7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Latifi: PDK-ja duhet të analizojë humbjen, unë jam fitues i zgjedhjeve në Rahovec

Kryetari i ri i Rahovecit, Smajl Latifi në emisionin “Interaktiv” të KTV-së ka sugjeruar Partinë Demokratike që të shqyrtojë gjendjen e brendshme dhe të analizojë shkaqet e humbjes në këtë komunë, të cilën ka thënë se e ka fituar AAK-ja.

Ai ka kërkuar nga ish-kryetari Idriz Vehapi që t’ia urojë fitoren në Rahovec, ashtu siç kishte vepruar Latifi në vitin 2013 kur kishte humbur zgjedhjet në këtë komunë dhe sipas kryetarit të ri, mospranimi i rezultateve nuk do t’i bënte mirë Rahovecit.

“Unë ja kam uruar fitoren atij dhe të them të drejtën mospranimi i rezultateve nuk është simptomë e mirë për demokracinë”, ka thënë Latifi.

“Unë jam fitues i zgjedhjeve dhe është mirë që të kemi shenja të tjera dhe jo vetëm që të pranohen rezultatet, por duhet të krijojmë kushte që pas certifikimit të mblidhet asambleja dhe të bëhet pranim dorëzimi i detyrës, ashtu siç ka ndodhur në vitin 2013. Qytetari i Rahovecit pret shumë në zbatimin e programit”, ka shtuar ai, derisa i ka bërë thirrje PDK-së që të analizojë shkaqet e humbjes.

“PDK-ja është mirë që të shqyrtojë gjendjen e brendshme dhe të analizojë shkaqet e humbjes. Ne nuk kemi kohë të analizojmë shkaqet e humbjes sepse është vetëm një garë. Unë si kryetar do të sillem si kryetar i të gjithë qytetarëve. Vehapi nuk është humbës, Rahoveci do të punojë në projekte të shumta dhe kur komuna përparon atëherë secili qytetar i kësaj komune ndihet mirë”, ka thënë veç të tjerash Latifi.

Kryetari i ri i Rahovecit, Latifi, ka sqaruar edhe paqartësitë që janë krijuar rreth rinumërimit të tri kutive në fshatin Fortesë, për të cilat kishte bërë ankesë PDK-ja në PZAP.

“PDK-ja ka bërë një ankesë në PZAP dhe janë mbështetur në disa dyshime të tyre, ne kemi bërë kundër ankesë dhe PZAP pastaj ka vendosur për rinumërim në tri kuti të votimit. Votat janë rinumëruar në Fortesë, PDK-ja është ankuar në Gjykatën Supreme dhe e ka refuzuar këtë ankesë. Ajo ka vendosur ngjashëm siç ka vendosur PZAP, ato tri kuti janë numëruar dhe rezultati ka dal i pandryshueshëm. Ne kishim të drejt dhe nuk kemi bërë zhurmë sepse kemi qenë të bindur se do të jetë rezultat i njëjtë”, ka thënë Latifi.

Më Shumë

Lajmet e Fundit