0.2 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kujtohet Tahir Berisha, mësuesi i orëve të para të arsimit

Tahir Berisha-kujtohetShoqata e veteranëve të arsimit të Kosovës, ka mbajtur sot një akademi përkujtimore, në Prishtinë në nderim të jetës dhe veprës së veteranit të arsimit

Veterani i arsimit shqiptar në Kosovë, Tahir Berisha, ka vdekur ditë më parë, mirëpo ai vazhdon të kujtohet me mall nga miq, arsimtarë, kolegë dhe veprimtarë të cilët vazhdojnë ta ndjekin kauzën e tij, për një arsim sa më cilësor në vend. Për ta nderuar jetën dhe veprën e Tahir Berishës, Shoqata e veteranëve të arsimit të Kosovës, ka mbajtur sot një akademi përkujtimore, në Institutin Albanologjik në Prishtinë, ku e kanë cilësuar mësuesin Berisha, korife i arsimit shqiptar.

Si 16 vjeçar, Tahir Berisha, mori pjesë aktive në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare (LANÇ), kurse dy vite më vonë ai u emërua mësues në Zarbicë të Bujanocit të Luginës së Preshevës. Veprimtarinë arsimore e vazhdoi si arsimtar në gjimnaz, ku u emërua drejtor i Shkollës së Mesme Ekonomike dhe drejtor i Entit Arsimor Pedagogjik në Gjilan. Në vitin 1956, gjatë aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve u përjashtua nga mësimi si “i papërshtatshëm politikisht”. Pas Plenumit të Brioneve dhe rënies së Rankoviqit, më 1966, rehabilitohet dhe i rikthehet arsimit ku punoi si inspektor dhe kryeinspektor i arsimit si dhe sekretar shumëvjeçar i Shoqatës së Veteranëve të Arsimit të Kosovës.

Për të evokuar jetën dhe veprën e publicistit të një varg studimesh monografike kushtuar edukimit dhe arsimit në trojet shqiptare, përballë miqve dhe familjarëve të Berishës, kanë folur profesorët Vehap Shita, Xhevat Koshi, Mehmet Halimi dhe dy nga anëtarët e familjes së tij, Mujë Berisha dhe djali Gëzim Berisha.

Njëri ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë, kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Lëvizjes Antifashiste Nacional Çlirimtare, Vehap Shita, duke lavdëruar me pietet veprën e mësuesit nga Verbani i Vitisë, ka theksuar se, Tahir Berisha si njëri nga themeluesit e parë të LANÇ-së, nuk u nda kurrë nga përpjekjet për zhvillimin dhe lirimin e popullit paqedashës të Kosovës.

“Si fshatar i Verbanit dhe si luftëtarë dhe dashamirës nga Anamorava, ai e vazhdoi punën gjithmonë, në ecejaket e veta ku mori pushkën për t’i dal zot atdheut para çdo pushtuesi të Kosovës. Tahir Berisha, la pas vete një punë kolosale kushtuar arsimit kombëtar pikërisht me librin “Emra që nuk harrohen – Arsimtarët veteranë (1941 – 1951) dhe arsimi shqip në Kosovë”. Emri i tij do të jetë i përmendur në historinë e arsimit të vendit tonë”, ka deklaruar Shita, transmeton Kultplus.

Ndërkohë,përfaqësuesi i Shoqatës së veteranëve të Arsimit të vendit, prof. dr. Xhevat Koshi, ka thënë se me punën e tij, mësuesi nga Vitia, dëshmoi vlerat e larta që i siguroi pavdekshmërinë dhe respektin e përhershëm në historiografinë e arsimit shqiptar.
“Ky mësues i orëve të para të arsimit kombëtar të Kosovës së ndrydhur nga ferri i dendur që kishte pllakosur atë dhe popullin e saj, me tërë qenien e tij, Tahir Berisha, është vënë në shërbim të popullit për të nxjerrë në dritë vendin e vet. Me veprat të cilat ai i botoi, udhëtoi së bashku me kolos të arsimit shqiptar në binarët e nderit të arsimimit të vendit.”, është shprehur Koshi.

Kurse, ish-nxënësi i Berishës, akademiku Mehmet Halimi, ka thënë se mësuesi i tij mbetet korifeu i arsimit shqiptar. Ai ka thënë se nëse din të flasësh do të thotë të dish të edukosh, kurse të dish të japësh arsimim thuhet se do të jesh i pavdekshëm, duke aluduar kështu në veprimtarinë e mësimdhënësit të tij.

“Lajmi mori dhenë se profesori dhe pishtari i dritës Tahir Berisha, ndërroi jetë dhe po ndahet vetëm fizikisht prej nesh. Ky lajm i papritur jehoi dhembshëm duke trazuar zemrat tona, sepse në trojet shqiptare u shkul një lis i madh që bënte hije për një popull që e donë edukimin dhe arsimimin. Unë pata fat të madh që prijatar dhe udhërrëfyes të arsimimit tim, kisha prof. Tahir Berishën. Kujtimi dhe ngushëllimi ynë për të është vepra më madhore e tij në shërbim të popullit dhe të atdheut të vet.”, ka pohuar Halimi.

Për të thënë disa fjalë rreth veprës së Berishës, folën edhe dy familjarët e tij, djali Gëzim Berisha si dhe nipi i tij Mujë Berisha, të cilët kujtuan disa thënie të mësuesit tashmë të ndjerë nga Viti, që iu kishte thënë në momentet me kritike nëpër të cilën kalonte Kosovë gjatë kohës së luftës.

Tahir Z. Berisha ka lindur në Vërban të Vitisë më 1928. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse Shkollën e Lartë Pedagogjike (Gjuhë Shqipe dhe Letërsi) dhe Fakultetin Filozofik në Shkup. Gjatë shërbimit aktiv dhe më vonë vazhdimisht është marrë me shkrime letrare e publicistike. Përveç shumë artikujve publicistikë dhe punimeve të tjera profesionale, deri më tash ai ka botuar dhejetra vepra si, “Monografia e Shkollës së Mesme Ekonomike në Gjilan, “Nova Makedonija”, Shkup 1961”; “Emra që nuk harrohen – Arsimtarët veteranë (1941 – 1951) dhe arsimi shqip në Kosovë, Vëllimi I, Prishtinë 1994” e shumë vepra të tjera. Këto veprat pas botimit janë promovuar në Prishtinë, Preshevë, Shkup, Tiranë, Elbasan, Stamboll, Gllasgou të Skocisë dhe në Londër. Disa ekzemplarë të këtyre librave gjenden në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Prishtinës dhe në disa biblioteka me renome ndërkombëtare.

Më Shumë

Fest 63 – Mbyllet nata e parë! Spektakël, mesazhe të fuqishme sociale. Publikohet juria

Nata e parë e Festivalit të 63të të këngës në RTSH, ka ulur perden, pasi për afro 3 orë e 30 minuta Fest 63 shfaqi...

Kurti: Po punohet për ngritjen e standardit të jetesës për romët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi, deputeti Ergjan Galushi, morën pjesë në aktivitetet kulturore kushtuar gjuhës dhe kulturës Rome. Kryeministri...

Lajmet e Fundit