14.8 C
Prizren
E diel, 29 Shtator, 2024

Kur nisi DokuFest, nisi me vetëm 2500 marka

Kështu ka treguar drejtori i Festivalit më të njohur në rajon, Veton Nurkollari i cili në kuadër të Forumit BarCamp ka treguar për vullnetin e këtij ekipi për themelimin e këtij festivali. Por, sipas tij, ky vullnet të mban vetëm në fillet e një nisme, por jo pa financa mund të organizohet më pas edhe një festival i madh sikurse është sot DokuFest

Forumi BarCamp Prishtina filloi me sezonin e tij të ri, me c`rast në edicionin e tij të 31-të, i cili u mbajt pasditen e së martës në Teatrin Oda u diskutua rreth asaj që kërkohet për të organizuar një festival të suksesshëm në vendin tonë, çfarë vlera shpalosin dhe sjellin ato, si dhe si priten këto festivale në Kosovë.

Të ftuar në këtë forum diskutimi ishin Veton Nurkollari dhe Eroll Bilibani nga DokuFest, Rron Bajri nga Anibar dhe Rafet Rudi nga ReMusica. Në formë rrethi i formuar nga ulëset e mbushura me të interesuar kishin ardhur për të dëgjuar diskutimet dhe këshillat se si të organizohet një festival i suksesshëm në vendin tonë ku kushtet ekonomike ta vështirësojnë gjithnjë rrugën e suksesit, e të cilët ishin të gjithë veshë për të dëgjuar sa më mirë për atë se çfarë po thuhej.

I pari që hapi BarCamp të këtij edicioni ishte drejtori artistik i DokuFest-it, Veton Nurkollari. Ai para të pranishmëve tregoi eksperiencën e tij me edicionin e parë të DokuFest, duke treguar vështirësitë e shumta që kishte hasur në atë kohë. Ai tha se ideja e themelimit të një festivali siç është edhe DokuFest ka lindur nga kinemaja e braktisur në atë kohë, kinemaja “Lumbardhi”.

“Në vitin e parë të hapjes së DokuFestit krejt çka kemi pas nga mjetet financiare kanë qenë 2 mijë e 500 marka të asaj kohe, mirëpo vullnetin dhe besimin e kemi pasur shumë të madh”, filloi të tregoj rrugëtimin e DokuFestit, drejtori artistik i këtij festivali, Veton Nurkollari.

“Nëse keni vullnet dhe dëshirë dhe jeni një grup i vogël apo sado persona që jeni, dhe besoni në atë që doni të filloni atëherë nuk ka asgjë që nuk mund të bëhet. Gënjeshtra janë ato që thuhet se pa para nuk mund të bëhet asgjë, ne jemi dëshmitarë që së paku tre vitet e para të DokuFest kemi realizuar pa para. Është e kuptueshme që pa të holla nuk mund të realizojmë një festival siç është tani DokuFest-i, mirëpo mund të fillohet diçka për tu rritur gjatë viteve”, tha Nurkollari.

Sipas tij, ëndrra e parë e gjithë secilit mund të realizohet edhe pa para.Ndërsa drejtori i përgjithshëm i DokuFest, Eroll Bilibani tregoi se tani DokuFest-i ka të angazhuar 18 punëtorë që merren me organizimin e tij gjatë gjithë vitit, po ashtu falë festivalit në fjalë, në qytetin e Prizrenit gjatë gjithë kohës është funksionale Dok Kino që është kinemaja e dytë në Kosovë.

Gjithashtu edhe drejtori i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Bashkëkohore ReMusica, Rafet Rudi, në këtë forum foli rreth sfidave që mbizotërojnë në Kosovë sa i përket organizimit të festivalit, mirëpo edhe mundësitë që ekzistojnë për zhvillimin e muzikës klasike, promovimin e krijimtarisë së re muzikore shqiptare, si dhe evidentimin e talenteve të reja nga perspektiva e krijuesit.

“Festivali ReMusica është festival i muzikës moderne, muzikës bashkëkohore. Është interesante nisja e festivalit, ka shumë momente që e kanë determinuar dhe e kanë përcaktuar festivalin, gjithsesi vendimtare dhe një pikënisje ka qenë se unë si muzicientë gjatë jetës jam marrë me shkrime, dhe gjatë interesimeve të mija që kanë qenë tash e tri decenie gjithnjë ka qenë arti modern dhe muzika bashkëkohore, natyrisht kjo për shkak se unë jam krijues por edhe për shkak se rrethanat kanë qenë të tilla në fillimin e moshës së re, që unë disi të njihem me festivale, e sidomos me festivale të muzikës moderne”, kështu filloi të tregoj për fillimet e Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Bashkëkohore ReMusica, drejtori i këtij festivali Rafet Rudi.

Gjithashtu edhe drejtori Artistik i Anibar, Rron Bajri, tregoi më shumë rreth sfidave që dalin nga organizimi i festivalit të vetëm për film të animuar në Kosovë. “Anibar”, mbahet ne muajin gusht në qytetin e Pejës. Ai tregoi se qëllimi i festivalit është shfaqja e trendeve të fundit botërore në lëmin e filmit të animuar për publikun kosovar dhe krijimi i ambientit për autorët e rinj të cilët merren me krijimtarinë e filmave të animuar./KultPlus.com

Më Shumë

Berat Duraku shpallet “Man of the Festival” për Hardh Fest 2024

Në kuadër të edicionit të sivjetshëm të Hardh Fest 2024, Bordi i Drejtorëve të OJQ-së “Hardh Fest”, i kryesuar nga Agi Haxhimurati, shpalli Berat...

Arrestohen tre persona në Malishevë për të shtëna me armë në një aheng familjar

Janë arrestuar tre persona në Malishevë, pasi të njëjtit dyshohet se më 18 gusht kishin shtënë me armë zjarri në një aheng familjar. https://prizrenpress.com/kabashi-truck-shet-kamiona-te-punes/ Policia ka...

Lajmet e Fundit