Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike vijoi sot në Pallatin e Kongreseve ditën e dytë të punimeve. Gjatë kuvendit folën disa prej të zgjedhurve në degët kryesore të PD-së, por edhe figura të tjera të opozitës.
Ditën e djeshme u mbajtën fjalimet kryesore nga kryetari aktual i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe ish-kreu i saj Sali Berisha. Në ditën e parë të Kuvendit votuan rreth 55 % e delegatëve, ndërsa orari i mbylljes së kutive u shty nga ora 18:00 për në orën 20:30, deri në votën e fundit.
Gjithashtu gjatë ditës së djeshme u miratuan ndryshimet në statut si dhe u votua për 150 vende në Këshill.
Këshilli Kombëtar pritet të zgjedhë emrat e një numri të gjerë funksionarësh të Partisë Demokratike, që nga sekretari i përgjithshëm dhe sekretarët funksionalë, deri te drejtuesit e departamenteve, përgjegjës për përgatitjen e platformave politike në PD, përfshi këtu edhe programin qeverisës dhe elektoral të subjektit politik.
Kryesia e Partisë përbëhet nga kryetari i partisë, nënkryetarët, sekretari i përgjithshëm, drejtuesit e departamenteve dhe sekretarët funksionalë, të vetmit që zgjidhen nga ky organ.
Më tej kryesia ka kryetarin apo nënkryetarin e grupit Parlamentar, kryetarët apo nënkryetarët e komisioneve të përhershme parlamentare, dhe kryetarët e organizatave partnere.
Halimi: Ndryshimet në statut, rritje e bazës vendimmarrëse
Deputeti i PD-së, Eduard Halimi vlerësoi sot si shumë të rëndësishme, ndryshimet ne statutin e PD-se, miratuar një ditë më parë me unanimitet nga Kuvendi Kombëtar. Sipas Halimit, ndryshimet në statut sjellin shumë risi në mënyrën e funksionimit të PD-së si çelës i suksesit të një force politike.
“Ndryshimet ne statut sjellin rritjen e bazës vendimmarrëse, pushtet vote çdo anëtari. Numri i atyre që e ndryshuan statutin është përfaqësi më e lartë, i jepet pushtet votës së çdo anëtari, përshtatin edhe ndryshimet që kanë ndodhur me filozofinë e re nga ana e kreut të PD-së, Basha”, tha ai.
Halimi theksoi se ndryshimet i japin një forcë të re rinisë, e cila si kurrë më parë ka dyert të hapura në Partinë Demokratike. “Ndërkohë që ndryshimet në statut implementohen me frymën progresiste me të cilën është udhëhequr partia”.
Pollo: Ndryshimet në statut, adaptohen forma të reja të evropiane
Ndërsa sipas Genc Pollos ndryshimet në statut i përshtaten momentit të tranzicionit që po kalon PD-ja pas zgjedhjeve të 23 qershorit, si dhe adopton forma të reja të cilat janë evropiane. Gjithashtu Pollo ka folur edhe për ndryshimet që bëhen në Kuvendin Kombëtar të PD-së ku përfaqësohen edhe deputetët.
“Ky kongres sjell ndryshime në statut, pasi i përshtatet momentit të tranzicionit që po kalon PD-ja pas zgjedhjeve të 23 qershorit, si dhe adopton forma të reja të cilat janë evropiane. Dhe për aq sa kemi parë dhe dimë ne, është e paimagjinueshme që ata deputetë të parlamentit të mos jenë anëtarë të forumit të PD*së. Ishte diçka që nuk shkonte. Pra ajo trupë deputetësh do të jetë e përfaqësuar edhe në Kuvendin Kombëtar të PD-së. Unë mendoj se këto janë gjëra që konsolidohen në traditën politike të një partie, do ketë vështirësi, si partia ashtu edhe drejtuesit. Ndryshimi ka qenë për t’i dhënë hapësirë njerëzve të rëndësishme. Ndodhemi në një pozitë si për PD-në po edhe për vendin në një pozitë të vështirë për atë që po bën qeveria”, tha Pollo.