10.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

Kina, garanci për autostradën Shqipëri-Maqedoni

Rama-LiKryeministri kinez, Li Keqiang ka garantuar ndërtimin e autostradës që lidh Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Dita e dytë e vizitës së kryeministrit Edi Rama në Kinë, është shoqëruar me një premtim nga shteti kinez për Shqipërinë: Bashkëpunim më të ngushtë mes palëve. Gjatë takimit me homologun e tij kinez Li Keqiang, kryeministri mori garancinë e Pekinit për të ndërtuar një autostradë që lidh Shqipërinë dhe Maqedoninë.

“Kina dhe Shqipëria do të punojë për të bërë përparime në projekte të mëdha, duke nxitur ndërtimin e autostradës që lidh Shqipërinë dhe Maqedoninë në mënyrë të veçantë”, tha Li, transmeton INA.

Li Keqiang vlerësoi miqësinë tradicionale mes Shqipërisë dhe Kinës dhe e cilësoi vizitën e homologut shqiptar si një mundësi për përmirësimin e shkëmbimeve të nivelit të lartë dhe për të promovuar bashkëpunimin në të gjitha fushat.

Më tej kryeministri kinez deklaroi se sektori i energjisë, bujqësisë dhe infrastrukturës do të jenë prioritetet e bashkëpunimit mes dy vendeve. Ai tha se Kina është e gatshme të importojë produktet bujqësore dhe minerare nga Shqipëria për të mbështetur ndërmarrjet kineze, si dhe angazhimin në zhvillimin e infrastrukturës në Shqipëri.

Nga ana tjetër kryeministri Rama tha se të dy vendet kanë gëzuar marrëdhënie të shëndosha, dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar miqësinë tradicionale dhe zgjerimin e bashkëpunimit me Kinën. Ai përshëndeti investimet e sipërmarrësve të shumtë kinezë në Shqipëri, dhe premtoi lehtësimin e transaksioneve të tilla.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme Rama pritet të drejtojë sesionin mbi ekonominë me temë, “Suksesi i një ekonomie të re krijuese”. Sesioni do të mbahet nga Forumi Ekonomik Botëror në Tianjin të Kinës lindore. Në këtë forum do të jenë 1900 pjesëmarrës nga 90 vende të ndryshme të botës.

Më Shumë

Lajmet e Fundit