18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Libri i Pllanës arrin edhe në Finlandë

Pllana-MarttiAhtisaariLibri i Pllanës në duart e presidentit Martti Ahtisaarit

Që nga data 3 dhjetor 2013 libri historik “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999” zuri vend edhe në zyrën e presidentit Martti Ahtisaari, i cili krah hapur e pranoi këtë vepër historike.

Presidenti Ahtisaari u ndje shumë i nderuar nga autori, i cili ia dedikoi këtë libër të sajuar në shtatë gjuhë botërore (shqip, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, turqisht, serbisht e maqedonisht), ribotimi i pestë i tij.

Këtë “dhuratë” të dr. Pllanës, në një takim të veçantë, presidenti Ahtisaari ia përcolli veprimtarja e çështjes kombëtare, me banim të përkohshëm në Finlandë, Hasime Hoti. Posa e mori librin dhe e shfletoi me kureshtje, ai e dha këtë koment: “Kosovën gjithnjë do ta kem afër zemrës. Është një popull i shumëvuajtur, andaj e ka merituar pavarësinë e plotë”. Ai me keqardhje lajmëroi se më 14 dhjetor 2013, pavarësisht dëshirës për ta respektuar autorin e librit dr. Pllana, nuk do të ketë mundësi të vijë në promovimin e librit të tij, për arsye se në atë kohë gjendet në udhëtim zyrtar në Afrikë, shkruan Epoka e re.

Ai, i shokuar me përmbajtjen reale të këtij libri, shprehu gatishmërinë e tij që, në një të ardhme të afërt, ta takojë autorin e librit, prof. dr. Nusret Pllanën, mundësisht edhe bashkëpunëtorët e tij, për t’i shkëmbyer ca fjalë rreth këtij libri (sipas tij), i rëndësishëm jo vetëm për historinë shqiptare, por edhe për atë botërore.

Promovimi i librit “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999”

Më 14 dhjetor 2013 në bibliotekën STOA të Helsinkit, nën organizimin e Shoqatës Shqiptare “Adem Jashari” të Finlandës, të udhëhequr nga Sahit Zogejani, kryetar dhe Hasime Hoti, nënkryetare, Harun Osmani, Besim Gashi etj., u promovua libri i prof. dr. Nusret Pllanës “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999”, si dhe filmi dokumentar “Rrugëtimi i një libri nëpër botë”. Salla e kësaj biblioteke të bukur ishte e vogël për t’i zënë të gjithë të interesuarit, jo vetëm bashkatdhetarët tanë të ardhur edhe nga Suedia e Norvegjia, por edhe të huaj.

Promovimin e udhëhoqi suksesshëm në shqip e finlandisht Fatbardha Hetemaj, deputete e Asamblesë Komunale të Helsinkit, e cila, pasi i përshëndeti pjesëmarrësit, të cilët ishin të pranishëm në këtë promovim, e paraqiti edhe një biografi të shkurtër të autorit të librit në fjalë.

Fredrik Therman – poet, anëtar i PEN – Klubit finlandez, kryetar i Komitetit “Miqtë e paqes” të suedezëve të Finlandës, i cili derisa e vlerëson librin historik “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999”, mbeti i shokuar me përmbajtjen e tij dhe herë-herë ofshante thellë, duke mos u besuar as syve, se deri në çfarë mase mund të arrijë çmenduria e “bishave” me pamje njeriu, duke vrarë e masakruar fëmijë, pleq e plaka, vetëm pse ishin shqiptarë.

Ranbi Sodhi, deputet i Asamblesë Komunale të Vantes, pa mundur t’u ikte emocioneve që i kishin shkaktuar pamjet e qindra fotove tmerruese të këtij libri faktografik, shprehu bindjen e tij se përmbajtja e këtij libri e ilustruar në shumë gjuhë botërore do të jetë një mesazh i qartë për Evropën dhe botën përparimtare, se kjo lloj barbarie, ky tmerr i përmasave gjenocidale nuk bën t’i ndodhë askujt më në botë, siç i ka ndodh popullit të shumëvuajtur e të pafajshëm shqiptar.

Ndërkaq Terhi Stevander, këshilltare politike në Parlamentin e Finlandës, duke e vlerësuar lart librin “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999”, njëherësh shprehu respektin dhe konsideratën e thellë të autorit për punën kaq voluminoze e kaq përmbajtjesore të këtij libri monumental, i cili ka arritur të depërtojë pothuajse në të gjithë globin tokësor, duke u promovuar dhe shpërndarë të vërtetën e hidhur historike të popullit liridashës shqiptar për gati dy shekuj me radhë. “Është një libër që të lë pa frymë dhe që nuk duron shumë koment”, theksoi në fjalimin e saj Stevander.

Fadil Hoti, pasi mori fjalën, tha: “Është kënaqësi të kemi sot në mesin tonë këtu në qendrën e drejtësisë ndërkombëtare në Helsinki, një mysafir si ju prof. Nusret Pllana. Ju jeni njeriu që theu akullin shekullor me librin tuaj, i cili udhëtoi në më se 40 qendra kryesore evropiane dhe botërore, dhe tani gjendet në vitrinat dhe arkivat e bibliotekave më të njohura botërore. Pas historisë së Skënderbeut të Marin Barletit, kjo vepër historike, me rëndësi të veçantë shkencore për popullin tonë, na bën të njohur në gjithë botën, andaj jemi krenarë me juve dhe punën tuaj i nderuar prof. Pllana. Ju dëshirojmë punë të mbarë drejt këtij misioni të shenjtë që e keni filluar qe më shumë se një dekadë, për ta sensibilizuar opinionin përparimtar demokratik për barbaritë dhe mizoritë serbe mbi shqiptarët që nga viti 1844-1999, duke ushtruar gjenocid sistematik mbi popullin tonë, vetëm e vetëm pse ishim një racë e kundërt me ekzekutorin. Andaj, institucionet tona kompetente duhet ta ndjejnë një përgjegjësi të veçantë për vlerat e pakontestueshme shkencore të këtij libri, i cili nga shumë mirënjohje vendore e ndërkombëtare, e sidomos nga ajo e Bibliotekës Botërore të Kongresit Amerikan, u hap rrugë atyre që këtë libër ta shpallin ‘Libër i Shekullit’ për shqiptarët.

Prof. dr. Nusret Pllana në kohën e okupimit serb ishte i burgosur politik dhe i vuajti pesë vjet burgim të rëndë izolues në kazamatet serbe, në kohën e luftës çlirimtare ishte Zëri i Lirisë, në kohën e lirisë ishte PENA e Shekullit”.

Në fund të këtij promovimi historik në Helsinki, Fadil Hoti, veprimtar i devotshëm i çështjes kombëtare dhe përkthyes, shprehu gatishmërinë e tij për ta realizuar përkthimin e këtij libri edhe në gjuhën finlandeze.

Përshtypjet e saj pozitive për librin në fjalë i përcolli në sallë edhe studentja finlandeze, znj. Milla Tarvajnen.

Dhe krejt në fund e mori fjalën edhe autori, prof. dr. N. Pllana, duke iu falënderuar bashkëluftëtarit të tij, Bashkim Hotit, organizatorit për këtë promovim kaq të suksesshëm, e duke u përgjigjur pa përtesë edhe në shumë pyetje që i shtronin atij bashkatdhetarët tanë dhe të pranishmit e tjerë në sallë. Ai tha: “Ky libër nuk është i Nusret Pllanës, por është libër i shqiptarëve, sepse e kanë shkruar me gjakun e tyre të njomë hiç më pak se gjysmë milioni shqiptarë të vrarë nga barbarët serbë, midis periudhës së viteve 1844-1999, me zbatimin në praktikë të 24 elaborateve për zhdukjen kolektive të popullit tonë nga faqja e dheut. Megjithatë, e keni parë edhe vetë, të dashur miq, se ky libër nuk përmban asnjë ton të hakmarrjes dhe të revanshizmit, por ka vetëm një mesazh: që viktima dhe krimineli të mos barazohen kurrë që, fatkeqësisht, është jo vetëm insistim i Serbisë fashiste, por edhe i Evropës demokratike, e cila nuk po zgjedh mjete dhe metoda që këtë Serbi me virus gjenocidal ta fusë aty ku nuk e ka vendin, në familjen e madhe evropiane”.

“Ajo duhet të dënohet patjetër si shtet për gjenocidin mbi shqiptarët, e jo vetëm mbi shqiptarët, t’i lajë borxhet e mëdha morale e materiale për dy shekuj me radhë mbi shqiptarët e pastaj të fillojnë masat për demokratizimin dhe reformimin e saj dhe futjen e saj në familjen evropiane. Të dashur bashkatdhetarë, përveç familjes sime, një falënderim shumë i veçantë për përkrahjen e pakursyer morale e materiale, të gjithë këtij rrugëtimi tim maratonik, që ky libër të promovohet gjithandej botës, ju shkon pikërisht juve, vëllezërve dhe motrave tona nga e gjithë mërgata shqiptare, por edhe Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe rektorit të saj, prof. dr. Vullnet Ameti, që dhanë një kontribut shumë të çmueshëm për ribotimin e pestë të këtij libri. Mirupafshim në promovimet e radhës!”, është shprehur autori Pllana.

Më Shumë

Policia shqiptoi për 24 orë, mbi dy mijë e 200 gjoba në trafik

Policia e Kosovës njofton se për 24 orë, ka shqiptuar 2213 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente...

SBASHK-ende pa vendim për grevë në shtator

 Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës e Kulturës, ende nuk është në një mendje, nëse nga shtatori do të ketë grevë në arsim. Kreu i...

Moti sot me diell

Lajmet e Fundit