Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut ka reaguar duke këshilluar protestuesit që të mos bëhen të dhunshëm.
Si masë të ngutshme, KMDLNj propozon shkarkimin e rektorit Ibrahim Gashi, shpërndarjen e Këshillit Drejtues si dhe mbylljen e rektoratit për aq kohë sa të zgjasin hetimet.
“KMDLNj përkrahë protestat deri në ato çaste kur ato janë paqësore ndërkaq që nuk i përkrah ato kur bëhen të dhunshme, prandaj kërkon nga protestuesit të protestojnë në mënyrë paqësore duke këmbëngulur në kërkesat e tyre për të vendosur rregull në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Protestuesit duhet të mbajnë rregull. Institucionet e Kosovës, përkatësisht Qeveria e Kosovës duhet seriozisht t’i marr parasysh kërkesat e studentëve dhe urgjentisht duhet të vendos rregull në Universitetin “Hasan Prishtina”, Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe në MASHT”, thuhet në komunikatën e tyre.
Ndryshe, KMDLNj thotë se Policia e Kosovës është vënë në situatë shumë të rëndë, midis kërkesave të arsyeshme të studentëve dhe ndikimit të politikës si urdhërdhënës në anën tjetër si dhe atyre që në mënyrë të paskrupullt përmes politizimit të protestës po kontribuojnë në eskalimin e dhunës.
KMDLNj vlerëson se në protestën e datës 7 shkurt 2014 kanë marrë pjesë 1500 – 1800 protestues. Në përpjekje për të hyrë në oborrin e Rektoratit nga ana e protestuesve dhe në përpjekje për t’u penguar nga ana e policëve, situata ka eskaluar duke hedhur kubëza guri, shkopinj druri, shishe të plastikës dhe të qelqit, ujë, qumësht në drejtim të policëve ndërsa policia ka zbrazur bombola të gazit lotsjellës në drejtim të protestuesve. Janë me dhjetëra protestues të lënduar, dhjetëra policë gjithashtu të lënduar (një rëndë si pasojë e goditjes me kubëz guri në nofull) dhe mbi 40 protestues të arrestuar. /PrizrenPress.com/