17.1 C
Prizren
E enjte, 29 Maj, 2025

Komuna e Prizrenit – jo transparente

EC Ma Ndryshe ka publikuar Indeksin e Reformës së Transparencës Komunale, në kuadër të cilit janë pasqyruar rezultatet për 13 grupe indikatorësh relevantë që tregojnë nivelin e transparencës gjatë vitit 2015 në komunat e Prishtinës, Prizrenit, Ferizajit, Pejës, Gjilanit, Gjakovës dhe Mitrovicës.

Indeksi është lansuar gjatë konferencës, ku panelistët Ruairí O’Connell, ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Mimoza Kusari-Lila, kryetare e Komunës së Gjakovës, Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës dhe Jeta Xharra nga BIRN-i, kanë prezantuar pikëpamjet e tyre rreth transparencës, por edhe kanë marrë pjesë në diskutime me pjesëmarrësit, që kanë qenë përfaqësues të pushtetit lokal nga komuna të ndryshme, aktivistë të shoqërisë civile, gazetarë, etj.

Në Indeksin e Reformës së Transparencës Komunale figuron se Komuna e Gjakovës ka notë pozitive në 8 nga 13 indikatorët, me dy nota negative dhe tre neutrale. Në anën e kundërt qëndron komuna e Prizrenit, e cila ka 11 vlerësime negative dhe 2 neutrale. Mitrovica ka 7 nota neutrale e 6 negative. Ferizaj ka 6 nota neutrale dhe 7 negative. Edhe Peja ka 6 nota neutrale dhe 7 negative. Gjilani ka 5 nota neutrale dhe 8 negative. Pos Gjakovës, vetëm edhe Prishtina ka nota pozitive. Prishtina ka 3 nota pozitive, 6 neutrale dhe 4 negative.

Grupet e indikatorëve që janë monitoruar dhe mbi të cilat është shkruar Indeksi janë: Kryetari, Drejtorët dhe Anëtarët e Kuvendit, Organizimi dhe funksionimi, Puna e organeve politikë-bërëse dhe vendim-marrëse, Luftimi i sjelljeve të pahijshme dhe keqpërdorimeve, Integrimi Evropian, Kontabiliteti dhe buxheti, Kontratat e prokurimit publik, furnizimit dhe granteve, Të punësuarit në administratën publike dhe organizatat/institucionet publike, Pasuria kapitale dhe jokapitale, Informimi dhe shërbimi i qytetarëve, Bashkëpunimi me shoqërinë civile, Planifikimi urban dhe Monitorimi i projekteve urbanistike.

Në kuadër të diskutimeve, ambasadori O’Connell ka theksuar se “ka nevojë për ndryshim të mendësisë së qeverisjes, pra të ketë qasje të drejtë të zyrtarëve dhe llogaridhënie para qytetarëve”.

“Mohimi i transparencës dhe llogaridhënies është fyerje e rëndë për qytetarët e një demokracie”, ka thënë O’Connell.

Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, ka shtuar se ngritja e nivelit të transparencës dhe llogaridhënies ka qenë njëri prej synimeve kryesore të qeverisjes lokale në Gjakovë dhe gjatë dy viteve të qeverisjes ka qenë njëri prej prioriteteve. Sipas saj synim i komunës së Gjakovës vazhdon të mbetet përmirësimi i mëtejmë i nivelit të transparencës dhe llogaridhënies dhe raportet e tilla nga shoqëria civile janë një motivim shtesë për komunën e Gjakovës.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka veçuar disa faktorë që ndikojnë në mos arritjen e standardeve të duhura të transparencës duke filluar nga kapacitetet e brendshme, por edhe rrethanat aktuale në vend.

Ndërkaq Jeta Xharra nga BIRN-i ka përkujtuar se ofrimi i dokumenteve dhe informatave nga zyrtarët pos që është obligim ligjor është edhe e drejtë e garantuar. /PrizrenPress.com/

Më Shumë

Fqinjët përplasen për qen në Prizren

Një përplasje jo fort e zakonshme ka ndodhur  të mërkurën në Prizren. Komshiu 71-vjeçar u ankua se fqinji i tij 48-vjeçar e ka kanosur. Kjo...

Nga sot nis aplikimi për Provimin e Maturës Shtetërore, testi do të përshijë katër lëndë me gjithsej 100 pyetje

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), njofton maturantët se, nga sot, 27 maj 2025, do të fillojë aplikimi për Provimin e Maturës...

Lajmet e Fundit