7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Kur do të ketë liberalizim të vizave, punësime sezonale,…?

BekimCollaku-keshilltarRepublika e Kosovës, sa i përket liberalizimit të vizave, ka përfunduar me sukses shumë prej “detyrave të shtëpisë” që Komisioni Evropian kishte caktuar në Udhërrëfyesin për Liberalizim të Vizave. Kështu ka deklaruar ministri i Integrimeve Evropiane (MIE), Bekim Çollaku.
Ai në një intervistë për Telegrafin ka thënë se nuk mund të thotë se kur institucionet e Bashkimit Evropian (BE) do ta marrin vendimin për liberalizimin e vizave.

Megjithatë, sipas tij, e rëndësishme është që institucionet e vendit të fokusohen në përfundimin e shpejtë dhe të suksesshëm të kritereve, duke u siguruar kështu që reformat e ndërmarra të kenë rezultatin e vetë në zvogëlimin e migrimit të parregullt.

Çollaku në këtë intervistë flet edhe për atë se sa e dëmton migrimi i parregullt imazhin e Kosovës, përkatësisht se kush është përgjegjës pse kosovarët po ia mësyjnë vendeve të zonës “Shengen”, në kërkim të një jete më të mirë, si dhe për mundësitë që Republika e Kosovës të nënshkruaj marrëveshje me disa prej vendeve të BE-së, që kosovarëve t’iu mundësohet punësimi sezonal nëpër këto shtete.

Telegrafi: Ku është Kosova në procesin e liberalizimit të vizave, sa janë kryer me sukses detyrat e shtëpisë. Cilat kritere i keni përmbushur deri më tani, e cilat jo?

Bekim Çollaku: Kosova është në një pikë kthese dhe vendimtare për sa i përket procesit të integrimit Evropian. Ne presim që sivjet të konkretizohet perspektiva evropiane për Kosovën, që për ne, në këtë moment nënkupton dy gjëra: e para, Kosova dhe Bashkimi Evropian të futen në marrëdhënie kontraktuale ndërsa e dyta nënkupton që bazuar në rezultatin e përmbushjes së kritereve të parapara nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave, presim që BE-ja të merr një vendim pozitiv dhe të merituar për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Sa i përket liberalizimit të vizave, i cili ka dy vite që ka filluar, janë përfunduar me sukses shumë prej detyrave të shtëpisë që Komisioni Evropian kishte caktuar në Udhërrëfyes. Të gjitha institucionet përgjegjës në adresimin e kërkesave të udhërrëfyesit po bashkëpunojnë duke trajtuar këtë çështje si prioritet të lartë shtetëror.

Ajo çfarë kemi bërë në përputhje me kërkesat nga udhërrëfyesi, në aspektin teknik, kemi rritur kontrollin dhe sigurinë në kufi, kemi vendos një sistem të avancuar për sa i përket sigurisë për dhënien e vizave të Kosovës, kemi ndryshuar në thelb fushat e riatdhesimit dhe riintegrimit të azilkërkuesve, kemi rritur sigurinë e dokumenteve…. Ndërsa në aspektin legjislativ e gjithë korniza ligjore është përmirësuar thellësisht.

Sidoqoftë, mbesin disa çështje që kërkojnë vëmendje të shtuar në javët në vazhdim në mënyrë që plotësisht të përmbushen kriteret teknike.

Këto punë të mbetura, nuk janë të shumta, ato janë të identifikuara dhe secili institucion ka vendosur afate të qarta kohore për përmbushjen e tyre.

Si shembuj mund të përmendi që kanë mbetur disa ligje që duhen amandamentuar që kanë të bëjnë me Gjyqësorin dhe me të Drejtat e Njeriut, si dhe Ligjin për Përgjime Elektronike. Gjithashtu priten edhe miratimi i disa rregulloreve që ndërlidhen me çështje të rendit dhe sigurisë publike.

Ndërsa nga hapat konkret, mbetet përfundimi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, përfundimi i procedurave të prokurimit dhe furnizimit me certifikata në bazë të sistemit të ri për gjendjen civile, etj. Të gjitha pjesët e mbetura janë evidentuar dhe janë vënë afate realiste për t’i përfunduar.

Telegrafi: Për kohën se kur kosovarët do të udhëtojnë pa viza nëpër vendet e Shengenit, janë dhënë shumë data, por që asnjëra nuk ka rezultuar të jetë e saktë. Kur do të ndodhë realisht liberalizimi i vizave?

Bekim Çollaku: Që në fillim të mandatit tim kam thënë se nuk do të kufizoj punën tonë mbi bazën e afateve kohore, dhe as nuk dua të jem optimist, e as pesimist në këtë drejtim.

Nuk mund të themi mënyrë arbitrare se kur do të vendosin institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare të BE- të marrin vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, sepse ky është një vendim i tyre.

Çfarë na mbetet ne është të fokusohemi në përfundimin e shpejtë dhe të suksesshëm të kritereve dhe të sigurohemi që reformat e ndërmarra kanë rezultatin e vetë në zvogëlimin e migrimit të parregullt.

Telegrafi: Qytetet e Kosovës vazhdimisht po zbrazen nga qytetarët (kryesisht të rinjtë), që po kërkojnë një jetë më të mirë nëpër vendet e BE-së. Sa e ka dëmtuar kjo imazhin e Kosovës dhe rrugën e saj integruese në BE?

Bekim Çollaku: Këtu më lejoni t’i theksoj dy gjëra. E para, në lidhje me faktet që ndërlidhen me problematikën e migrimit. Është e vërtetë që ka një rritje të dukshme në vitin 2014, si dhe në fillim të këtij viti, mirëpo është ekzagjerim të thuhet që po zbrazen qytetet. Kjo nuk do të thotë që nuk e shohim si problem, është në fakt një problem mjaft i madh që meriton vëmendje edhe përkushtim të fuqishëm të të gjitha institucioneve dhe organeve përgjegjëse. Por, nuk duhet të lejojmë që t’i qasemi këtij problemi me të dhëna jo-zyrtare, në bazë të asaj që po dëgjojmë.

Nuk duhet të harrojmë që një pjesë e madhe po kthehen në Kosovë pasi përjetojnë vetë trajtimin që ju bëhet, kushtet në qendrat e mbajtjes, si dhe faktit që nuk është se një vend punë po i pret ata në momentin që arrijnë në ndonjërin prej vendeve të BE-së. Pra, migrimi i parregullt nuk është zgjidhje për qytetarët, dhe nuk është zgjidhje për askënd në Kosovë.

Zgjidhja është zhvillimi ekonomik i vendit, hapja e vendeve të reja të punës, përmirësimi i cilësisë në arsim, përmirësimi i shërbimeve shëndetësore dhe publike, dhe kjo nuk është përgjegjësi ekskluzive e qeverisë, këtu duhet të gjithë të bashkëpunojmë që shtetin tonë ta shndërrojmë në një vend të denjë për të jetuar.

Ndërsa sa i përket pjesës së dytë të pyetjes tuaj, po kjo padyshim se po e dëmton imazhin e vendit, dhe se po vë dyshime tek partnerët tanë evropian për efektet që mund t’i ketë liberalizimi eventual, pra po e dëmton rëndë kredibilitetin e reformave që i kemi ndërmarrë deri më tani. Por unë jam optimist se ky trend i migrimit të parregullt do të filloj të reduktohet.

Telegrafi: Zakonisht për migrim ilegal të kosovarëve, faji i është faturuar profiterëve dhe njerëzve dashakëqij, por rrallë institucioneve të vendit. A duhet që institucionet të jenë më vetëkritike në këtë drejtim dhe të sqarojnë se ata janë fajtorët kryesorë pse qytetarët po migrojnë ilegalisht?

Bekim Çollaku: Nuk ka dyshim që nëse dikush po përfiton nga migrimi i parregullt i qytetarëve janë trafikantët, mirëpo siç e kam thënë edhe në takimin e fundit të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, migrimi i parregullt është problem kompleks që nxitet dhe lehtësohet nga një gamë e gjerë e faktorëve.

Qytetaret që po migrojnë nuk po e bëjnë këtë vetëm dhe pa ndihmën e askujt. Kjo do të thotë që institucionet e rendit duhet të adresojnë në mënyrë më efektive problemin me personat dhe grupet që janë duke e organizuar apo ndihmuar migrimin e parregullt të qytetarëve. Fakti që kemi parë një ngritje të numrit të migrimit të parregullt në një periudhë relativisht të shkurtër, tregon në faktin që ekziston një organizim.

Debati për fajin nuk do të na dërgoj askund. Duhet të punojmë më shumë, sidomos në rritjen e mundësive për qytetarët dhe përkrahjen prej anës së qeverisë të programeve që synojnë përmirësimin e gjendjes socio-ekonomike.

Është përgjegjësi e jona që ti informojmë drejt qytetarët që mendojnë të përdorim rrugët ilegale për migrim, se çfarë i pret në mënyrë që të mos bien pre e kontrabandës dashakeqe të promovuar nga trafikantët.

Telegrafi: A pritet ndonjë marrëveshje në mes Kosovës dhe vendeve te BE-së, për punësim sezonal, nëse po, kur do të finalizohen ato marrëveshje. Cilat janë shtetet që kanë shprehur gatishmëri për t’i pranuar kosovarët si punëtor sezonal?

Bekim Çollaku: Jemi duke e ngritur këtë temë në takimet bilaterale me përfaqësues të vendeve të BE-së. Nëse do të kemi sukses në këtë drejtim, kjo do të jetë diçka që do të ndihmoj, por na duhet më shumë kohë të punojmë në këtë drejtim. Unë i siguroj qytetarët se do të bëjmë maksimumin për të kërkuar mundësi të tilla. Mirëpo e theksoj prapë se kjo është njëra nga shumë masat që mund të ndërmerren me qëllim zbutjen e problemit të migrimit të parregullt, por zgjidhja e vërtet është brenda Kosovës, jo jashtë.

Telegrafi: Cilat janë vendet e zonës Shengen, ku kosovarët po ia mësyjnë më tepër për të kërkuar azil, dhe sa janë të shqetësuara këto vende me shkuarjen e qytetarëve të Kosovës atje?

Bekim Çollaku: Jam interesuar personalisht për këtë çështje, dhe sipas të dhënave zyrtare që i kemi në dispozicion, këto vende janë: Hungaria, Gjermania, Franca, Suedia, Zvicra dhe Norvegjia. Është e rëndësishme që të informojmë qytetarët që të gjitha këto vende e kanë bërë të qartë që qytetarëve të Kosovës nuk do të ju jepet statusi i azilit.

Telegrafi: Cilat janë ato vende të BE-së, që e mbështesin më tepër liberalizimin e vizave për Kosovën, dhe cilat janë ato shtete që e kundërshtojnë këtë proces për Kosovën ?

Bekim Çollaku: Të gjitha vendet e BE-së, por edhe institucionet në Bruksel, mbështesin Liberalizimin e Vizave kur të arrijmë t’i bindim se i kemi përmbushur kushtet teknike dhe kur janë të bindura se nuk do të ketë fluks të migruesve nga Kosova. Por këto nuk janë kohëra të lehta kur është fjala te migrimi.
Evropa, ballafaqohet me sfidat e veta ekonomike dhe është duke u përballur me një presion të madh të migruesve të parregullt nga zonat e konflikteve si Siria, Iraku, Afganistani por edhe nga kufiri jugor, kryesisht nga vendet e Afrikës.

Vetëm vitin e kaluar në BE janë evidentuar afër 300,000 migrues të parregullt, që paraqet një rritje më të madhe se dyfish krahasuar me vitin e kaluar. Duhet të jemi realist, në sy të këtyre sfidave, janë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ne që më së paku presin që të jenë burim i migruesve të parregullt. Andaj edhe duhet të përkushtohemi në maksimum që t’i adresojmë këto brenga të shteteve anëtare dhe të sigurohet liberalizimi i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. /Telegrafi/

Më Shumë

Parashikimi i motit për pesë ditët në vazhdim

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se java e ardhshme parashihet të jetë me kushte të paqëndrueshme meteorologjike. Në njoftimin e IHMK-së bëhet...

Intervenohet për ndalimin e rrjedhjes së ujit në lokacionin arkeologjik në Sheshin e Lidhjes së Prizrenit

Një problem i vazhdueshëm me rrjedhjen e ujit në lokalitetin arkeologjik në Sheshin e Lidhjes së Prizrenit ka shqetësuar autoritetet që nga fundi i...

Lajmet e Fundit