10.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

LDK-ja gjuan akuza për qeverinë e Prizrenit

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, në një konferencë për media ka prezantuar sot abuzimet dhe keqpërdorimet nga ana e zyrtarëve dhe qeverisjes komunale të Prizrenit, nën udhëheqjen e kryetari Shaqir Totaj.

Zëdhënësi dhe anëtari i kryesisë së degës,  Kastriot Jahaj, ka deklaruar se qeverisja komunale në Prizren, është lëshuar në veprime të rënda korruptive përmes tenderëve milionësh dhe shitjes së vendeve të punës.

Jahaj, u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë për veprim të menjëhershëm në rastin e tenderit të shpallur nga Drejtoria e Shërbimeve Publike.

“Komuna e Prizrenit më datë 18 nëntor 2022 ka shpallur tender për rregullimin e ndriçimit publikë për fshatrat Lubizhdë e Hasit në vlerë prej 445.398 euro dhe Korishë në vlerë prej 523.635 euro.Edhe pse Komuna e Prizrenit ka një kontratë kornize 3 vjeçare aktive me Nr: 622-20-2058-2-1-1 “Instalimi i ndriçimit publikë dhe riparimi i ndriçimit publikë ekzistues në Komunën e Prizrenit” me vlerë 1.394.853,90 euro e nënshkruar me datë 22.02.2021, Drejtori i Shërbimeve Publike, hapë paralelisht tenderin për rregullimin e ndriçimit publikë për vetëm 2 fshatra, Korishë dhe Lubizhdë e Hasit, në vlerë prej 969,033 euro” ,tha ai.

“Drejtoria e Shërbimeve publike nëse kishte qenë e interesuar për përmirësimin e ndriçimit publik në Komunën e Prizrenit, do të duhej ta obligonte operatorin aktual për kryerjen e punëve të rregullimit të ndriçimit edhe në fshatrat Korishë dhe Lubizhdë e Hasit, si dhe brenda qytetit të Prizrenit ku mbi 30 % e rrugëve janë pa ndriçim fare. Ne e kuptojmë nevojën dhe rëndësinë e ndriçimit publik të secilit fshat dhe secilës rrugës të qytetit dhe komunës sonë, por kjo asesi nuk do të thotë që ne të pranojmë keqpërdorimin dhe keq menaxhimin e parave të qytetarëve tanë”, është shprehur Jahaj.

Një tjetër rast që kërkon vëmendjen e organeve ndjekëse,sipas Jahajt  ka të bëjë me konkursin e fundit për mësimdhënës në Komunën e Prizrenit, ku fatkeqësisht, në këtë kohë krize qytetarët janë bërë kurban i pushtetit të etur, duke i vjelur gjepat e atyre që kanë nevojë për një vend pune.

“Tashmë kur një pjesë e familjarëve të pushtetarëve janë rehatuar në vende të punës, është alarmante se vendet e tjera kanë filluar t’i shesin. Janë shumë shqetësuese ankesat që kanë ardhur në adresë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dega në Prizren, për vlerat të mëdha të parave që dyshohet se u janë kërkuar aplikantëve në konkursin për mësimdhënës. Po flasim për shitje të vendeve të punës nga pushteti komunal!”, ka thënë Jahaj.

Sipas informatave që ka pranuar dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, për një vend pune, janë kërkuar mijëra euro nga sekserë që shërbejnë dhe i shërbejnë qeverisjen komunale në Prizren. Kemi informata që për këtë tashmë janë njoftuar edhe institucionet e rendit dhe ligjit, dhe presim që të merren sa më parë veprime konkrete në bazë të informacioneve që kanë pranuar.

“Ne si LDK, i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që kanë rënë pre e këtyre llojeve të abuzimeve nga ana e pushtetit që t’i denoncojnë rastet dhe të mos japin para për një vend pune. Meritokracia nuk duhet paguhet me çmim, sekserët dhe abuzuesit nuk duhet të kenë vend në institucionet publike. Me këto veprime, pushteti i udhëhequr nga Shaqir Totaj dhe Partia Demokratike e Kosovës, po dëshmon edhe një herë se në Prizren janë të përkushtuar ta varfërojnë qytetarin dhe të sjellin mjerim. Që nga ardhja në pushtet e PDK-së në Prizren, nuk kemi parë asnjë projekt konkret të nisur, përveç punësime të familjarëve të ngushtë të kryetarit Totaj dhe vartësve të tij, dhe afera korruptive që tashmë po bëhen shqetësim i madh për qytetarët dhe duhet të ndalen sa më parë”, ka thënë Jahaj.

Çështja e tretë që ka ngritur sot dega e LDK-së në Prizren, ka të bëjë me suficitin apo tepricën e buxhetit komunal për vitin 2022 që kapë shifra shqetësuese në vlera deri në 20%.

“Në fakt ky indikatorë nxjerrë përfundime për gjithë logjikën qeverisëse të këtij pushteti. Pa dije të mjaftueshme, pa adresim të nevojave dhe interesave të qytetarëve përmes realizimit të projekteve kapitale, dhe me logjikë keqpërdorimi të parasë publike”.

“Ua kthejmë në vëmendje deklaratën e vetë z. Shaqir Totaj në kohën e fushatës zgjedhore. Ai kishte deklaruar atëherë se “Çdo suficit i buxhetit mbi 9%, është indikator i korrupsionit në menaxhim të parasë publike”. Në bazë të kësaj, Totaj dhe i gjithë kabineti qeverisës në Prizren duhet të cilësohen si qeverisje e korruptuar ngase suficiti i buxhetit komunal për vitin që e lamë pas ishte 20%”, ka deklaruar Jahaj.

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren i bën thirrje organeve të rendit dhe ligjit që me urgjencë t’i trajtojnë çështjet që i ngritëm më lartë dhe të merren sa më parë masa ligjore ndaj shkelësve të ligjit dhe atyre që po keqpërdorin pozitën zyrtare për përfitime personale apo grupore.

 

Më Shumë

Rrëzohen propozimet serbe që anëtarësimi i Kosovës të kushtëzohet me themelimin e Asociacionit

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës sot me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm nga të gjitha shtetet anëtare, do të...

Mbi 2 mijë patentë shofer të konfiskuar për tre muaj: Mbi 5 mijë shoferëve u janë vendosur pikët negative

Policia e Kosovës ka njoftuar se përgjatë periudhës kohore Janar – Mars të vitit 2024, 2mijë e 223 shoferëve u është konfiskuar patentë shoferi. Derisa...

Lajmet e Fundit