12.1 C
Prizren
E diel, 22 Qershor, 2025

Kush ishte Esat Pashë Toptani?

Autor: Sheradin Berisha

Esat Pashë Toptani ka lindur në vitin 1863 në Tiranë. Që në fëmijëri, ai dallohej për karakterin e tij të keq dhe gjaknxehtë. Esati meqë ishte rritur në Tiranë, me kohë e kishte zgjeruar rrethin e ndikimit të tij, dhe duke qenë në shërbim të guvernatorit të Durrësit, Hafiz Pasha, ai u caktua kryetar i rrethit të Tiranës, post që i lejonte të bënte çfarë të donte pa u dënuar.

Rreth vitit 1895, ai u emërua nga Sulltani komandant i xhandarmërisë së Janinës. Ky post i kushtoi atij 1500 lira turke të cilat iu paguan mareshalit Dervish Pasha. Atë që në Tiranë e kishte bërë në mënyrë të paligjshme, filloi ta bënte hapur dhe në mënyrë zyrtare në
Janinë.

Esat Pasha, përuroi në Janinë epokën e përdorimit të bandave të cubave, që zëvendësuan 30 xhandarë me kuaj, të cilët i futi përsëri në punë, pasi merrte prej secilit 25 lira turke.

Gjatë Luftës Greko-Turke të vitit 1897, ai i grabiti të gjithë bagëtitë, të imëta e të trasha, që gjeti dhe pasi mbërriti në Janinë si guvernator i përgjithshëm i Osman Pashës, i dha një hov më të madh punëve të veta, duke shkuar deri atje sa mori rushfete madje edhe prej 20 frangash, duke rrëmbyer paratë e njerëzve të thjeshtë, të cilët i kërcënonte me syrgjynosje, duke futur hundët në çështjet administrative e të drejtësisë dhe duke
nxjerrë përfitim nga gjithçka.

Më vonë Esat Pasha u transferua në Shkodër, me detyrën e shefit të xhandarmërisë. Nga pozita që kishte ai, bënte kërdinë kundër atyre që nuk i pëlqenin, atyre që mund të luftonin kundër fuqisë së tij, ose që me anë të pasurisë së tyre mund ta shqetësonin.

Pikërisht në këtë periudhë nis me të vërtetë fuqia e tij në Tiranë e Durrës, sepse, duke persekutuar njerëzit e ndershëm, në të njëjtën kohë ai mbronte njerëzit e liq dhe u kërkonte ndarjen e përfitimeve të paligjshme që mund të arrinin këta të fundit; kjo
ishte mënyra e tij për të garantuar sigurimin publik, ashtu sikurse kishte bërë në Janinë.

Ndryshimi i regjimit turk, në vitin 1908, e gjeti Esat Pashën në postin e tij në Shkodër dhe me famën e një njeriu despotik, besnik ndaj Sulltan Abdyl Hamitit dhe ndaj mënyrës së tij të administrimit.

Esat Pasha, i cili dikur ia detyronte madhështinë e tij Sulltan Abdyl Hamitit, me fitoren e xhonturqëve u vu në shërbim të tyre. Esati shkoi në Selanik, ku ndodhej selia e Komitetit „Bashkimi dhe Progresi“( bëhet fjalë për Komitetin „Bashkim e Përparim“ – Sh.B), dhe, thuhej se xhonturqit e kishin dënuar me vdekje, por 500 lira turke, qëndrimet e përulura dhe premtimet e rreme i dhanë Esatit mundësi të hynte në shërbim të shefave unionistë, të cilët e përkrahën dhe e ndihmuan të merrte mandatin e deputetit të Sanxhakut të
Gjirokastrës për Parlamentin Osman.

Madje, Esati, duke mbajtur një qendrim servil ndaj padronëve të vet, u caktua edhe si anëtar i delegacionit që do t’i njoftonte Sulltan Abdyl Hamitit rrënimin e pushtetit të tij.

Esati njihej atëherë si një nga shefat unionistë dhe këto marrëdhënie të mira vazhduan për sa kohë që këta të fundit ishin në pushtet; dhe kur xhonturqit filluan të dobësohen, kur partia kundërshtare, e quajtur liberale, dukej se po korrte sukses, Esati e ndryshoi menjëherë kampin, duke u shprehur armik i Talatëve, i Xhavitëve dhe i Xhahidëve.

Pikërisht në këtë kohë (janar 1912) të këtyre ndryshimeve, Esat Pashë Toptani hyri në lidhje me përfaqësuesit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe mori pjesë në mbledhjen e Taksimit në Stamboll që e kryesoi Ismail Qemali, ku u vendos për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare, kundër perandorisë osmane. Kur kryengritësit shqiptarë, dolën fitimtarë në Shkup (Korrik-Gusht 1912), dhe arritën ta shpërbënin Kuvendin turk, duke e përgatitur kështu formimin e qeverisë në krye me Myftar Pashën, Esat Pashë Toptani u emërua komandant i rezervistëve në Shkodër./PrizrenPress.com/

Nesër:

Kush e vrau Hasan Riza Pashën dhe në ç’rrethana iu dorëzua Shkodra ushtrisë malazeze nga Esat Pashë Toptani?

 

 

Më Shumë

Certifikohen 12 policë patrullues me biçikletë në Prizren

Dymbëdhjetë zyrtarë policorë nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren dhe ajo e Gjakovës janë certifikuar sot pas përfundimit me sukses të trajnimit për...

Nxënësit nga Novobërda vizitojnë asetet e trashëgimisë kulturore në Prizren

Nxënësit e SHFMU “Asdreni” nga Komuna e Novobërdës kanë marrë pjesë në vizitën me karakter edukativ të realizuar nga organizata joqeveritare EC Ma Ndryshe...

Lajmet e Fundit