10.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Liderët në “luftë” për Prizrenin

Lideret ne PrizrenLideri i PDK-së, Hashim Thaçi, nuk ka ditë që nuk duket në Prizren. Ngado që ecë dhe kudo që shkon kërkon votën për kandidatin e subjektit të tij për kryetar të Prizrenit, Ramadan Muja.

Qyteti i Prizrenit është shndërruar në një fushëbetejë  në mes  liderëve të partive më të mëdha politike; Isa Mustafa (LDK), Ramush Haradinaj (AAK) dhe Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje!. Ata më shumë se kudo tjetër e vizitojnë këtë qytet dhe kërkojnë votën për kandidatët e tyre për Prizrenin.

Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, kërkon që me çdo kusht t’ia sigurojë edhe një mandat PDK-së dhe Ramadan Mujës në Prizren. Ai deri më tash ka vizituar disa fshatra dhe lagje të këtij qyteti. Në çdo takim, Thaçi ka premtuar se do të investojë projekte shtesë që vijnë nga qytetarët. Në tubimin e parë, ai para simpatizantëve të PDK-së, premtoi 100 milionë euro për Prizrenin. Në takimin e fundit me intelektualët, Thaçi është treguar edhe më dorëlirë,  premtoi dyfishin e shumës sa kishte premtuar në fushatën e parë zgjedhore. “Në mandatin e ardhëm do të investohen në Prizren 200 milionë euro, sepse ky qytet e meriton të investohet edhe më shumë, për të vazhduar të qenit kryeqytet shpirtëror i shqiptarëve”.

Ai,  iu ka bërë thirrje të gjithëve që të votojnë  PDK-në dhe Ramadan Mujën për Prizrenin. “Vota juaj për kryetarin Muja është votë dhe besim edhe për mua”.

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi,  edhe gjatë ditës së sotme, së bashku me partitë në koalicion, përuron rrugën në Pllanjanje dhe Shtëpinë e Kulturës në Manastricë.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, për dallim nga ai i PDK-së, Hashim Thaçi deri më tash e ka vizituar më pak Prizrenin. Ditën e parë të fushatës, Mustafa në Prizren, e shënoi duke shëtitur nëpër sheshin “Shatërvan” të Prizrenit  dhe duke vizituar dhe takuar banorët e fshatrave të Hasit. Pas tubimit zyrtar që ka mbajtur në “Shatërvan”, Mustafa nuk është dukur më në Prizren. Ai është i sigurt në fitoren e Eqrem Kryeziut. “Nga këtu i dërgoj selam Thaçit që të mos mundohet, sepse e ka të humbur Prizrenin”, ka thënë ai.

Pavarësisht bindjes në fitoren e Kryeziut, lideri LDK-së, Mustafa nuk ka mundur t’i ikë betejës që po zhvillohet për Prizrenin.  Ai, sot do të qëndrojë në fshatin Zhur dhe në lagjen “Ortakoll” në Prizren.

Qyteti i Prizrenit, nuk është lënë anash as nga lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i LDD-së, Nexhat Daci. Ata kërkojnë që të votohet kandidati i tyre për kryetar të Prizrenit, Lulëzim Kabashi. Përveç tubimeve që kanë mbajtur në Prizren, Haradinaj dhe Daci, vota për Kabashin kanë kërkuar edhe në fshatra. Ata së fundi kanë qëndruar në Has dhe Zhur. “Me qeverisjen e koalicionit AAK-LDD dhe kryetarit Lulëzim Kabashi, qyteti i Prizrenit do të ketë zhvillim ekonomik me të mirë”.

Vota për Lëvizjen Vetëvendosje! dhe kandidatin për kryetar të Prizrenit, po kërkon edhe lideri i kësaj lëvizje Albin Kurti. Sipas tij, shumica e udhëheqjes së Komunës së Prizrenit, sot është nën hetime, ose me aktakuzë të ngritur.

“Le të mos e presim fundin e procesit gjyqësor, por le t’ua shqiptojmë verdiktin e qytetarëve të Prizrenit më 3 nëntor. Le t’i zhveshim nga pushteti mbi Komunën, para se këta njerëz të korruptuar t’i veshin teshat e të burgosurve”.

Edhe Kurti deri më tash ka vizituar disa fshatra të Komunës së Prizrenit. Në çdo takim, ai u ka bërë thirrje që të votohet kandidati i Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj dhe kundër dy doktorëve të partive më të mëdha. “Për Vetëvendosje!-n, për Arbër Rexhajn, për numrin 61, për Prizrenin, e kundër këtyre dy doktorëve të krimit dhe korrupsionit”.

Analisti politik, Andnan Abrashi, betejën e liderëve të partive politike për Prizrenin e sheh si të natyrshëm.

“Prizreni është qyteti dytë për nga madhësia në Kosovë, prandaj është e natyrshme edhe kjo luftë e ashpër politike që aktualisht po zhvillojnë  subjektet politike  për marrjen e pushtetit në këtë qytet”, tha  Abrashi për “PrizrenPress”.

“Po të shikohet realisht, këtu kemi të bëjmë me një inat personal të liderëve të dy partive më të mëdha në Kosovë: Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës. Janë pra këta që me çdo kusht qytetarëve të Prizrenit detyrimisht dëshirojnë t’i kontrabandojnë (riciklojnë) dy personalitete tashmë të demoduar, politikisht të komprometuar dhe mbi të gjitha fizikisht edhe të shtyrë në moshë”.

Abrashi tha se Thaçi në këtë garë ka hyrë me 76 vjeçarin Ramadan Muja, dhe Isa Mustafa me Eqrem Kryeziun,  i cili po ashtu është i shtyrë në moshë.

“Muja, përveç moshës, ka edhe probleme serioze me drejtësinë, pasi  që është i akuzuar për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës  zyrtare nga mandati i kaluar,  kurse  Eqrem Kryeziu, përveç moshës nga shumica konsiderohet si një politikan i amortizuar i kohës së UNMIK-ut”.

“Thjeshtë këta janë produkte të kokëfortësisë individuale autokratike të liderëve të tyre (Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës) dhe tashti, nga vetë ata si iniciatorë kokëfortë, pozita e tyre duhet të mbrohet me çdo kusht – edhe me gënjeshtra dhe premtime qesharake”.  Sipas tij, të gjithë liderët e partive politike, fillimin e ndryshimit të gjendjes në Kosovë e shohin në Prizren.

“Po ashtu në këtë interesim të tyre të theksuar për Prizrenin, po ndikon edhe rritja e autoritetit të dy subjekteve politike që për herë të parë garojnë këtë vit në këto zgjedhje, Lëvizjes Vetëvendosje ! dhe BD-së së  Zafir Berishës, të cilët për nga përkrahja, seriozisht po rrezikojnë pozitën e këtyre dy partive megalomane që veten po e konsiderojnë favorit absolut”. /PrizrenPress.com/

 

 

Më Shumë

Liberalizimi i vizave, Kurti: Më shumë qytetarë po kthehen në Kosovë sesa që largohen

Kryeministri i Kosovës, njëherit edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LV-së ka thënë se prejse ka...

Si u vra para syve të gruas e vajzës? – Zbulohen detaje tronditëse të vrasjes së Beqir Morinës në Prizren

Beqir Morina u vra në mënyrë mizore me dhjetë plumba në kokë para syve të bashkëshortes dhe vajzës së tij 8-vjeçare. Aktakuza e Prokurorisë Themelore...

Lajmet e Fundit