11.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Kurti: Po rriten gjasat për tri Bosnje në Ballkanin Perëndimor

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti, duke folur para deputetëve për ngjarjet e fundit në Kumanovë, ka thënë se të gjitha deklaratat e krerëve institucionalë në Kosovë për ngjarjet në Kumanovë ishin deklarata të njerëzve që mendojnë për veten e tyre e jo për Kumanovën dhe shqiptarët atje. Kurti, tha se e ardhmja e rajonit të Ballkanit perëndimor të paintegruar në Bashkimin Evropian nuk po duket aspak e ndritshme.

“Në vend se të kemi debosnjëzim të Bosnjës, po rriten gjasat për tri bosnjë në rajon: Bosnja si bosnje, Kosova si Bosnja e pasluftës me ‘Zajednicën’ e instaluar dhe Maqedonia si Bosnja e paraluftës me regjimin e Gruevskit. Nëse nuk e rimendojmë Ballkanin perëndimor, nga hegjemonia e Serbisë dhe elitat e korruptuara, Ballkani përndimor po shndërrohet në një lindje të mesme të Evropës e para portave të BE-së”, ka deklaruar Kurti.

Fjala e plotë e Albin Kurtit:

Deputetë të Kuvendit të Kosovës,

22 veta u vranë e 26 u arrestuan nga luftimet në Kumanovë gjatë fundjavës së shkuar dhe fillimit të kësaj jave. Sipas raportimit të medieve, duket se së paku dy qytetarë të Kosovës u vranë pasi u kapën rob dhe pasi ishin çarmatosur. Humbje e dëme të mëdha njerëzore e materiale si dhe shkelje të shumta të të drejtave të njeriut u shënuan në Kumanovë këto ditë.

Mirëpo, partnerët e koalicionit qeverisës në Kosovë dje nuk lejuan debat në Kuvendin e Kosovës. Të gjitha deklaratat e krerëve institucionalë në Kosovë për ngjarjet në Kumanovë ishin deklarata të njerëzve që mendojnë për veten e tyre e jo për Kumanovën dhe shqiptarët atje. Kështu, Presidentja Jahjaga dhe kryeministri Mustafa dënuan shtetasit e Republikës së Kosovës të përfshirë në incidente në Maqedoni, ministri i jashtëm Thaçi me gjuhë edhe më të ashpër dënonte cenimin e rendit dhe sigurisë në Maqedoni, ndërkaq kryetari i Kuvendit Veseli shprehte besimin e tij në vullnetin e kapacitetet e shtetit maqedon. Mbi të gjitha, asnjëri prej tyre nuk e dënoi regjimin autokratik të Gruevskit, i cili me kryespiunin Mihalkov e kryepolicen Jankullovska, është dëshmuar për qëndrimet e veprimet e tyre anti-demokratike e anti-shqiptare. Ambasadorë të ndryshëm perëndimor e posaçërisht z.Erwan Fouere e tejkaluan edhe çdo fjalor diplomatik në përshkrimin negativ të Gruevskit dhe shpurës së tij. Mirëpo, këtë nuk e bënë edhe krerët e shtetit të Kosovës. Përkundrazi.

Jam i bindur që shumica e deputetëve në Kuvendin e Kosovës nuk mendojnë si këta, se ju përgjithësisht nuk ndjeheni të përfaqësuar me ato deklarata dhe se kjo është një arsye e fuqishme politike dhe institucionale që e bën debatin për ngjarjet në Kumanovë të domosdoshëm në Kuvend, por është edhe arsyeja pse këta nuk e lejuan debatin.

Deputetë të Kuvendit të Kosovës,

Karakterin dhe orientimin e shtetit të Maqedonisë nuk mund ta kuptojmë pa ndikimin e Serbisë dhe interesat e saj. Dallimi midis Gruevskit dhe Georgievskit është si dallimi midis Serbisë dhe Bullgarisë. Se Serbia shfaqet si protektore e Maqedonisë edhe e kemi ditur nga historia edhe e kanë thënë vet krerët e Serbisë shpesh. Psh. në vizitën dyditore të ish kryeministrit të Serbisë Ivica Daçiq në Shkup na janar të vitit 2013, ai pat deklaruar: “Maqedoninë nuk e kërcënon kurrfarë rreziku nga veriu. As për ekzistencën dhe as për identitetin e saj. Kurse Serbia mundet vetëm të ndihmojë nëse ai rrezik kërcënon prej ndonjë ane tjetër. (Daçiq bën një pauzë cinike dhe vazhdon…) Në kuptimin politik, natyrisht.” Në po të njëjtën ditë kur Gruevski po e mirëpriste Daçiqin në Shkup, ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, po e mirëpriste ministrin e jashtëm maqedonas, Nikola Poposki, në Moskë. Vështirë të ketë qenë koincidencë protokollesh e gjithë kjo.

Jo vetëm me Republikën Serbe në Bosnje, por edhe me Maqedoninë, Serbia bashkëpunon më shumë sesa Kosova me Shqipërinë. Më 16 shkurt 2015, qeveria e Serbisë dhe e Maqedonisë e patën diskutuar kompletimin e Korridorit 10 deri në shtator 2016, ndërtimin e largpërçuesit elektrik 400 kV midis Nishit e Shkupit që do të hapet në dhjetor, si dhe ndërtimin e lidhjes së gazit Vranjë-Kumanovë dhe të të gjitha lidhjeve hekurudhore me Greqinë.

Nuk do të mund të mbijetojnë edhe regjimi i Gruevskit edhe shteti i Maqedonisë. Sipas regjistrimit zyrtar të popullsisë në Maqedoni, shqiptarët përbëjnë mbi çerekun e banorëve të Maqedonisë ndërkohë që numri i tyre realisht sillet mbi një të tretën e popullsisë. Numri i të punësuarve shqiptarë në ndërmarrjet publike dhe administratën shtetërore është rregullisht nën 10%, kurse për pozitat udhëheqëse ai bëhet pothuajse i papërfillshëm. Dihet se shifra “20%” është shprehja më e shpeshtë në tekstin e Marrëveshjes së Ohrit, mirëpo, nga pushteti i Gruevskit kjo merret si shtysë e motiv për t’i zbritur shqiptarët kudo nën 20% të popullsisë, e jo për t’ua rritur atyre të drejtat meqë përbëjnë mbi 20% të popullsisë në aq shumë vendbanime. Nëse nuk do të mund t’i dëbojë plotësisht shqiptarët nga Kumanova, shtetrrethimi i Gruevskit atje do që shqiptarët në komunën e Kumanovës t’i zbresë nën 20%. Kumanova e lidh Luginën e Preshevës me Shkupin, prandaj Gruevski e Vuçiqi duan ta zbrazin sa më shumë atë nga popullsia shqiptare.

E ardhmja e rajonit të Ballkanit perëndimor të paintegruar në Bashkimin Evropian nuk po duket aspak e ndritshme. Në vend se të kemi debosnjëzim të Bosnjës, po rriten gjasat për tri bosnjë në rajon: Bosnja si bosnje, Kosova si Bosnja e pasluftës me ‘Zajednicën’ e instaluar dhe Maqedonia si Bosnja e paraluftës me regjimin e Gruevskit. Nëse nuk e rimendojmë Ballkanin perëndimor, nga hegjemonia e Serbisë dhe elitat e korruptuara, Ballkani përndimor po shndërrohet në një lindje të mesme të Evropës e para portave të BE-së.

Populli po i diskuton këto tërë kohën e gjithandej. Deputetët janë zëvendësit e popullit, edhe sipas etimologjisë së fjalës “deputet”, pra ata që e zëvendësojnë popullin sepse në këtë sallë nuk i zë dy milionë njerëz por 120 sosh. Mirëpo, duke mos debatuar situatën në Kounaovë, ne nuk po e përfaqësojmë popullin as për sy e faqe. Ju faleminderit!

/PrizrenPress.com/

Më Shumë

114 vjet nga vdekja e shkrimtarit të shquar Mark Twain

Samuel Langhorne Clemens (30 nëntor 1835 – 21 prill 1910) njihet me emrin Mark Twain (Mark Tuejn), ishte një autor dhe humorist amerikan. Ai...

Arrestohet një burrë në Malishevë, rrahu fëmijët e tij të mitur

Në Malishevë, një burrë u arrestua, pasi ka ushtruar dhunë ndaj fëmijëve të tij të mitur. “Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas...

Lajmet e Fundit