PDK-ja dhe Hashim Thaçi mund ta kenë shansin që për herën e parë të provojnë të bëjnë Qeverinë e re, por një shans të tillë duket se nuk do ta kenë kur është fjala për kryeparlamentarin, raporton KTV.
Blloku politik, i bërë bashkë pas zgjedhjeve, nuk do t’ia falë minutat më PDK-së së Hashim Thaçit.
Derisa PDK-ja vazhdon të insistojë se kreu i Kuvendit do t’i takojë asaj si partia që ka grupin më të madh parlamentar në Kuvend, blloku politik paszgjedhor ka bërë plane edhe për këtë çështje.
Ata planifikojnë që deri në fund ta realizojnë marrëveshjen e tyre të arritur vetëm një ditë pas zgjedhjeve dhe LDK-së t’i takojë kryeparlamentari.
Në ditën kur do të konstituohet Kuvendi, deputetët e partive që synojnë t’i marrin gjithçka nga duart Hashim Thaçit, planifikojnë të regjistrohen si një grup i vetëm parlamentar dhe kështu edhe në këtë rast do ta mundin PDK-në.
Driton Selmanaj, nga KDI-ja, thotë se pavarësisht insistimeve të PDK-së, kësaj çështje i ka dhënë përgjigje kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit.
Ai thotë se çështje të tilla edhe po të dëshironte t’i komplikonte dikush, do të ishte e vështirë të komplikoheshin sepse kushtetuta e thotë qartë.
Ndërkohë, Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike e Politike, thotë se ngërçi i parë politik do të shihet pas konstituimit të Kuvendit.