19.2 C
Prizren
E martë, 29 Prill, 2025

Kultura është një ngrehinë që po shembet

Në rubrikën e rregullt të së shtunës “Jepi Zërit”, kësaj radhe prezantojmë gazetarin, publicistin dhe shkrimtarin Blendi Fevziu, i njohur me emisionin “Opinion” në TV Klan të Shqipërisë.

Në vitin 1989 ka qenë pjesë e stafit te gazetës Studenti në Universitet. Me dhjetor 1990 dhe shkurt 1991 ka qene pjesëmarrës aktiv i Lëvizjes Studentore që solli ndryshimin e regjimit në Shqipëri.
Në 5 janar 1991 ka qenë bashkëthemelues i gazetës Rilindja Demokratike, organi i pare i shtypit te lire pas thuajse 70 vitesh në Shqipëri.

Është autor i disa librave të karakterit publicistik dhe letrar.

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

A kam të drejtë? Më duket gjithnjë pyetja më e vështirë edhe pse përgjigja nuk është gjithnjë e njëjtë!

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Thuajse 14 orë me një agjendë shumë të ngjeshur dhe me 3 orë dedikuar vajzës midis. Pjesa tjetër është vrapim jo udhëtim i thjeshtë. Atë ditë që do ndal vrapin do kenë ndalur edhe gjithë gjërat e mia.

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Ka shumë. Dhe modele shumë të ndryshme. Në vitet e fëmijërisë kujtoj, Ivan Turgenjevin. Më pas Dino Buzatin. Midis tyre e përherë Ismail Kadarenë. Nuk mund të them që të pashlyeshme mbeten “Lufta edhe Paqa” apo “Të mjerët”. Besoj se letërsia nuk do ketë më kurrë kryevepra të tilla. 10 vitet e fundit më ka impresionuar Khaled Hysein apo Orhan Pamuk. Nuk do të lija kurrë mënjanë “Komedianët” e Graham Grinit.

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Mundohem ta mendoj sa më pak dhe ta kursej veten nga pyetjet ekzistenciale? Ku jam, ku po shkoj? A është kjo rruga për ku isha nisur?

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Nëse më pyet në Shqipëri e Kosovë të them vetëm që është një ngrehinë që po shembet. Pak vetë banojnë aty brenda nga frika se mund të zërë brenda çatia e rrënuar. Në botë po ndryshon kuptim dhe mision.

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Dje ishte shumë keq. Sot është ok. Shpresoj që nesër të jetë më mirë. Nëse njeriu nuk mendon që nesër do jetë më mirë, ka humbur thelbin e ekzistencës së tij.

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Po qëndroj në Shqipëri. “Epika e Yjeve të mëngjesit” e Edison Gjergos. “Jon” e Ardit Gjebresë dhe padyshim “Parrullat” e Gjergj Xhuvanit.

P.S.

Fragmente nga një letër emocionuese e Blendi Fevziut për shkrimtarin Dritëro Agolli

Agolli i takon së bashku me Ismail Kadarenë, Fatos Arapin dhe disa të tjerë, një brezi shkrimtarësh që transformuan krejtësisht letërsinë shqipe të bukosur nga socrealizmi dhe mediokriteti i viteve 40 – 50. Siç ndodh me brezat që shkëlqejnë papritur dhe gjatë, ky brez, vijoi të dominojë krijimtarinë letrare shqiptare me dekada. Sot mund të themi pa ndonjë sforcim se këta emra vijojnë të mbeten ikonat e letërsisë shqipe dhe emrat më të lexuar në Shqipëri, por edhe shqiptarë jashtë kufijve tanë.

Si të gjithë njerëzit që jetuan, punuan dhe krijuan në diktaturë, Agolli ka pasur dhe do ketë gjithnjë kontestimet dhe kritikët e tij. Kritikat si kanë munguar në vite dhe ai është përgjigjur gjithnjë vetë. Por sot, 26 vjet pas rënies së atij regjimi, mund të thuhet se Agolli nuk ka qenë kurrë as një fanatik dhe as një militant i atij regjimi. Siç shprehet edhe Kadare në kujtimet e tij, Agolli ishte nga ata njerëz që shumë herët fliste kundër regjimit, që i njihte dhe kritikonte format represive të tij. Por çdo gjë matet me vepra dhe politikisht Agolli ka lënë një vepër të cilës i referohemi gjithnjë. Në Qershor 1991, ai ishte i pari dhe i vetmi që u ngrit publikisht kundër kultit të Enver Hoxhës në Kongresin e X të PPSH. Gjesti dhe shikimi i tij ndërsa salla reagonte kundër, janë fiksuar tashmë në historinë e Shqipërisë.

E kam njohur mjaftueshëm Dritëro Agollin, por asnjëherë deri në atë pikë sa të mund të flas saktësisht për të si për një mik. Ishte njeri i gjallë, një dashnor i madh i pijes dhe i jetës. Një njeri që donte të jetonte; që vdekjen edhe në librat e tij e paraqiste si një të keqe që do dinte ta dehte në ditën që do ti dilte përballë. Ajo që i binte gjithnjë në sy ishte tallja me teprimin. I mëshironte budallenjtë, por si duronte dot megallomanët. I pëlqenin ata që i flisnin për veprën e tij, por e lodhnin ata që thurnin ditirambe. Ndërsa lexoja mbrëmë statuset e fryra në rrjetet sociale isha gati i bindur që nëse do kishte mundësi t’i shihte; nëse një sekondë të vetme do rikthehej në këtë jetë gjeja e parë që do bënte ishte ironia me veten. Do t’i thurte vetes dy tre rreshta për ta çtensionuar situatën që me aq mjeshtri shumica dinë ta tensionojnë.

Por padyshim ai s’mund të bëjë asgjë nga këto. Ai iku, ashtu siç jetoi. Një njeri i lirë dhe buzagaz. Iku duke lënë pas një vepër dhe një boshllëk. Po atë boshllëk që lë ikja e çdo intelektuali në këtë vend që njerëzit e zot i ka kaq të rrallë. Iku duke marrë me vete protagonizmin e 60 viteve. Iku ashtu si një personazh i mrekullueshëm i tiji, Kapedani tek novela: “Lamtumirë kapedani im”. Ndaj, nuk gjej asnjë frazë më të mirë për të shoqëruar udhëtimin e tij në atë botë për ku u nis dje, veç duke përsëritur sërish fjalët e tij:

“Lamtumirë kapdani im”

Më Shumë

Vidhen tabelat sinjalizuese në tri zona kufitare me Shqipërinë

Policia e Kosovës ka raportuar tri raste të vjedhjes së tabelave sinjalizuese që shënojnë zonat kufitare për banorët lokalë. Persona të panjohur kanë vjedhur tabelat...

Sonte në Prizren, Bashkimi dhe Peja e vazhdojnë serinë gjysmëfinale

Rivaliteti historik mes Bashkimit dhe Pejës do të ndizet sërish sonte në Prizren, në përballjen vendimtare për avantazhin e serisë gjysmëfinale të playoff-it të...

Lajmet e Fundit