Gjykata Kushtetuese mund të trajtojë edhe dy çështje që kanë të bëjnë me ngërçin aktual politik. Njërën pyetje atje mund ta dërgojë Blloku për të sqaruar se çfarë ndodhë nëse PDK nuk mund ta zgjedhë Kryeparlamentarin, ndërsa Presidentja mund të dërgojë pyetje për të kërkuar sqarime për zgjedhjet, në rast se nuk konstituohet Kuvendi.
Pos çështjes së mandatarit për formimin e Qeverisë dhe ankesës së PDK’së për çështjen e kushtetutshmërisë së seancës së 17 Korrikut, Gjykata mund të trajtojë edhe dy lëndë që kanë të bëjnë me formimin e institucioneve respektivisht ngërçin aktual politik,shkruan Express.
Gazeta Express merr vesh se Blloku pritet ta dërgojë në Gjykatën më të lartë në vend pyetjen se çfarë ndodhë nëse PDK dështon të zgjedhë Kryeparlamentarin, si parti e cila ka të drejtën e nominimit për këtë post. Ndërsa Presidentja mund të dërgojë atje kërkesën për sqarime se kur mund të shkojë vendi në zgjedhje, në rast të moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Nuk dihet nëse këto dy pyetje që eventualisht do të mund të dërgoheshin në Gjykatë, do të mund të zhbllokonin situatën aktuale pa një marrëveshje politike ndërmjet PDK’së dhe Koalicionit LAN dhe VV.
Ngërçi politik në vend ka nisur menjëherë pas zgjedhjeve të 8 qershorit, 4 muaj më parë, kur partitë LDK-AAK-NISMA, dhe më vonë edhe VV, vendosën të lidhin koalicion për të formuar institucionet, përballë PDK’së e cila i ka fituar zgjedhjet por nuk i ka numrat e mjaftueshëm as për të zgjedhur kryetarin e Parlamentit. Palët kanë lënë të kuptohet se mund të lëshojnë pe ndërkohë që ndërkombëtarët deri më tani nuk kanë dhënë shenja se mund të ndërhyjnë duke evituar mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.