Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, thotë se skena politike në Kosovë ka nevojë për një rirreshtim të ri. Ai thotë se struktura aktuale politike ka bërë atë çka ka mundur të bëjë dhe tani është koha për ndryshime. Ai paralajmëron themelimin e partisë së re bashkë me Fatmir Limajn.
Në një intervistë për Radio Kosovën, i pyetur a pasur krime lufte nga ana e shqiptarëve dhe a duhet të dalin para drejtësisë ato, Krasniqi thotë se lufta e UÇK-së nuk mund të cilësohet si luftë që i ka shkelur ligjet e luftës.
“Mund të them se është lufta më e pastër që ka mundur ta bëjë një popull për lirinë dhe vendin e vet”, thotë ai.
Krasniqi thotë se nuk është në strukturat e PDK-së dhe se nuk mund të jetë anëtar i thjesht i një partie.
“Unë kam qenë themelues, drejtues, organizator i një partie me të cilën kam vërejtjet të mëdha dhe tash për tash nuk shoh asnjë arsye të jem pjesë përbërëse e atij subjekti”, ka thënë Krasniqi, i cili përmend subjektin e ri politik.
“Konsideroj se në skenën politike në Kosovë duhet rirreshtim i ri. Kjo strukturë politike në Kosovë e ka bërë atë që ka mundur ta bëjë. Mendoj që nuk mund të shkojë përtej dhe duhet të ketë një ndryshim të thellë edhe në politikën në Kosovë, edhe në organogramin politik të Kosovës. Sigurisht që ka të interesuar nga të gjitha kategoritë shoqërore të qytetarëve të Kosovës për të parë një subjekt politik që mendon dhe do të qeverisë më ndryshe në vendin tonë”.
Vërejtjet e tij për dialogun me Serbinë janë se ka qenë i papërgatitur, pa kornizë të çështjeve që janë në interes dhe lehtësim për qytetarët e Kosovës.
“Është folur shumë se këto bisedime janë në shërbim të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe e vërteta është se pas gjithë këtyre bisedimeve ne nuk e shohim një normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona. Dhe, çka është më kryesorja, nuk e shohim një gatishmëri të Serbisë për t’i marrë fajet dhe përgjegjësitë që ia ka shkaktuar këtij vendi dhe këtij populli, por e shohim një gatishmëri të saj për të penguar në të gjitha format dhe mundësitë që i janë dhënë”