19.8 C
Prizren
E diel, 8 Shtator, 2024

LDK tashmë i ka fituar zgjedhjet

AvdullahHoti-LDKKandidati i LDK-së Avdullah Hoti, është i bindur në fitoren e LDK-së. Krejt çfarë po pret ai është që kjo fitore të konfirmohet më 8 qershor.
Ai ka thënë se LDK duhet të vijë në pushtet për ta zhvilluar vendin ekonomikisht.
Hoti ka përsëritur se nuk do të ketë koalicion me PDK-në.

Tribuna: Si i shihni koalicionet e mundshme pas zgjedhjeve? Me kë do të jetë në koalicion LDK?
Hoti: Lidhja Demokratike e Kosovës do të fitojë besimin e qytetarëve dhe si rezultat i kësaj do të udhëheqë ekzekutivin kosovar, ku në krye të tij do të jetë lideri ynë Isa Mustafa. Nuk do të këtë koalicion me PDK-në. Nuk është vullneti i anëtarësisë së LDK-së, e as i udhëheqësisë së LDK-së, që të shkohet në koalicion me PDK-në. Arsye është se ne shohim se kjo qeverisje në një formë e ka ngulfatur shtetin, e ka kapur shtetin. Andaj, LDK mendon se nuk do të bënte asgjë në qoftë se edhe më tutje vazhdojmë qeverisjen me ta, sepse pastaj ata do të qeverisnin me rrjetin e tyre dhe ne do të ishim vështrues pasiv të kësaj qeverisjeje. LDK dhe kryetari Mustafa është e interesuar që të bëjë ndryshime së pari sa i përket shtetit ligjor dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Tribuna: Si mendoni se do të jetë rezultati i LDK-së?
Hoti: Këto zgjedhje janë të fituara tani nga LDK-ja. Duhet të presim datën 8 qershor në mbrëmje për ta konfirmuar këtë vullnet të qytetarëve.

Tribuna: Pse duhet të votohet Avdullah Hoti?
Hoti: Lidhja Demokratike e Kosovës është parti e vlerave dhe traditës. Si e tillë ajo është afër qytetarit dhe për qytetarin, çka do të thotë se edhe vota për mua do të jetë votë për këto vlera dhe për qytetarinë.

Tribuna: Cilat janë arsyet se pse duhet votuar LDK?
Hoti: LDK-ja në programin e saj qeverisës ofron mundësi për realizimin e vizionit për Kosovën shtet i pavarur dhe demokratik, shtet i zhvilluar dhe i integruar në strukturat euroatlantike.
Ne kemi përgatitur programin qeverisës me ndihmën e një grupi të madh ekspertësh prej 70 vetash, kryesisht profesorë universitarë, analistë, por edhe njerëz nga biznesi, shoqëria civile, institutet shkencore në vend dhe jashtë. E veçanta e këtij programi është se është program që u hartua në bashkëpunim të plotë me ekspertë të Partive Popullore Evropiane, ku LDK është anëtare. Si rezultat, programi i LDK-së ka frymë evropiane, perëndimore.
Të gjithë ekspertët tanë janë pajtuar se modeli i zhvillimit ekonomik të Kosovës duhet të ndryshojë. Zhvillimi ekonomik i ulët që është arritur këto dy mandate të qeverisë Thaçi është siguruar nga investimet publike dhe nga sektori publik. Si i tillë, ky zhvillim ekonomik nuk është i qëndrueshëm, pasi punësimi dhe të ardhurat që lidhen me këto investime janë të përkohshme.
Do ta ndryshojmë orientimin e ekonomisë kah sektori privat. Do ta rishikojmë menjëherë politikën fiskale. Do t’i ngremë kapacitetet e Administratës Tatimore në mënyrë që TVSH-ja të mos mblidhet në kufi para se të shitet malli, por të mblidhet brenda pas shitjes së mallit. Janë rreth 430 milionë euro në vit që Doganat i mbledhin nga bizneset me rastin e importimit të mallrave në emër të TVSH-së. Pra, bizneset po e kreditojnë shtetin.

Mbledhja e TVSH-së brenda vendit do t’u mundësojë bizneseve që këto 430 milionë euro t’i përdorin për rritje. Ne do ta ulim pragun e TVSH-së nga 50 000 euro në 30 000 euro, në mënyrë që shumë më tepër biznese të futen në TVSH dhe kështu të operojnë më lehtë dhe të bëhen pjesë e ekonomisë formale. Do ta ulim tatimin në qarkullim për biznese të vogla që paguajnë tatim në qarkullim nga 9% sa është tash në 4.5%. Kjo për arsye se shumica e bizneseve në Kosovë janë të vogla dhe janë biznese familjare.
Do t’i heqim ngarkesat tatimore nga të gjitha inputet dhe makineritë bujqësore. Do t’i subvencionojmë normat e kamatës për biznese që hapen nga të rinjtë dhe femrat në veçanti. Do ta trefishojmë buxhetin për bujqësi për të subvencionuar 100% normat e kamatës për të gjitha kreditë bujqësore.
Në bujqësi do ta subvencionojmë edhe sasinë e produktit që fermerët nxjerrin në treg, e jo vetëm sipërfaqet bujqësore që punojnë fermerët. Do të vendosim afat të qartë kohor për përmbylljen e privatizimit të ndërmarrjeve të mbetura shoqërore dhe do t’i lirojmë shumë shpejt mjetet e mbledhura nga privatizimi i këtyre ndërmarrjeve, të cilat do të shkojnë në fondin zhvillimor për t’i përkrahur bujqësinë dhe sektorin privat.

Tribuna: A prisni proces të rregullt zgjedhor më 8 qershor, duke pasur parasysh afatet e shkurtra për organizimin e tyre?
Hoti: Presim që do të kemi një proces të rregullt zgjedhor në ditën e votimit. LDK është duke punuar shumë që ky proces zgjedhor të ecën mbarë. Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për vendin dhe partia në pushtet duhet ta këtë të qartë se manipulimi eventual i këtij procesi do të jetë një damkë e keqe për Kosovën dhe proceset integruese të vendit.
Ne nuk do të lejojmë që procesi të manipulohet. U bëjmë thirrje të gjitha subjekteve që para interesit të tyre të qesin interesin e Kosovës. Ne u bëjmë të qartë se LDK nuk do të pranojë një rezultat që do të ishte si rezultat i një procesi të manipuluar. Këtë duhet ta kenë parasysh të gjitha partitë në garë, dhe po ashtu institucionet që merren me organizimin e zgjedhjeve në vend.

Tribuna: A mendoni se ekonomia ka qenë më në fund mjaftueshëm pjesë e ofertave politike?
Hoti: Nuk dua të lëshohem në komentimin e programeve të partive të tjera, sepse vlerësoj se ato nuk janë programe, janë thjesht fletushka elektorale. Ekonomia zë vend qendror në politikat e qeverisjes së LDK-së. Bazuar në këtë filozofi, LDK-ja angazhohet fuqishëm për forcimin e ekonomisë së tregut në Kosovë, për promovimin e konkurrencës dhe integrimin në tregjet rajonale dhe globale. Sfida kryesore për qeverisjen e ardhshme mbetet gjenerimi i rritjes së nevojshme ekonomike.

Më Shumë

Mot sot me diell dhe pjesërisht vranët

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se sot do të ketë mot me diell dhe pjesërisht vranët. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet...

Ndahet nga jeta Hajdin Berisha, kryetar i NISMA-s në Malishevë

Hajdin Berisha, kryetar i NISMA Socialdemokrate në Malishevë është ndarë nga jeta. Lajmi është bërë i ditur nga NISMA përmes një njoftimi zyrtar, përcjell...

Lajmet e Fundit