Kur hapat e saj nuk ndiheshin në shtëpi dhe kur pas orëve të gjata aroma e parfumit të saj zhdukej lehtë nga era, William e dinte ku mund ta gjente. Në kopshtin pas shtëpisë, ajo ishte aty duke u kujdesur për kopshtin e saj të vogël, ulur në karrigen e drunjtë e duke menduar.
Dikur flokët e saj shkëlqenin nga dielli, dhe aroma e luleve dukej sikur i shpërndahej kudo në trup. Kishte diçka që dukej sikur shkëputej nga natyra e futej brenda trupit të kësaj gruaje, diçka që William e ndiente sapo i afrohej. Ai e ndjeu se ajo ishte ndryshe që kur u takuan për herë të parë. Në Londrën e pas viteve ‘30, vajza e veshur me një fustan të thjeshtë nën gju, kishte diçka e cila djaloshit të ri Golding i kujtonte mëngjeset bri detit… Kjo ishte Ann Brookfield, kimistja të cilës William Golding do t’i kushtonte gjithë jetën. Ann do të ishte gjithnjë aty për të, jo vetëm si e dashura e tij e zemrës, por dhe si gruaja e cila do ta mbështeste në çaste jo të lehta të një karriere të gjatë. “Ann ishte ajo që i bënte gjërat e lehta”, do të shprehej shpesh William. Gruaja që dukej sikur zotëronte natyrën, ishte e aftë të zotëronte me aq butësi jo vetëm zemrën e një burri, por dhe jetën… Për kritikët, forca e Ann ndihet në gjithë letërsinë e shkruar prej tij. William Golding është një nga shkrimtarët më të njohur jo vetëm në Britani, fitues i çmimit “Nobel” në letërsi. Ai është ndër të paktët shkrimtarë që jo vetëm është përpjekur të lidhë karakteret njerëzore me ritmet e natyrës, por edhe e ka realizuar atë më së miri. Romancier, poet dhe dramaturg, në vitin 1980 fiton çmimin “Booker” për trilogjinë “Ritet e udhëtimit”.
Tre vjet më vonë, ai fiton çmimin “Nobel” në letërsi, duke u renditur në një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm britanikë. Në vitin 2008, gazeta “The Times” e rendit ndër “50 shkrimtarët më të mëdhenj britanikë që nga viti 1945”. William G. Golding lindi më 19 shtator 1911, në shtëpinë e gjyshes së tij, në Kornuoll. Babai i tij, Alec Golding, ishte mësues i shkencave ekzakte, ndërsa nëna, Mildred, u shqua si aktiviste feministe. Golding u arsimua në shkollën “Grammar Marlborough”, atje ku babai i tij ishte mësues. Fillimisht studioi shkenca ekzakte, por më vonë ndoqi kurset e anglishtes në Oksford. U diplomua më 1934-n dhe në verën e atij viti arriti të botojë veprën e parë, një përmbledhje me poezi, e cila u botua në Londër nga “Macmillan & Co”. Golding iu bashkua Marinës Mbretërore në vitin 1940 dhe ishte pjesë e sulmit në Normandi. Ai kishte një dashuri të fortë për detin dhe lundrimin. Menjëherë pas luftës iu kthye mësimdhënies dhe shkrimeve. Më 1953 dërgoi për botim dorëshkrimin e romanit “Perëndia e mizave” që iu refuzua kategorikisht. Pas shumë e shumë ndërhyrjeve, shkurtimeve dhe ndryshimeve në tekst, Golding arriti ta botojë një vit më vonë. Pas kësaj, vijnë romanet “Trashëgimtarët”, “Ritet e udhëtimit” etj. Suksesi i veprave që ishin botuar filloi ta shkëpuste shkrimtarin nga mësimdhënia. Kështu që në vitin 1961, Golding heq dorë nga posti i mësuesit dhe e kalon atë vit akademik në ShBA si shkrimtar në “Hollins College”, në Virxhinia. Për kritikën, ai është shkrimtari i imazheve të hollësishme të xhunglës njerëzore. Arti i tij është i mbushur me përshkrime të jashtëzakonshme, jo vetëm me ato të personazheve, por me përshkrimin e detajuar të një ferishteje apo me përshkrimin e një peme pranë detit. Ai ishte dhe është ende i njohur për simbolikën e fuqishme që përdor. Në të vërtetë, disa kritikë mendojnë se simbolizmi i tij është aq i fuqishëm sa ka aftësi që të shtypë një pjesë të mirë të punës së tij.
Vepra më popullore e tij është “Perëndia e mizave”, ku alegoria merr një status kult. Libri arriti të frymëzojë botën e filmit dhe në pak vite të realizohen dy filma bazuar në këtë roman. “Perëndia e mizave” është përkthyer në 26 gjuhë dhe është shitur në miliona kopje në mbarë botën. Kjo vepër u bë shumë shpejt standarde në kolegjet dhe shkollat e mesme. Romani portretizon një grup fëmijësh britanikë, të cilët gjenden të braktisur në një ishull për shkak të një aksidenti ajror gjatë një lufte globale bërthamore. Fëmijët, të vetëm, vendosin të krijojnë një shoqëri të organizuar dhe demokratike. Ata fillojnë të ndahen në grupe e të marrin përsipër rolet që u janë paraqitur. Dikush do të ruajë zjarrin, disa do të ndërtojnë çadra për të kaluar natën, ndërsa të tjerë do të shkojnë për të siguruar ushqim. Por fëmijët, të gjendur tërësisht pa rregulla dhe kontroll, fillojnë të ndihen të tensionuar. Situatat sa vijnë edhe përkeqësohen, aq sa edhe mbijetesa e tyre bëhet e vështirë. Vitet e fundit Golding i kaloi në heshtje me gruan e tij, Ana, në shtëpinë e tyre. Ndërroi jetë më 19 korrik 1993./shqip/