Marshi do të niset nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe do të vazhdojë në drejtim të sheshit “Skënderbeu”.

Ideatorët e platformës “Liria ka emër, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë thënë se ish-krerët e UÇK-së nuk janë duke u përballur me procesin gjyqësor për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak se me emrat e tyre lidhet epoka më e ndritur e historisë sonë të re.

“Përkundër se populli shqiptar ka qenë viktimë e një lufte të imponuar, me vite të tëra, proceset gjyqësore të pabaza, i kanë përndjekur ndër vite ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kulmi i të cilave manifestohet me procesin e Dhomave të Specializuara, në të cilat aktualisht po mbahen ish- krerët e UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarë të tjerë”, ka thënë Eliza Hoxha.

Ideatori tjetër, Ismail Tasholli, ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë për mbrojtjen e jetës së njerëzve dhe për lirinë e vendit tonë dhe kjo është një e vërtetë historike të cilën duhet ta ruajmë si të tillë, sepse është një e vërtetë e gjithsecilit prej nesh – është e vërteta e Kosovës.

“Megjithatë, përbrenda vetë nesh, e kemi për obligim që të vërtetën historike e dinjitetin tonë kombëtar ta mbrojmë me përkushtim dhe pikërisht për këtë qëllim”, ka thënë Tasholli.

Në mbështetje të këtij organizimi ka dalë edhe kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, i cili, në një prononcim në rrjetin social Facebook, ka thënë se mirëpres dhe mbështes marshin për drejtësi të ftuar nga iniciativa “Liria Ka Emër”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po mbahen në Hagë, derisa ftoi  qytetarët e Kosovës që t’i bashkohen këtij marshi solidarizues, për të shprehur hapur mbështetjen dhe bindjen e palëkundur mbi pastërtinë dhe drejtësinë e luftës sonë çlirimtare!

“Liria dhe pavarësia e Kosovës qëndrojnë mbi përpjekjen shekullore të popullit tonë dhe sakrificës sublime të dëshmorëve dhe pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së.