I nderuari kryetar,
Siç mund te jeni informuar edhe ju, shumë nxënës të komunës së Malishevës kanë bojkotuar procesin mësimor këtë fillim-vit, për shkak të padrejtësive që po u bënë pushteti komunal disa mësimdhënësve atje, duke i larguar nga puna padrejtësisht. Mësohet se shumica e të larguarve janë anëtarë apo mbështetës të së njëjtës parti me ju – PDK-së. Çuditërisht, pak kilometra larg Malishevës, në Rahovec, hipokrizi e njëjtë po e karakterizon edhe stafin dhe institucionin që ju drejtoni. Në emër të “reformës”, Drejtoria e Arsimit në Rahovec po largon mësimdhënës nga puna padrejtësisht. Pra, siç mund të shihet, ka vetëm një dallim të vogël në mes të rasteve. Përderisa në Malishevë pushtetarët e NISMAS po diskriminojnë njerëz të PDK-së, në Rahovec pushtetarët e PDK-së po diskriminojnë njerëz të partive tjera. Ndoshta ju mund ta përdorni këtë fakt për të amnistuar vetën moralisht, duke thënë se ky është realiteti në gjithë Kosovën, unë nuk mendoj se krimi mund të arsyetohet duke përdorur si precedent një krim tjetër. Përkundrazi, një gabim i tillë do të mund të cilësohej si krim në vete.
Andaj, për të mos u zhytur edhe më tej në krime, ju ftoj që, në vend të arsyetimeve të pa baza, të merrni seriozisht këtë çështje, dhe të rishqyrtoni vendimet për punësime që ka marrë Drejtoria e Arsimit në ditët që lamë pas. Deri më tani me dhjetëra mësimdhënës janë ankuar në zyrën e Inspektoratit Regjional të Arsimit në Gjakovë. Një nga ata që mendojnë se u është bërë e padrejtë është edhe drejtuesi i kësaj shkrese.
Nga 26 vjet ymër që ka subjekti në fjalë, mbi 20 vjet i ka kaluar në bankat shkollore. Ka qenë bursist i Universitetit të Prishtinës, bursist i Universitetit Amerikan, bursist i Universitetit Anglez të Sheffieldit. Nga ky i fundit është shpallur student i dalluar një muaj më parë. Ka kryer me dhjetëra trajnime, shumicën e tyre jashtë Kosovës. Tani, si është e mundur që një kuadër me kualitete të këtilla të largohet nga puna padrejtësisht, dhe të zëvendësohet me një kandidat tjetër periferik, me më pak përvojë, me më pak shkollë, me më pak trajnime, dhe me notë mesatare më të ulët?
I nderuari kryetar, me lejo të të pyes publikisht, ngaqë me vite punoni si profesor universiteti, a mund të zhvillohet arsimi me ketë logjikë të veprimit? Ngaqë përgjigja e nënkuptueshme është Jo, atëherë pse lejoni veprime të tilla? A jeni të vetëdijshëm se po e bëni Kosovën vend të padëshiruar për rininë dhe të pashpresë për të jetuar normalisht? Siç e dini edhe ju, në kuadër të Qeverisë së Kosovës ekziston një program i veçantë që quhet “brain gain” (kthimi i trurit), misioni i të cilit është kthimi i kuadrove të shkolluara jashtë vendit. Përse ju po e bëni të kundërtën – sabotimin dhe refuzimin e trurit?
Ju bëjë thirrje kryetar që t’i shmangeni logjikës komuniste të veprimit, që persekutonte njerëzit e fjalës së lirë nën akuzat për propagandë dhe agjitacion. Një mentalitet i tillë e pat lënë Ukshin Hotin me vite pa punë në Krushë të Madhe, por sot përpiqet të përfitoj nga çdo meritë e tij.
Për fund, gaboheni nëse këtë letër e cilësoni reaksion timin emocional pas frustrimit nga humbja e vendit të punës, ngase unë nuk e kam atë hall. Punë mund të gjej shumë lehtë, nëse jo në Rahovec apo Kosovë, në cilin do kontinent të globit që do të ia mësyja. Halli im është se ku po mbetet shteti për të cilin u derdh shumë djersë e gjak. Ju jeni njëri ndër ata që i keni dal zot këtij vendi. Nëse me të vërtetë keni qenë i guximshëm për t’ia kthyer pushkën serbit, tregohu i guximshëm ndaj vetës për të mos u zhytur edhe më tej në padrejtësi.
Esheref Haxhiu
Rahovec, Shtator 2014