9.8 C
Prizren
E diel, 5 Maj, 2024

Komuna e Prizrenit përsëri shkel ligjin në Qendrën Historike

Prizreni 18788“EC Ma Ndryshe” gjatë javës së kaluar ka hulumtuar rastin e intervenimit në infrastrukturën e rrugës “Marin Barleti”, që shtrihet brenda kufijve të Qendrës Historike të Prizrenit.

“Në bazë të informatave të marra nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore dhe Këshilli për Trashëgimi Kulturore i Qendrës Historike të Prizrenit rezulton se punimet në zonën e Qendrës Historike janë nisur nga Drejtoria e Shërbimeve Publike të Komunës së Prizrenit pa i siguruar pëlqimet paraprake të këtyre dy mekanizmave, që janë parakusht i domosdoshëm ligjor për tu pajisur me leje ndërtimore nga Drejtoria e Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor.

Duke e shfrytëzuar të drejtën legale për Qasje në Dokumente Publike, “EC Ma Ndryshe” ka kërkuar nga DSHP-ja dhe DUPH-ja informata shtesë lidhur me këtë projekt.
DSHP-ja ka njoftuar se në rrugën “Marin Barleti” është duke u bërë vetëm rehabilitimi i rrugës me kubëzat e njëjta të betonit, me të cilat ka qenë e shtruar rruga si dhe rregullimi i hyrjes për dhjetë familje në gjatësi prej 20 metrash, sipas kërkesës së përfaqësuesve të lagjes. DSHP nuk ka dhënë asnjë përgjigje në pyetjen nëse është pajisur me leje ndërtimi nga DUPH-ja për ndërhyrjet në infrastrukturën rrugore.

Përgjigje në këtë pyetje nuk ka dhënë as DUPH-ja. Në shkresën informuese për “EC Ma Ndryshe”, DUPH-ja ka theksuar se për punimet e nisura në rrugën “Marin Barleti” është dhënë përgjigja “me dt. 03.10.2014 prej organit kompetent përkatësisht Drejtoria për Shërbime Publike”.

“EC Ma Ndryshe” përkujton organet komunale se neni 8 i Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit që trajton ndërhyrjet në infrastrukturë në mënyrë eksplicite definon se: “Çdo ndërhyrje në infrastrukturën e Qendrës Historike të Prizrenit, duke përfshirë: ujësjellësin, kanalizimin, rrjetin telefonik, rrjetin elektrik apo rrjetet tjera të infrastrukturës bëhen pas miratimit të Projektit zbatues nga Drejtoria për Urbanizëm dhe pëlqimit nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Prizrenit (tani Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore”. Në nenin 16 të të njëjtit ligj në mënyrë të qartë definohet se: “Drejtoria për Urbanizëm, i dorëzon Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Prizrenit dhe Kryesuesit të Këshillit për Trashëgimi Kulturore një kopje të të gjitha kërkesave për projekte për leje urbanistike, ndërtimi, rrënimi apo ndryshimi të objekteve, për ndërrim të destinimit të tyre, zhvillim të aktiviteteve të përkohshme apo çfarëdo zhvillimi tjetër brenda Qendrës Historike të Prizrenit”.

Në bazë të përgjigjeve të zyrtarëve të QRTK-së dhe KTK-së rezulton se këto procedura nuk janë respektuar në këtë rast. EC Ma Ndryshe ka raportuar edhe më parë për rastet kur Komuna ka shpërfillur ligjet në projektet e implementuara në Qendrën Historike të Prizrenit, siç ka qenë rasti i Urës së Gurit dhe Arastës, nisja e punimeve në “Sheshin e Lidhjes” pa u pajisur me leje përfundimtare nga DUPH-ja, etj.

Duke u bazuar në këto të gjetura “EC Ma Ndryshe” konstaton se intervenimet ilegale në Qendrën Historike të Prizrenit janë shndërruar në dukuri të zakonshme për Komunën e Prizrenit, e cila qartazi nuk çan kokën për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore. Dëshmi për këtë ofrojnë edhe të gjeturat e Raporteve të Progresit të Komisionit Evropian për vitet 2013 dhe 2014.

Ne i bëjmë thirrje Komunës së Prizrenit që t’i jap fund njëherë e përgjithmonë praktikave të shpërfilljes së ligjeve në Qendrën Historike të Prizrenit gjatë realizimit të projekteve infrastrukturore dhe të angazhohet më seriozisht në ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore në këtë zonë të mbrojtur.
Po ashtu rekomandojmë Ministrinë e Kulturës që të jetë e vendosur në sigurimin e ligjshmërisë në Qendrën Historike, duke ndërmarrë veprime penguese dhe sanksionuese ndaj të gjithë shkelësve, përfshi këtu edhe komunën e Prizrenit.

“EC Ma Ndryshe” në korrik të vitit 2013 ka nisur zbatimin e projektit “Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm”, përkrahur financiarisht nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Nevoja për mbikëqyrjen e zhvillimeve në sektorin e urbanizimit ka rrjedhë si pasojë e zhvillimeve të shumta negative gjatë periudhës së pasluftës dhe tranzicionit që janë manifestuar me degradimin urban dhe planifikimin e pa-balancuar hapësinor. Projekti do të vazhdoj me monitorimin dhe publikimin e të gjeturave në sektorin e urbanizimit dhe planifikimit hapësinor, sikurse edhe me adresimin e përgjegjësisë institucionale”, thuhet në kumtesë. /PrizrenPress.com/

Më Shumë

Leverkuseni i Xhakës hesht Romën

Kanë përfunduar dy gjysmëfinalet e para të Ligës së Evropës. Bayer Leverkusen e ka mposhtur Romën, me rezultat 0-2, të enjten midis kryeqytetit të Italisë. Leverkuseni...

Aktori i njohur amerikan blen 11 milionë euro shtëpi në Spanjë, do të jetë ‘komshi’ me Modricin dhe Ramosin

Aktori i njohur i Hollywoodit, Richard Gere është zhvendosur përfundimisht në Spanjë dhe kjo ka ngjallur kuriozitet rreth zgjedhjes së tij të vendbanimit në...

Lajmet e Fundit