17.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

A kanë dorë në punësime Kadri Veseli dhe Enver Hoxhaj?

Kadi Veseli-Enver HoxhajVazhdojnë reagimet për ndërhyrjet nga zyrtarët e lartë të PDK-së për të punësuar njerëz në Prizren. Pas denoncimit publik të kësaj dukurie nga gazetari Rami Berisha, janë shtuar zërat që po kërkojnë sqarim të situatës së krijuar.

Këto ditë është lakuar emri i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, i cili është zëvendëskryetar i PDK-së, për të cilin thuhet se ‘urdhëron zyrtarët lokal të punësojnë militant të partisë’.

Një zyrtarë i lartë i degës së PDK-së në Prizren, në kushte të anonimitetit i ka thënë “PrizrenPressit”, se për punësim në këtë komunë ka pasur rekomandim edhe nga Prishtina, por në shumicën e rasteve emrat e liderëve nga qendra janë keqpërdorur.

“Po, ka pas rekomandim për të punësuar ndonjë aktivist të partisë edhe nga qendra në Prishtinë, por më shumë zyrtarët lokal i kanë keqpërdorur emrat e liderëve të partisë duke u thirrur në atë se ata po ndikojnë në punësime në Prizren. Zakonisht janë përmendur emrat e Kadri Veselit dhe Enver Hoxhajt, pasi që ky i fundit mban lidhjet e degës me qendrën”, ka thënë ky zyrtarë i PDK-së.

Sipas tij, kjo ka ndodhur për shkakun se edhe drejtorët nga radhët e PDK-së janë zgjedhur me rekomandim nga Kryesia Qendrore.

Madje ky burim i ka thënë “PrizrenPress”-it se emrat kanë ardhur direkt nga Prishtina, sepse dega nuk ka arritur konsensus për të zgjedhur drejtorët.

“Na është thënë se duhet që të tri degët të përfaqësohen në qeverisje, e Prizrenti, e Zhurit dhe ajo e Hasit. Dhe janë prezantuar emrat e ardhur nga Prishtina, duke thënë se ky është ‘selami’, i Kadri Veselit”, ka thënë ky zyrtar, i cili nuk ka dashur të identifikohet.

Sipas tij, kjo ka ndikuar që të krijohen paqartësi në qeverisje, dhe punësimet janë kryer duke u thirrur në emër të Kadri Veselit dhe Enver Hoxhajt.

Se në përzgjedhjen e drejtorëve për qeverisjen në Prizren ka ndikuar edhe Qendra në Prishtinë, nuk e ka mohuar as Sekretari i degës së PDK-së në Prizren, Nijazi Kryeziu.

Sipas tij, përzgjedhja e drejtorëve komunal është bërë pas propozimeve të kryesive te degëve nga Prizreni, Zhuri dhe Hasi, ku për secilën drejtori ka pasur nga tre e më shumë kandidatë.

“I gjithë procesi është përcjell me debat në strukturat e degëve ne organet vendimmarrëse. Ka pasur edhe konsultime e bashkëshqyrtim me qendrën e partisë”, ka thënë Kryeziu.

Kryeziu e ka arsyetuar konsultimin me qendrën në Prishtinë.

“Natyrisht konsultimet me strukturat qendrore të partisë e ka bërë të domosdoshëm jo vetëm përzgjedhja e drejtorëve nga radhët e PDK por nga detyrimet prej partnerëve te koalicionit. Pas emërimit të drejtorëve qeveria lokale e ka mbështetjen e plotë te strukturave të partisë nw nivele dege”, ka thënë Kryeziu për ‘PrizrenPress’.

Por, sipas tij, vendimi final i emërimit ka qenë në kompetencat e kryetarit të komunës Ramadan Muja.

Gazetari Rami Berisha ditë më parë në një letër publike dërguar Kryeministrit, Kryeparlamentarit dhe Ministrit të Arsimit, ka bërë një varg akuzash në drejtim të Drejtorisë së Arsimit në Prizren.

Sipas tij, çmimi për një vend pune në Arsim ka arritur në 6000 mijë euro dhe se po përdoret edhe emri i Kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Ai shprehet i gatshëm të përballët edhe në gjykatë me drejtorin e Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçajn.

“Unë jam institucionalit dhe do të doja që çështja të shkojë në gjykatë, prandaj i kam bërë thirrje të parëve të shtetit që të jenë dëshmitar në burgosjen time dhe dënimin, sipas ligjeve të Kosovës”.

Ndërkaq, drejtori i Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj ka paralajmëruar se për këto akuza do të ngritë padi për shpifje kundër gazetarit Berisha.

“Do të ngrisë padi ndaj tij për shpifje”, ka theksuar ai.

Çoçaj ditë më parë ka mohuar se në punësimin e mësimdhënësve ka dorë Kryeparlamentari Kadri Veseli.

“Sa i përket asaj se DKA po punëson njerëz me urdhra të Kadri Veselit kjo është një shpifje tjetër e radhës”, ka thënë Çoçaj për “PrizrenPress”.

“Është vet Rami Berisha që ka kërkuar t’i punësohet vajza e vëllait dhe i kam thënë se nuk mund t’i përzihem Komisionit”.

Ai tregon se në Komision nuk merr pjesë që tre vite.

“Nëse e ka përmend Komisionin duhet me ta të bisedoj, sepse ka tre vite që unë nuk jam pjesë e Komisionit . Prandaj, shiko mirë si është shprehur”, ka theksuar ai.

Kurse, kryesuesi i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, Nait Hasani, thotë ndërkaq se organet e drejtësisë duhet t’i ndriçojnë këto akuza publike.

“Nëse ka diç të tillë duhet organet e drejtësisë të thonë fjalën e vet. Unë nuk po besoj në këto akuza, sepse janë më shumë thashetheme”.

“Por, nëse ka diç, kjo është skandaloze. Drejtësia duhet të fillojë hetimet dhe nëse ka diç të vërtet t’i dënojë kushdo që është, sepse njerëz të tillë kanë ndikuar edhe në migrimin e shqiptarëve”.

“Kushdo që e ka bërë duhet të dënohet, sepse të tillët nuk kanë as etni, as parti”.

Kurse, për deputetin, Zafir Berisha kjo që është thënë ditëve të fundit ka dëshmuar atë që ai dhe subjekti i tij politik i ka denoncuar me kohë.

“Po kjo është edhe një tregues i asaj që vazhdimisht kemi thënë, se Prizreni qeveriset për shumë gjëra nga Prishtina, dhe për fat të keq Prizreni ka njerëz kukulla, duke filluar nga Ramadan Muja që i shërben para-politikës së partisë në pushtet e jo qytetarëve”, ka theksuar Berisha.

Berisha ka thënë se lakimi i emrit të kryeparlamentarit Kadri Veseli se jep urdhra për punësime në Prizren e obligon këtë të fundit të deklarohet për këto akuza.

“Po logjikisht, meqë po lakohet emri i tij është mirë ai me dhënë mendim për aferën e fundit, por kjo nuk ndodh sepse dyshoj që këtu ka të vërteta në atë që thuhet”, ka thënë Berisha./PrizrenPress.com/

Më Shumë

Pamje nga aksidenti në Suharekë, dy personat e ndjerë shihen të mbuluar në rrugë (VIDEO)

Janë publikuar pamjet nga aksidenti i rëndë që u regjistrua pasditen e kësaj të diele (sot), në Shirokë të Suharekës, ku humbën jetën 2...

Aksident tragjik në Shirokë të Suharekës, humbin jetën dy persona

Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të...

Lajmet e Fundit