-2.6 C
Prizren
E premte, 9 Janar, 2026

Kosova dhe Turqia nënshkruajnë marrëveshje për rritjen e numrit të fluturimeve mes dy shteteve

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në një konferencë për media pas takimit me homologun e saj nga Turqia, Mevlut Çavusoglu, bëri të ditur se Kosova dhe Turqia kanë nënshkruar sot marrëveshje për rritjen e frekuencave të fluturimeve.

“Është shumë për t’u përshëndetur marrëveshja e nënshkruar sot nga ministrat lidhur me rritjen e frekuencës së fluturimeve mes Kosovës dhe Turqisë”, tha ajo.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu.

Gërvalla, vlerësoi se për të është kënaqësi që dikush si ministri Çavusoglu, e viziton Kosovën pasi ai e njeh shumë mirë historinë e Kosovës dhe gjenocidin e përjetuar.

“Si gjithnjë është kënaqësi të presësh një homolog dhe një mik të mirë të Kosovës, që e njeh mirë historinë e shtypjes dhe gjenocidit në Kosovë dhe që i cili në të gjitha lëvizjet e tij në rajon nuk e harron përvojën jo vetëm historike por edhe shumë të freskët të gjenocidit në rajon”, deklaroi ajo.

 

Gërvalla ka thënë se Kosova e ka të qartë përcaktimin e saj për integrim në të gjitha strukturat euroatlantike.

“Pozita e Kosovës në këtë çështje është e qartë, Rusinë e Serbinë e shohim jo vetëm si faktor agresiv, por edhe destabilizues për gjithë rajonin”, ka thënë ajo.

Gërvalla ka thënë se shpreson që përpjekjet për ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, NATO-s e Turqisë, të kontribuojnë që Serbisë dhe separatistëve serbë në Bosnjë-Hercegovinë, t’u pamundësohet që nën hijen e agresionit rus në Ukrainë dhe me ndihmën e Rusisë të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor e Evropën Juglindore.

Ministrja gjithashtu, njoftoi se me homologun e saj turk biseduan edhe për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë, trajtimin e stafit mjekësorë në Turqi dhe trajtimin e pacientëve nga Kosova, duke mos lënë anash edhe bashkëpunimin në fushën e arsimit.

“Me ministrin Çavusoglu biseduam edhe rreth angazhimit të Turqisë në fushën e arsimit dhe dëshirojmë ta zgjerojmë këtë bashkëpunim. Po ashtu i shpreha mirënjohjen Qeverisë së Turqisë për ndihmën  në fushën e shëndetësisë, për dhënien e trajtimit pa pagesë për pacientët nga Kosova dhe për mundësitë e trajnimit të ofruara për punonjësit e kujdesit shëndetësorë”, theksoi ajo.

Ajo në fund e ftoi ministrin Çavusoglu, edhe për investime në Kosovë./Telegrafi/

Më Shumë

Liria ndahet me Bislimin dhe Elshanin

Liria e Prizrenit ka njoftuar zyrtarisht ndarjen e bashkëpunimit me futbollistët Gentrit Bislimi dhe Egzon Elshani, duke i falënderuar për kontributin e dhënë gjatë...

Prizreni, nikoqir i Kupës të Ligës së Parë te meshkujt dhe Kupës te femrat

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) ka miratuar zyrtarisht organizimin e dy ngjarjeve të mëdha në qytetin e Prizrenit, Final 8 –...

Lajmet e Fundit