8.1 C
Prizren
E martë, 3 Shkurt, 2026

Kremtohet 28 Nëntori, 101 flamuj kombëtar në qendër të Rahovecit

Rahovec-101flamujFestat kombëtare të nëntorit në Rahovec kanë nisur të kremtohen me ngritjen simbolike të flamurit kombëtar në kompleksin përkujtimor “Maja e Shkodranit” nga kryetari i komunës Smajl Latifi dhe disa familjarë të dëshmorëve. Me këtë rast Latifi tha se në këtë vend ne ndjejmë peshën e madhe të përgjegjësisë qytetare e shtetërore që kemi ndaj vlerave kombëtare, sidomos ndaj atyre që flijuan për lirinë e trojeve shqiptare. “Ngritja e një përmendoreje në tipin e një kalaje dëshmon për qëndresën heroike të dëshmorëve Mizair Isma, Bekim Isma, Eshrafedin Kastrati dhe dëshmorit nga Shkodra Arian Brahimi, të cilët u bënë simbol i qëndresës së popullit tonë në betejën për Rahovecin në korrik të vitit 1998″, tha ai.

Më pas janë bërë homazhe dhe janë vendosur kurora lulesh në varrezat e dëshmorëve në Rahovec, ndërsa pranë qendrës së kulturës “Mensur Zyberaj” janë vendosur 101 flamuj kombëtar, në shenjë simbolike për 101 – vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Në ceremoninë festive të organizuar në sallën e qendrës së kulturës kryetari i komunës Smajl Latifi tha se, për arritjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe vënien e themeleve të shtetit kombëtar, janë bërë luftëra të shumta dhe në altarin e lirisë kanë rënë shumë luftëtarë, ndaj të cilëve ne ndjejmë detyrim të përhershëm.

“Sot e përjetësisht, ju japim mirënjohje burrave që ndritën historinë e mbarë atdheut. Mirënjohje të gjithë atyre që me gjak, djersë e mund i mbajtën të forta themelet e Atdheut.

Ne të gjithë jemi krenar që paraardhësit e kësaj toke patën gjithë vullnetin dhe vendosmërinë për të ndryshuar rrjedhën e historisë dhe për t’i dhënë kombit pavarësinë e munguar me shekuj. Aty nisi fuqishëm ndërtimi i identitetit tonë kombëtar dhe ngritja e flamurit në Vlorë, si simbol të forcës e bashkimit, shmangu konfliktin mes shqiptarëve për të ndriçuar rrugën e kombit.

Ndonëse me shpalljen e pavarësisë në Vlorë nuk morën fund dhimbjet e vuajtjet e shqiptarëve, megjithatë u vendosën bazat e shtetit të parë kombëtar, që nga epoka e artë e Skënderbeut. Në vorbullën e kohës shqiptarët dolën të lodhur e të dërrmuar dhe me më shumë se gjysmën e territorit të pushtuar nga vendet fqinje. Lufta për çlirim e bashkim vazhdoi edhe për dekada me radhë dhe një luftë e tillë nuk ka përfunduar ende”, tha ndër të tjera Latifi.

Ndërkaq, kryetari i degës së OVL të UÇK në Rahovec, Vajdin Berisha, theksoi përpjekjet e mëdha të brezave, që nga epoka e artë e Skënderbeut dhe deri në ditët tona, kur më 28 nëntor doli në skenë UÇK, që e udhëhequr nga komandanti i lavdishëm Adem Jashari, që rastisi të lindë pikërisht në këtë datë. Më pas Berisha përkujtoi se ndjenja e krenarisë kombëtare i udhëhoqi edhe luftëtarët e UÇK-së, të cilët me vetëmohim të pashoq i qëndruan përballë armikut shekullor të shqiptarëve.

Në fund u shfaq një program i pasur artistik nga nxënës të shkollës së mesme “Xhelal Hajda-Toni” dhe shoqëritë artistike “Bajram Curri” nga Krusha e Madhe dhe “Anadrini” nga Dejni.

Aktivitete festive ka pasur edhe në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të komunës së Rahovecit./PrizrenPress.com/

Më Shumë

Flaka Loxha e bronztë në Sofia European Open 2026

Xhudistja Flaka Loxha ishte e lirë në xhiron e parë, kurse në të dytën mposhti me Ippon, Silvia Pellitteri nga Italia. Në çerekfinale ajo humbi...

Kërkohet paraburgim për katër komisionerë dhe një kryesues të KKZ të Prizrenit

Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se ka pranuar kërkesat e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë personave. Sipas njoftimit, bëhet fjalë...

Lajmet e Fundit