Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka vizituar sot Komunën e Prizrenit, ku është pritur nga kryetari Shaqir Totaj.
Sipas njoftimit të Qeverisë, në këtë takim, që kryeministri e cilësoi të përzemërt, u diskutua për një sërë çështjesh, përfshirë dy memorandumet e bashkëpunimit që tashmë i kanë Qeveria me Komunën, njëra për teleferikun dhe tjetra për rrugët lokale në Zhupë.
Në qendër të diskutimit ishte lidhja e Prizrenit me Tetovën, për çfarë është edhe marrëveshja e nënshkruar me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut qysh nga shtatori i vitit 2021, aks ky të cilin kryeministri Kurti e vlerësoi jashtëzakonisht të rëndësishëm për Prizrenin e për Tetovën, për Kosovën e Maqedoninë e Veriut, për mbarë rajonin tonë, si për qytetarët ashtu edhe për ndërmarrësit.
Po ashtu, ai tha se kryetarin Totaj e ka njoftuar se në javën që vjen do të dërgojnë edhe qarkoren e dytë për buxhetin e vitit 2024.
“Në bazë të parallogaritjeve që janë bërë kostoja e gjithëmbarshme do të jetë rreth 200 milionë euro, ku rreth 150 milionë euro janë për tunelin, që është përafërsisht 600 metra më i gjatë sesa ai në Kalimash, ndërkaq rreth 50 milionë euro do të kushtoj rruga në të dy anët e tunelit që lidhë këto dy qytete shumë të rëndësishme edhe për aktualitetin, por që kanë përplot histori, kulturë e art, siç janë Prizreni e Tetova”, tha Kryeministri.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj tha se ndihet mirë për një qasje shumë konstruktive dhe shumë pozitive karshi projekteve me interes nacional, derisa theksoi se si Komunë zotohen që për çdo gjë që ka nevojë dhe kanë mundësi të kontribuojnë, do të jenë të gatshëm që të kyçen në mënyrë konstruktive që të lehtësojnë dhe të mundësojnë realizimin e këtij projekti.
“Unë jam shumë i sigurt që kemi hapësirë shumë të madhe për bashkëpunim në të gjitha lëmitë tjera dhe besoj që nuk do të mungojë gatishmëria nga asnjëra palë që ky bashkëpunim të vazhdojë, sepse do të ndikojë në performancë edhe të qeverisë qendrore edhe të qeverisë lokale” tha ai, duke shtuar se përfitimet do të jenë jo vetëm për qytetarët e Komunës së Prizrenit, por edhe më gjerë duke marrë parasysh reputacionin dhe rëndësinë që ka qyteti i Prizrenit për tërë rajonin edhe në këtë rast përafrimi me Komunën e Tetovës është një mundësi.
Më pas kryeministri Kurti bashkë me zëvendësministrin Durmishi, dhe me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi dhe Arbër Rexhaj vizituan lokacionin në fshatin Struzhë ku pritet të kalojë një pjesë e rrugës Prizren-Tetovë dhe nga ku mund të shihet se ku do të bëhet tuneli që do të lidhë dy anët e rrugës.
Kurti takon Totajn, flasin për rrugën Prizren-Tetovë
Kryeministri Albin Kurti vizitoi të dielën komunën e Prizrenit për të diskutuar me kryetarin e Komunës, Shaqir Totaj për rëndësinë që ka rruga Prizren-Tetovë.
Kurti i premtoi Totajt se do ta mbështesë Komunën e Prizrenit edhe në projektet infrastrukturore, si dhe ndërtimin e teleferikut në kalanë e qytetit.
Rruga Prizren-Tetovë do të kushtojë rreth 200 milionë euro, ku 150 milionë parashikohen të harxhohen vetëm në tunel me gjatësi mbi 6.5 km, deklaroi Kurti.
Kujtojmë se të premten kryeministri Kosovës, Albin Kurti vizitoi Tetovën, ku edhe promovoi idenë e lidhjes së turizmit malor mes Tetovës dhe Prizrenit, përmes rrugës së re. Ai tha se zhvillimi ekonomik duhet të jetë edhe zhvillim rural dhe nuk duhet të jetë i rezervuar vetëm për zonat urbane.
Shefi i ekzekutivit kosovar nga fshati Vicë i Tetovës, se rruga Prizren-Tetovë është shumë me rëndësi për dy anët e kufirit. Ai tha se ky projekt është rajonal dhe ndihmon në zhvillimin e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut./rtk
Reklamë