkrimit të kalendarit të përbashkët kulturor nga dy ministrat Kujtim Shala dhe Mirela Kumbaro, të premten në ambientet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Kalendari u nënshkrua në tryezën e quajtur “Kultura, hapësira jonë e përbashkët”, ku pos ministrave, morën pjesë edhe drejtorë të institucioneve të rëndësishme të kulturës dhe artit në të dyja vendet.

“Veprimtaria e përbashkët kulturore sipas kalendarit të përcaktuar, në fushën e librit, të teatrit, trashëgimisë, filmit, aktiviteteve muzikore e arteve pamore, pastaj në fushën e trashëgimisë dhe prezantimit të saj kërkon vullnet dhe punë të madhe të institucioneve të kulturës nga të dy vendet. Me parimin se tërësi do të thotë bashkim i pjesëve, atëherë besojmë se realizimi i projekteve të kalendarit dhe shtimi i aktiviteteve në të ardhmen, nënkupton vlerësim, ruajtje dhe nderim të veprimtarisë kulturore në përgjithësi”, tha ministri Shala.

Ministrja Kumbaro, në anën tjetër, solli ndërmend emocionet që përjetoi në hapjen e Bienales së Venedikut, duke kaluar nga stenda e Shqipërisë te ajo e Kosovës.

“Kalendarin nuk e bëjnë ministritë dhe as ministrat, por e bëjnë njerëzit e kulturës, e bën skena e artistëve sepse skena është e tyre dhe jo e zyrtarëve. Sot nënshkruam kalendarin, por kalendari i vitit 2015 ka filluar. Besa Llugiqi e Prishtinës shkëlqeu në skenën e Tiranës një javë më parë krahë artistëve me standard botëror siç është Gëzim Myshketa apo edhe Ermonela Jaho, në skenën e Teatrit dhe të Operës dhe Baletit në Tiranë.

Para pak ditësh, veprat e Muslim Mulliqit ndërruan thjeshtë strehë nga Tirana në Prishtinë, duke mbetur edhe të Tiranës edhe të Prishtinës. Dje, trupa e Qendrës Kombëtare të Fëmijëve dha shfaqje në Prizren dhe nuk pritën asnjëri nga këta artistë nënshkrimin, por vetëm na nxiten neve që të ecim më shpejtë me mbështetjen e institucioneve.

Mos të harrojmë që në Berlinale, Shqipëria dhe Kosova mirëpritën mysafirët në stendën e përbashkët, edhe për një film të përbashkët po të artistëve e jo të institucioneve. Dhe ky është vetëm fillimi i një viti i cili premton shumë, premton sepse do të kemi festivalin mbarëkombëtar folklorik në Gjirokastër ku të dy ministritë do ta mbështesin”, tha Kumbaro.

Ajo shtoi se vëmendja e institucioneve do t’i jepet edhe skenës së pavarur kulturore në të dyja vendet, si dhe se kalendari i përbashkët i këtij viti do të jetë edhe më i frytshëm se ai i vitit 2014.

Në takim gjithashtu u përmend bashkëpunimi midis drejtorëve të baletit, Ilir Kerni në Shqipëri dhe Ahmet Brahimaj në Kosovë, si dhe mes dy qendrave kinematografike, të cilat së fundmi bashkëpunuan me filmin “Burrneshat”.

Vitin e kaluar, përkatësisht më 13 shkurt, ishte ish-ministri i Kulturës, Memli Krasniqi ai që nënshkroi kalendarin e parë të përbashkët kulturor me Mirela Kumbaron, bashkëpunim ky që ishte rezultat i mbledhjes së janarit që u mbajt midis dy qeverive në Prizren./Kosovalive/

Më Shumë

Lajmet e Fundit