9.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Malisheva e bindur se do të mbetet në Superligë

Fitorja ndaj Prishtinës në ndeshjen e parë të sezonit pranveror ka shtuar apetitet dhe entuziazmin të skuadra e Malishevës.

Skuadra e trajnerit Arsim Thaçi triumfoi ndaj kampionit aktual të Kosovës me rezultat 2-1 dhe një sukses i tillë ka bërë që motivi brenda kësaj skuadra të rritet edhe më shumë. Vetë Thaçi e pranon se ajo fitore dëshmoi se gjendja fizike dhe psiqike e lojtarëve është në nivelin e duhur dhe se me një qasje të tillë skuadra mund ta sigurojë mbetjen në Superligë, arritje kjo që sipas tij do të ishte historike për këtë klub.  “Me vetë faktin që e kemi fituar ndeshjen e parë kundër kampionit aktual, atëherë normal që gjendja e lojtarëve është shumë e mirë, sidomos motivi tash pas kësaj fitore normal që është në rritje e sipër kështu që presim tani ndeshjet tjera me radhë. Shpresojmë që të kemi fatin e njëjtë si ndeshjen me Prishtinën që gjërat të shkojnë ashtu siç i kemi planifikuar dhe normalisht që do të ishte historike që këtë vit Malisheva të jetë të paktën edhe vitin e ardhshëm të jetë pjesë e Superligës së Futbollit të Kosovës”, tha Thaçi.

Më tej Thaçi thotë se ardhja e Fidan Gërbeshit, Xhevdet Shabanit, Behar Maliqit dhe Labinot Ibrahimit gjatë afatit kalimtar të janarit ka rritur përvojën brenda KF Malishevës dhe tani po synohet që të arrihet një rezultat pozitiv edhe në sfidën direkte për mbijetesë, atë kundër Ulpianës në këtë vikend. “Pas ndeshjes me Prishtinën përgatitjet fillojnë për ndeshjen e ardhshme. Ndeshja e ardhshme është kundër një rivali direkt që e kemi për mbetje në elitën e futbollit të Kosovës, është Ulpiana, një ekip që e vlerësojmë shumë, ka lojtarë cilësorë në mesin e skuadrës siç është Santos, njëri prej qendërsulmuesve që e vlerësoj shumë edhe kuptohet që e kemi rival direkt. Jemi duke u përgatitur, të paktën ato dobësitë që janë shfaqur në ekipin tonë në ndeshjen ndaj Prishtinë të mos shfaqën ndaj Ulpianës dhe një fitore kundër Ulpianës do të na jepte një komoditet për vazhdimin e kampionatit”.

Nga ana tjetër, njëra na ofrimet më të rëndësishme gjatë afatit kalimtar të janarit te Malisheva, Behar Maliqi, thotë se është i bindur që me fondin e lojtarëve që i ka në dispozicion, Malisheva do të arrij që ta sigurojë qëndrimin në Superligën e Kosovës.  “Ndeshja e ardhshme kundër Ulpianës, do të mundohemi që ta respektojmë maksimalisht Ulpianën, por qëllimet tona dihet që nga ndeshja në ndeshje të arrijmë rezultatet maksimale dhe ta sigurojmë ekzistencën sa më herët që është e mundur…Duke parë fondin e lojtarëve momentalisht që është besoj që do ta sigurojmë ekzistencën në Superligën e Kosovës”, theksoi Maliqi.

Pas 19 xhirove të zhvilluara, Malisheva ka mbledhur 22 pikë dhe renditet në vendin e shtatë në tabelën e Superligës së Kosovës, vetëm tri pikë larg zonës së rrezikshme për rënie nga kategoria elitare e futbollit kosovar.

Më Shumë

Lajmet e Fundit