14.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

KE t’i kërkoj falje Hashim Thaçit

Denis MacShaneShkruan: Denis MacShane

Bashkimi Evropian ka thënë se nuk ka prova që e lidhin Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin me trafikim organesh gjatë luftës për pavarësi të vitit 1999, ku Kosova u çlirua nga pushtimi dhe shtypja serbe. Prokurori amerikan Clint Williamson, pas një hetimi katërvjeçar, ka konkluduar se Hashim Thaçi nuk ka qenë i përfshirë në vrasjen e të burgosurve serbë dhe në nxjerrjen e organeve të tyre. Kjo bie ndesh me raportin e njohur të Këshillit të Evropës të shkruar nga ish-senatori zviceran, Dick Marty. Raporti i botuar në dhjetor 2010 përshkruan akuzat sipas të cilave Thaçi ishte përfshirë në trafikimin e organeve njerëzore. Me titull “Kryeministri i Kosovës është kreu i trafikimit të organeve njerëzore dhe armëve, raporton Këshilli i Evropës”, gazeta britanike “The Guardian” e përshkruan Thaçin si një përbindësh: “Kryeministri i Kosovës është kreu i një grupi mafioz shqiptar përgjegjës për kontrabandën e armëve, drogës dhe organeve njerëzore përmes Evropës Lindore, sipas një raporti të Këshillit të Evropës.” “Hashim Thaçi është identifikuar si bosi i një rrjeti kriminal që filloi të veprojë në prag të luftës të viteve 1998-1999 në Kosovë dhe ka pasur ndikim të fuqishëm mbi qeverinë e vendit që nga atëherë.” (14 dhjetor 2010)

Gazeta të tjera kanë botuar raporte me tituj të ngjashëm duke sulmuar Thaçin personalisht në bazë të pretendimeve të Martit të publikuar në organin më të lartë të Evropës që mbronë të drejtat e njeriut. Raporti i Këshillit të Evropës u kritikua ashpër atëbotë nga prokurori britanik Sir Geoffrey Nice QC, i cili kishte ndjekur penalisht Sllobodan Millosheviçin në Hagë dhe i cili është njëherësh ekspert botëror për krimet e kryera në Ballkan. Në një artikull të botuar në “London Review of Books”, Nice akuzoi Martin dhe Këshillin e Evropës për nënshtrimin ndaj propagandës serbe, e cila gjithmonë ka tentuar të etiketojë prijësin e studentëve, i cili më vonë u bë zëdhënës politik dhe kryenegociator i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nice tha se Marty dhe Këshilli i Evropës kishin prodhuar deklarata të shpikura dëshmitarësh dhe janë mbështetur në thashetheme të agjencive me agjendë politike. Nice përmbylli artikullin e tij me një pyetje: “A ishin pretendimet e Martyt ndoshta pjesë e një fushate mediatike për të penguar njohjen e Kosovës si shtet të pavarur?”

Raporti i Martyt u mbështet nga delegacionet ruse dhe serbe në Këshillin e Evropës, por ai u diskreditua tani. Marty është pensionuar nga politika dhe nuk ka pranuar të bashkëpunojë me hetuesit apo gazetarët që kërkonin të merrnin në pyetje për burimet e tij për akuzat kundër Thaçit dhe të rrëfente se pse zgjodhi Këshillin e Evropës për ta përdorur në mënyrë partizane kundër një kreu evropian të zgjedhur qeveritar. Thaçi ofroi bashkëpunim të menjëhershëm rreth çdo hetimi. EULEX-i në Kosovë ka kërkuar Clint Williamsonit të kryejë një hetim të pavarur. Williamson është një diplomat dhe prokuror i cili shërbeu si ambasador i SHBA-së për krimet e luftës dhe kishte kryesuar Task Forcën Speciale Hetuese të BE-së të themeluar më 2011 për të hetuar akuzat e Këshillit të Evropës. Raporti i tij kryesor i publikuar dje e liron tërësisht Thaçin nga akuzat. Raporti ka konfirmuar se disa figura të larta në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës kanë kryer krime të luftës dhe se duhet të ndiqen. Ka kohë që kjo është pranuar në Kosovë dhe se qeveria Thaçi ka bashkëpunuar përherë me Tribunalin e Hagës rreth dërgimit të njerëzve të akuzuar për hetim dhe gjykim.

Raporti i Williamsonit konfirmon se krimet e luftës janë kryer nga të dyja palët në luftën që shpërtheu më 1998, pas një rezistence të gjatë dhe të qetë 20-vjeçare nga kosovarët, të udhëhequr nga Ibrahim Rugova, që u trajtua me përbuzje nga regjimi i Millosheviqit. Historiani i Evropës së pasluftës, Tony Judt ka përshkruar “keqtrajtimin e vazhdueshëm të Millosheviqit ndaj shqiptarëve në Kosovë”. Së fundi varreza masive u zbuluan në Serbinë juglindore ku u gjetën mbetjet e 250 kosovarëve. Clint Williamson pohon se raporti i Këshillit të Evropës për krime të luftës të kryera nga elemente të UÇK-së është i saktë. Por, ai nuk gjeti asgjë që lidhet me Hashim Thaçin për krime të luftës.Më pas, shpërtheu skandali që përfshiu një kirurg turk i cili hapi një klinikë në Prishtinë, ku njerëzit e varfër kishin shitur organet e tyre që të u përdoren për transplante për njerëz të pasur në Lindje të Mesme me sëmundje kronike të veshkave. Klinika u mbyll dhe mjeku u ndoq penalisht.

Mirepo, pretendimi i Martyt, më 2010, se Thaçi ishte i përfshirë në nxjerrjen e organeve njerëzore në kohën kur ai ishte kryenegociator në Rambuje ishte marrëzi, kurse sot shihet si absurditet. Këshilli i Evropës i detyrohet Kryeministrit Thaçi së paku një falje. Rusia e braktisi Këshillin e Evropës pasi që u kritikua në seancën e muajit prill të Asamblesë Parlamentare të Këshillit rreth aneksimit të një pjese të Ukrainës. Kosova dhe Serbia tashmë kanë vendosur marrëdhënie shumë të mira pas përpjekjeve diplomatike të Thaçit për të çuar vendin e tij drejt BE-së. Serbët në Kosovë kanë marrë pjesë në zgjedhjet e qershorit dhe tani ka 9 deputetë serbë në Kuvendin e Kosovës – proporcionalisht më shumë se popullsia e tyre e pergjithshme në Kosovë. Këshilli i Evropës mund të kompensojë gabimin e shkaktuar në dëm të Hashim Thaçit në raportin e tij të vitit 2010 duke marrë hapa për integrimin e plotë të Kosovës në punët e saj.

(Autori ka qenë ministër për Ballkan në qeverinë e Britanisë së Madhe (2001-2005) dhe i deleguar në Këshillin e Evropës (2005-2010).

Më Shumë

Lajmet e Fundit