13.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Komisioni i përçarë për shaminë

Petrit SelimiKryeministri Hashim Thaçi e ka në zyrë rekomandimin e Komisionit për Liritë Fetare, për lejimin e shamisë në shkolla. Por, jo të gjithë anëtarët e tij e kanë miratuar rekomandimin. Kryesuesi i Komisionit, Deputeti Amir Ahmeti tha se anëtari, njëherësh zëvendësministri, Petrit Selimi, nuk ishte pajtuar me konkluzionet. Por, Ahmeti thotë se është befasuar kur Selimi mospajtimet e tij i ka shfaqur edhe në opinion.
Çështja e vendimit për lejimin e shamisë ose jo në shkolla po vazhdon të mbetet problematike.

Të ndarë rreth kësaj teme janë edhe vetë anëtarët e Komisionit për Liritë Fetare, që i rekomandoi Kryeministrit Hashim Thaçi heqjen e ndalesës për bartjen e shamive në shkolla.

Në fakt, jo të gjithë anëtarët e këtij komisioni, i kanë kërkuar Kryeministrit që të lejojë shaminë, shkruan “Express”.

Petrit Selimi, zëvendësministër i Jashtëm, që është edhe anëtar i këtij Komisionit, ka deklaruar tashmë se nuk është pajtuar me rekomandimin që e ka dërguar Ahmeti në kryeministri.

Deputeti Ahmeti thotë se ka qenë në dijeni për refuzimin e Selimit, por pohon se i ka përcjellë rekomandimet te shefi i Qeverisë, për të mos e zvarritur punën e Komisionit.

“Si kryesues i komisionit nuk kam lejuar që puna e komisionit të mbetet peng duke i prolonguar detyrat tona për shkak të një anëtari i cili nuk ka qenë me ne as 1/3 e punës së komisionit”, ka pohuar ai në përgjigjet për Express nëpërmjet postës elektronike.

Ahmeti e pranon se Selimi nuk ishte pajtuar me konkluzionet.

“Në mbledhjen e 17 Majit, kur e kemi miratuar raportin me rekomandime, ai (Selimi), nuk ka qenë prezent me arsyen se ka agjendë të ngjeshur. Por na dërgoi një selam përmes e-mailit se ai nuk pajtohet me rekomandimet duke na sugjeruar një sërë ndryshimesh të aktivitetit tonë, që nuk ishin pjesë e punës sonë si komision”, thotë Ahmeti.

Por kur ka lexuar në media deklaratën e Selimit se nuk është pajtuar me rekomandimet, Ahmeti thotë se është befasuar.

“Ju them të drejtën se jam i befasuar me deklaratat konfuze dhe të pavërteta të z. Selimit të para dy ditëve”, tha Ahmeti për Express.

Ai e kritikoi Zëvendësministrin për mospjesëmarrje në grupet punuese dhe vizitat studimore të realizuara në vendet e BE-së me qëllim të marrjes së praktikave për zgjidhjen e kësaj çështje. Derisa e quajti konfuz dhe të paqartë në qëndrimet e tij si anëtar i Komisionit.

“Jam i habitur kur lexova intervistën e z.Selimi i cili thoshte se fletë me ‘kompetencë’, nuk e di për çfarë kompetence flet ai kur në punën e komisionit ka marrë pjesë në vetëm 3 mbledhje për rreth 7 muaj”, tha Ahmeti.

Sipas Ahmetit, ndër rekomandimet kryesore drejtuar Kreut të ekzekutivit është ai për anulimin e pikës 13 të nenit 4 të Udhëzimit Administrativ 06/2010 të MASHT, e që ndalon bartjen e shamisë në shkolla.

“Ka sjellë konfuzion të madh në shoqërinë kosovare dhe është bërë shkas për përjashtimin e vajzave me shamia nga procesi mësimor”, ishte arsyetimi i Ahmetit dhënë për Express.

Çështja tjetër e rëndësishme sipas tij është projektligji për statusin juridik të bashkësive fetare dhe e fundit për edukatën fetare në shkollat publike.

“Por kjo të realizohet pasi të krijohet baza ligjore dhe pas një bashkëpunimi të Ministrisë së Arsimit dhe Bashkësive Fetare për të bërë grupet punuese rreth përpilimit të teksteve, kurrikulave dhe mësimdhënësve”, tha ai.

Ndërsa u shpreh mjaft optimist se për këto çështje Komisioni do ta ketë edhe pajtueshmërinë e kryeministrit për këto çështje.

“Këtë komision e ka themeluar vetë Kryeministri i Kosovës z. Thaçi, dhe nuk besoj se ai nuk do të implementojë rekomandimet e komisionit”, tha ai për “Express”.

Anëtarë të këtij komisioni përveç deputetit Amir Ahmetit dhe zëvendësministrit të jashtëm ,Petrit Selimi janë edhe dhe Habib Hajredini nga Zyra e Kryeministrit dhe Imami Sabri Bajgora.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë për Express ndodhet tashmë në Kryeministri por nuk e di se kur mund të merret ndonjë vendim për lejimin ose jo të shamisë.

Më Shumë

Moti sot me diell dhe vranësira, temperaturat minimale 0 gradë Celsius – maksimalja deri në 16

Moti sot parashihet të jetë me diell dhe vranësira të pakta në orët e para të mëngjesit. Më pas pritet shtim i vranësirave, të cilat...

Trepça fiton ndaj Prishtinës në gjysmëfinalen e parë

Trepça ka fituar ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 87:81 (22:19, 21:20, 21:16, 23:26) Kevin Capers kishte 13 pikë, 4 kërcime e...

Lajmet e Fundit