17.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Kjo Qeveri s’mund të jetë e ndryshme

Agron BajramiQeveria e re PDK-LDK i ka shpallur luftë të pakompromis korrupsionit.
Isa Mustafa, i cili u zgjodh të martën Kryeministër i ri i Kosovës, duke e ndërruar Hashim Thaçin, me 73 vota për, pa 8 të LDK’së, pas një marrëveshjeje të shpejtë mes dy forcave të mëdha politike, ka premtuar se do të verifikohen të gjithë tenderët dhe pasuria e zyrtarëve të lartë se kah kanë ardhur.
Vullnet sheh edhe te partneri i tij.
Por, pretendimet për luftimin e korrupsionit, analisti politik Agron Bajrami i sheh si vështirë të realizueshme nga një Qeveri e cila në shumë raste paraqet vazhdimësinë e një qeverisje të dy mandateve të kaluara.

Duke folur për Politiko.net, Bajrami vlerëson se këto premtime po bëhen si nevojë e krijimit të një imazhi pozitiv. Një Qeveri që jo shumë po pëlqehet nga elektorati i saj.

“E para, ajo çfarë dua të them si një vërejte e përgjithshme është se Qeveria nuk mund të jetë diçka tjetër përveç se e ngjashme me procesin i cili e ka sjell këtë Qeveri, si rezultat i një procesi përplot gënjeshtra e mashtrime. Kjo Qeveri nuk mund të jetë e ndryshme”.

“E dyta, një Qeveri e tillë, e cila në shumë aspekte paraqet vazhdimësi të një qeverisjeje të 7 vjetëve të kaluar, nuk mund të ketë kredibilitet kur thotë se do ta luftojë korrupsionin. Po të kishte ekzistuar vullneti për ta luftuar korrupsionin te zyrtarët e Qeverisë, të cilët edhe tash vazhdojnë të jenë aty, do të ndodhte deri më tash”.

“Kështu që, këto pretendime se do të luftohet korrupsioni, më shumë duken si përpjekje për të krijuar një imazh pozitiv për një Qeveri, e cila është e dukshme që nuk po pëlqehet nga pjesa dërrmuese, jo vetëm e qytetarëve, por edhe një pjesë e madhe e elektoratit, që i ka votuar këto dy parti që bënë koalicionin qeveritar”, ka thënë Bajrami për Politiko.net.

Në mungesë të numrave për ta votuar Kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë, Hashim Thaçi hoqi dorë nga Kryeministri, ndonëse më herë ishte deklaruar qartë se nuk bën pazare për këtë post.
Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, më 19 nëntor, në Zyrën e Presidentes dhe në prani të Ambasadores Amerikane, Tracey Jacobson, lidhën marrëveshjen për bashkëqeverisje.
Vetëm ditën kur pritej të konstituohej Kuvendi u bë e ditur se kujt do t’i takojë Kryeministri. Jo edhe emrat e Ministrave. Ata u lanë për të martën.

Analisti Agron Bajrami mendon se kjo ishte mënyra e vetme që Thaçi të vazhdonte të jetë pjesë e pushtetit.

Sipas tij, ish Kryeministri Thaçi do të jetë personi më i fuqishëm në Qeverinë PDK-LDK, ndonëse ka një post me më pak peshë.

“Ishte e qartë që Thaçi për të mbetur në pushtet do të duhej të bënte një hap radikal në marrëveshje, e cila do t’i ofronte shumë më të madhe partnerit të ardhshëm të tij që të mund të jetë e justifikueshme për këta njerëz, sepse të gjithë insistonin se me Thaçin nuk mund të ketë ndryshime”.

“Për t’ia mundësuar që z. Mustafa t’i përpijë fjalët e veta, Thaçi ia ka dhënë postin e Kryeministrit”.

“Spekulimi ishte vazhdimisht se Thaçi me dëshirën e tij, ose me njëfarë synimi që do të mund të marrë Presidentin, do të tërhiqet për një kohë prej qeverisjes. Por, duket qartë se me mbetjen e tij në postin e Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm, që në fakt është shefi i diplomacisë, Thaçi do të mbajë një profil të lartë, i cili ndodh do të jetë i barasvlershëm me profilin e Kryeministrit”.

“Kështu që, përveç se në emër, nuk po më duket se Thaçi ka ndryshuar në pozicion. Ai do të jetë njeriu më i fuqishëm në Qeveri dhe do të jetë njeriu që do ta përfaqësojë pak a shumë Kosovën jashtë vendit, në të gjitha proceset me rëndësi”.

“Për më tepër, kjo është vetëm një parapërgatitje ndoshta për një fitore më të madhe në synimin e tij për të marrë postin e Presidentit”, është shprehur Bajrami për Politiko.net.

Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë së re ndodhi vetëm pas 6 muajsh krize institucionale.
Isa Mustafa mori postin e Kryeministrit, ndërkaq Hashim Thaçi atë të ZëvendësKryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme deri në vitin 2016, kur do të kandidojë për postin e Presidentit, pas përfundimit të mandatit të Atifete Jahjagës. / Politiko.net

Më Shumë

Lajmet e Fundit