Një foto bardh e zi, e bërë më shumë se 40 vjet më parë flet më shumë se gjithë shkrimet që janë shkruar këto vite për poetin Havzi Nela. I veshur me një kapotë të gjatë e vështrimin e përqendruar diku tej, ky burrë që në jetë pati veç një pasion, që i kushtoi shtrenjtë, siç ishte poezia, qëndron krenar me një libër të hapur në dorë… Pas portretit të tij të lartë, duken telat dhe dritaret gjysmë të hapura të një burgu… Kjo foto e bërë rastësisht ka brenda gjithë jetën e Havzi Nelës, e cila u end mes librave dhe burgjeve. Jeta e tij është përshkrimi më i mirë që mund t’i bëhet ndonjëherë periudhës komuniste në Shqipëri. Ai jetoi e shkroi burgjeve, pa e imagjinuar se një ditë vargjet e tij mund të lexoheshin në liri… Sot mbushen 25 vjet nga vdekja e tij. Ishte 10 gushti i vitit 1988, ora 02.00 e mëngjesit kur ai u ekzekutua me varje në mes të qytetit të Kukësit. Pasi u ekspozua gjatë gjithë ditës më 10 gusht 1988, në mesnatë komunistët e morën trupin e tij dhe e futën atë vertikalisht në një vrimë të krijuar nga heqja e një shtyllë druri.
Trupi i tij qëndroi aty për pesë vjet dhe dhjetë ditë, deri më 20 gusht 1993. Për familjarët ishte e vështirë të gjendej vendi, i mbuluar me shkurre dhe gurë pranë fshatit Kolsh, dy kilometra larg Kukësit. Pasioni për letërsinë do të shfaqej tek Havziu që në shkollën e mesme. Bashkë me dashurinë për letrat, tek i riu do të ngjizeshin dhe shenjat e para të kundërshtimit ndaj sistemit. Studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës do të hapnin tek ai një tjetër vision për jetën. Ishte koha kur Nela do të lidhej më shumë me leximin e letërsisë, të paktën të huaj, që mund t’i binte në dorë dhe të gjente aty shpirtin e tij të ngjashëm. Ka pak rrëfime nga koha e tij studentore, kohë e cila do të mbetej e papërfunduar, pasi ai përjashtohet nga shkolla si element destruktiv. Puna e tij e parë ishte mësues në një fshat të vogël në rrethin e Matit.
Mbrëmjeve shkruante poezi, ndërsa ditën ua lexonte nxënësve. Leximi i vargjeve do të shihej me dyshim nga institucionet e rrethit, të cilët e dëbojnë edhe prej andej. Pas shumë përpjekjeve Nela arrin të përfundojë studimet e nisura në Institutin e Shkodrës. Ai punoi si mësues në fshatra të ndryshme, si: Kruma, Lojmadhe Shishtaveci, deri në vitin 1967, kur ai u transferua në Topojan. Pikërisht në këtë vend do të nisnin edhe ngjarjet e trishta, që do të vinin një e nga një e s’do të kishin fund në jetën e poetit. Është koha e thirrjeve të njëpasnjëshme në polici, pyetjet për lidhje të dyshimta të tij… Pasi u lexoi nxënësve poemën “Shko dallëndyshe”, shkruar ngas Filip Shiroka, Nela, bashkë me të shoqen, Lavdie, tentuan të kalonin kufirin për në Kosovë, më 1967. Gruaja e kujton gjithnjë atë moment, kur, ndërsa do kalonin vijën kufitare, ai mori një copë letër e shkroi “Lamtumirë, atdhe i dashtun, po të la, por zemërplasun …” dhe e vendosi në degën e një peme lajthie, që ta gjenin rojet… Por fati do të ishte kundër tij edhe në Kosovë. Ushtarët jugosllavë do ta kapnin dhe do ta burgosnin bashkë me të shoqen në burgun e Prizrenit. Më 6 maj 1967, jugosllavët i kthyen Havziun dhe Lavdien në pikën kufitare të Morinës, në këmbim të atdhetarëve shqiptarë nga Kosova, që qeveria komuniste e Enver Hoxhës ia dorëzonte Policisë Sekrete Jugosllave, UDB-së. Më 22 maj 1967, poeti u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg për kalimin në Kosovë. E gjithë pasuria e tij u konfiskua. Gruaja e tij u dënua me dhjetë vjet burg. Poeti kurrë nuk u pajtua me diktaturën dhe marionetat e tij në burgje. Më 8 gusht 1975, atij iu shtuan edhe tetë vjet të tjera, sepse konsiderohej një armik i zjarrtë i Partisë dhe i popullit. Më 19 dhjetor 1986, ai u lejua të dalë nga burgu, por vetëm për një kohë të shkurtër. Më pak se një vit më vonë, më 12 tetor 1987, ai u arrestua dhe u internua në fshatin Arrën. Më 24 qershor 1988, Gjykata e Lartë e Shqipërisë e hodhi poshtë kërkesën Lavdie Nelës kundër dënimit të burrit të saj me vdekje. Gjykata vendosi që Havzi Nela të dënohej me varje. Miratimi përfundimtar i dënimit me vdekje nga Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia, çoi në ekzekutimin e Havzi Nelës. Ishte 54 vjeç, atë mesnatë, kur shpirti i tij fluturoi për herë të fundit sipër qytetit të tij të dashur, për të nisur tashmë udhëtimin e përjetshëm krejtësisht i lirë… Pas viteve ‘90-të, fati i Havzi Nelës ka qenë shpesh në vëmendjen e shtypit. Teksa janë shkruar pafund mbi aktin barbar që diktatura bëri me jetën e poetit, ajo që del çdo ditë e më shumë në pah është vlera e vargjeve të shkruara prej tij. Poezia e tij është një rrëfim për errësirën dhe një himn për jetën. Krijimtarinë e tij ai e la në 7 fletore, të shkruara me kujdes gjatë kohës së burgut. Mbi këto fletore të vjetra është ndërtuar ajo çfarë sot quhet letërsia e Nelës, një letërsi që mban firmën e një prej disidentëve më të mëdhenj në historinë e komunizmit të vendit tonë.
Ismail Kadare
Poeti Havzi Nela, është një këmbanë që ende bije për shoqërinë shqiptare. Të mos e dëgjosh këtë këmbanë, do të thotë të vazhdosh të shkelësh me këmbë lirinë e Shqipërisë.
Krahas hezitimit për të dënuar krimet e komunizmit, një dukuri tepër e shqetësuar, për të mos thënë monstruoze, vazhdon në Shqipëri. Pasioni i habitshëm për t’u dhënë tituj e nderime njerëzve që jo vetëm nuk bënë asgjë për lirinë, por që bënë gjithçka për ta shtypur atë.