13.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Kremtohet 28 Nëntori, 101 flamuj kombëtar në qendër të Rahovecit

Rahovec-101flamujFestat kombëtare të nëntorit në Rahovec kanë nisur të kremtohen me ngritjen simbolike të flamurit kombëtar në kompleksin përkujtimor “Maja e Shkodranit” nga kryetari i komunës Smajl Latifi dhe disa familjarë të dëshmorëve. Me këtë rast Latifi tha se në këtë vend ne ndjejmë peshën e madhe të përgjegjësisë qytetare e shtetërore që kemi ndaj vlerave kombëtare, sidomos ndaj atyre që flijuan për lirinë e trojeve shqiptare. “Ngritja e një përmendoreje në tipin e një kalaje dëshmon për qëndresën heroike të dëshmorëve Mizair Isma, Bekim Isma, Eshrafedin Kastrati dhe dëshmorit nga Shkodra Arian Brahimi, të cilët u bënë simbol i qëndresës së popullit tonë në betejën për Rahovecin në korrik të vitit 1998″, tha ai.

Më pas janë bërë homazhe dhe janë vendosur kurora lulesh në varrezat e dëshmorëve në Rahovec, ndërsa pranë qendrës së kulturës “Mensur Zyberaj” janë vendosur 101 flamuj kombëtar, në shenjë simbolike për 101 – vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Në ceremoninë festive të organizuar në sallën e qendrës së kulturës kryetari i komunës Smajl Latifi tha se, për arritjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe vënien e themeleve të shtetit kombëtar, janë bërë luftëra të shumta dhe në altarin e lirisë kanë rënë shumë luftëtarë, ndaj të cilëve ne ndjejmë detyrim të përhershëm.

“Sot e përjetësisht, ju japim mirënjohje burrave që ndritën historinë e mbarë atdheut. Mirënjohje të gjithë atyre që me gjak, djersë e mund i mbajtën të forta themelet e Atdheut.

Ne të gjithë jemi krenar që paraardhësit e kësaj toke patën gjithë vullnetin dhe vendosmërinë për të ndryshuar rrjedhën e historisë dhe për t’i dhënë kombit pavarësinë e munguar me shekuj. Aty nisi fuqishëm ndërtimi i identitetit tonë kombëtar dhe ngritja e flamurit në Vlorë, si simbol të forcës e bashkimit, shmangu konfliktin mes shqiptarëve për të ndriçuar rrugën e kombit.

Ndonëse me shpalljen e pavarësisë në Vlorë nuk morën fund dhimbjet e vuajtjet e shqiptarëve, megjithatë u vendosën bazat e shtetit të parë kombëtar, që nga epoka e artë e Skënderbeut. Në vorbullën e kohës shqiptarët dolën të lodhur e të dërrmuar dhe me më shumë se gjysmën e territorit të pushtuar nga vendet fqinje. Lufta për çlirim e bashkim vazhdoi edhe për dekada me radhë dhe një luftë e tillë nuk ka përfunduar ende”, tha ndër të tjera Latifi.

Ndërkaq, kryetari i degës së OVL të UÇK në Rahovec, Vajdin Berisha, theksoi përpjekjet e mëdha të brezave, që nga epoka e artë e Skënderbeut dhe deri në ditët tona, kur më 28 nëntor doli në skenë UÇK, që e udhëhequr nga komandanti i lavdishëm Adem Jashari, që rastisi të lindë pikërisht në këtë datë. Më pas Berisha përkujtoi se ndjenja e krenarisë kombëtare i udhëhoqi edhe luftëtarët e UÇK-së, të cilët me vetëmohim të pashoq i qëndruan përballë armikut shekullor të shqiptarëve.

Në fund u shfaq një program i pasur artistik nga nxënës të shkollës së mesme “Xhelal Hajda-Toni” dhe shoqëritë artistike “Bajram Curri” nga Krusha e Madhe dhe “Anadrini” nga Dejni.

Aktivitete festive ka pasur edhe në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të komunës së Rahovecit./PrizrenPress.com/

Më Shumë

Mbi 2 mijë patentë shofer të konfiskuar për tre muaj: Mbi 5 mijë shoferëve u janë vendosur pikët negative

Policia e Kosovës ka njoftuar se përgjatë periudhës kohore Janar – Mars të vitit 2024, 2mijë e 223 shoferëve u është konfiskuar patentë shoferi. Derisa...

Katër vite pa aktorin Rikard Ljarja

Aktori Rikard Ljarja lindi më 1 prill 1943 në Shkodër. Në vitin 1960 mbaroi maturën dhe në vitin 1965 u diplomua në Shkollën e...

Lajmet e Fundit