Ka kohë që kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi kërkon mobilizim të partisë së tij për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ai tashmë ka filluar fushatën me premtimet e zakonshme që mbërrijnë shifra qindra milionëshe e të cilat kryesisht bazë kanë buxhetin e Republikës së Kosovës. Thaçi është në kërkim të votëbesimit për mandatin e tretë, ndërsa vazhdimisht flet për prurje të reja në PDK. E kur bëhet fjalë për largimet e figurave të rëndësishme nga kjo parti, ai flet pak ose më me dëshirë parapëlqen të hesht. Ai më shumë parapëlqen të flet për prurjet e reja në këtë parti, të cilat deri më tani nuk kanë krijuar ndonjë influencë politike. E mbase kjo heshtje zbërthen shumëçka, shkaku se nëse kthehemi në retrospektive, nga kjo parti brenda një kohe të shkurtër janë larguar shumë figura të shquara politike.
Rezultatet zyrtare përfundimtare të zgjedhjeve të para parlamentare në Kosovën e pavarur, të zhvilluara më 12 dhjetor 2010 konfirmuan fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila e morri për herë të dytë mandatin qeverisës. Sipas rezultatit zyrtar të zgjedhjeve, në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh shqiptarë kishin 95 deputetë, ndërsa minoritet 25, njofton portali Almakos. Nga subjektet shqiptare, PDK doli e para me 34 mandate, LDK 27, Lëvizja Vetëvendosje 14, AAK 12 dhe KKR (AKR) 8. Mirëpo, lëvizjet e shumta të deputetëve nga partitë bënë që kjo pasqyrë të ndryshojë në masë të madhe. Më së shumti lëvizje pati nga dy partnerët e koalicionit qeverisës, PDK dhe KKR (AKR).
Fillimisht, Muhamet Mustafa, nga grupi i ekspertëve “E15”, dhe anëtari i PD-së, Amir Ahmeti, u larguan nga Koalicioni për Kosovën e Re, ndërsa më pas edhe deputeti Emin Gërbeshi, nga radhët e AKR – së, braktisi këtë grup parlamentar. Këto largime sollën në pikëpyetje numrat e dy partive në koalicion për të qeverisur me vendin, mirëpo largimet e fundit nga radhët e PDK – së së Hashim Thaçit janë sinjalizim i qartë se kjo qeveri tashmë e ka të pamundur mbijetesën.
Por, cilat janë personalitetet politike që u dorëhoqën nga Partia Demokratike e Kosovës gjatë këtyre viteve dhe cilat ishin shkaqet që i quan ata drejt dorëheqjes? Portali Almakos sjell listën e emrave që ikën nga partia e Hashim Thaçit.
Padyshim se largimi më i bujshëm nga ky subjekt politik ishte ai i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, ish sekretarit të përgjithshëm të kësaj partie, Jakup Krasniqit dhe ish ministrit dhe deputetit, Fatmir Limaj. Kjo dyshe tashmë ka prezantuar ne opinion subjektin e tyre të ri politik, “Nisma për Kosovën” me të cilin pritet që të garojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Para se të largoheshin nga PDK, Krasniqi e Limaj e kishin akuzuar PDK – në për ngulfatje të demokracisë dhe për vendime totalitare.
Vetëm pak kohë pasi tashmë ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Lumnije Morina, kaloi në Lëvizjen Vetëvendosje, duke u bërë pjesë e Grupit Parlamentar të kësaj partie, edhe bashkëshorti i saj, Xhabir Morina, ka dhënë dorëheqje nga posti i zëvendësministrit në Ministrinë e Bujqësisë, dhe gjithashtu është larguar nga PDK-ja.
Po ashtu, nga PDK në mandatin e dytë qeverisës u largua edhe deputeti i kësaj partie, Nijazi Idrizi, me arsyetimin se atij i ishte ngulfatur hapësira e veprimit politik.
Nga të gjitha funksionet në PDK, kishte dhënë dorëheqje edhe Daut Xhemajli, ish zëvendësministër i drejtësisë në qeverinë e Kosovës, i cili njëkohësisht ishte edhe udhëheqës i degës së PDK-së në Viti.
Listës së personave që janë larguar nga PDK, ndërkohë që ishin bartës të posteve të rëndësishme publike i bashkohet edhe ish zëvendësministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ilir Mirena, që pati dhënë dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Degës së Partisë Demokratike në Kastriot.
Nga PDK – ja ishte larguar edhe veprimtarja e ilegales dhe ushtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sanije Rexha e cila pas luftës ishte njëra nga themelueset e Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Klinë dhe delegate e kësaj partie për dy mandate në Asamblenë Komunale të Klinës. Ajo është bashkëshortja e dëshmorit Abedin Rexha – Sandokani.
Naim Rrustemi ishte deputeti i parë që u largua nga PDK, në mandatin e parë qeveriësës të kësaj partie. Pas tij, pasoi edhe largimi i i nënkryetarit te PDK-së, dega në Ferizaj, pastaj deputeti Ismail Kurteshi.
Xhemajl Pllana është një prej delegatëve të grupit të PDK’së në Viti, i cili kishte dhënë dorëheqje nga kjo parti shkaku i zhgënjimit me bashkëpartiakët të cilët, sipas tij, ishin të prirë për interesa individuale dhe grupore.
Edhe Afërdita Veliu, këshilltare në Kuvendin Komunal të Prishtinës e pati braktisur Partinë Demokratike të Kosovës për të kaluar në “Vetëvendosje”.
Pushimin e aktivitetit në PDK, në vitin 2010 e kishte konfirmuar edhe Sadik Halitjaha, anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së, i cili kishte vendosur të largohet nga ky subjekt politik, për shkak të siç kishte deklaruar ai, sjelljeve të kryetarit të Partisë, Hashim Thaçi, respektivisht “tekeve të tij personale”, pasi që e kishin larguar nga lista për deputet.
Nga PDK ishte shkëputur edhe Zafir Berisha, i cili tash është në krye të Bashkimit Demokratik dhe njihet si një prej kundërshtarëve të hapur të ish kryetarit të tij, Hashim Thacit, me të cilin nuk pranoi të koaliciononte në Prizren në zgjedhjet e fundit lokale.
PDK, krahas numrit të madh të personave që e kanë braktisur këtë parti, po ashtu njihet edhe si rekordmene me numrin më të madh të kryetarëve të komunave që kanë probleme me ligjin.