Partia e Drejtësisë Turke e Kosovës (KTAP) do të përpiqet që të përmirësojë imazhin e dëmtuar të Kosovës në Turqi nga ajo që zyrtarët e kësaj partie e cilësojnë si politikë të gabuar të Partisë Demokratike Turke të Kosovës, që udhëhiqet nga Mahir Jagcillar, ka theksuar drejtuesi i KTAP-së në Prizren, Xhemil Luma.
Ai ka thënë se synimi i partisë së tyre që është formuar tash është që të ndërpresë politikën e çuarjes së informatave jo të vërteta në Turqi për zhvillimet në Kosovë.
“Pikësëpari ne jemi kosovarë dhe duam që të japin kontribut për zhvillimin e gjithanshëm të vendit. E jo të jemi pengesë, siç ka qenë për 13 vjet Jagcillar dhe deputetët e partisë së tij”, ka thënë Luma, për Telegrafin.
Ai ka shpjeguar se kanë planifikuar shtatë degë, në Prizren, Mamushë, Prishtinë, Vushtrri, Gjilan, Janjeva dhe Mitrovica.
Ndërkohë, të martën pritet të mbahet Kuvendi.
“Listat janë duke u bërë. Edhe vet ne nuk kemi besuar se do të kemi një sukses të tillë për një kohë të shkurtër. Është sukses që për një muaj e gjysmë të formohemi dhe të përgatitemi për të marrë pjesë edhe në zgjedhjet lokale”, ka thënë Luma.
Ai ka theksuar se deri tash nuk kanë planifikuar që të lidhin ndonjë koalicion me ndonjë parti. “Është i rëndësishëm zhvillimi ekonomik. Cila parti i hap dyert dhe i pranon programet tona, ne do të jemi të gatshëm që të përkrahim”, ka thënë Luma.
Subjekti i ri politik i komunitetit turk të Kosovës është formuar së fundi, pas një përplasjeje me partinë KDTP, e cila udhëhiqet nga Jagcilar. Aktualisht, partia udhëhiqet nga Arif Butuc, kryetar i Komunës së Mamushës, e populluar nga banorë të komunitetit turk.