11.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Malishevë, VV e vetmja alternativë për ndryshime rrënjësore

BalinceKandidati për Kryetar të Komunës së Malishevës, Alban Krasniqi, i shoqëruar nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi, nga anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Gani Krasniqi, si dhe nga kandidatët për Kuvendin Komunal, Habib Kryeziu dhe Mentor Shala, vizituan fshatin Mleqan, ku shpalosën alternativën qeverisëse për Komunën e Malishevës.
Gjatë fjalës së tij, deputeti Rexhep Selimi potencoi se qeverisja në ikje, në shumë raste edhe po i shantazhon qytetarët me largimin e tyre nga puna ose të të afërmve të tyre, nëse nuk votojnë për ta.

“Por, ju e keni shansin që në 3 nëntor t’i largoni vetë ata nga puna. Vetëm duke votuar Alban Krasniqin dhe duke u vendosur, së bashku me të në krye të punëve tuaja, mund të ketë zhvillim për Mleqanin dhe gjithë Komunën e Malishevës”, u shpreh Selimi.

Po ashtu, ai theksoi se Lëvizja Vetëvendosje është e përgatitur që ta mbrojë votën dhe angazhohet për një proces demokratik e të drejtë.

“Ne, me komisionerët dhe vëzhguesit tanë, do të ruajmë votën dhe nuk do të lejojmë të përsëritet vjedhja e votave si në zgjedhjet e kaluara”, përfundoi Selimi.

Anëtari i kryesisë, Gani Krasniqi, u shpreh se mbështetja e tij për Lëvizjen Vetëvendosje vjen për shkak se ajo është alternativa e vetme në rrugën e idealeve dhe përpjekjeve të shqiptarëve për dinjitet e liri, për mundësi të reja dhe zhvillim të vendit. Për këto arsye, ai ftoi edhe qytetarët e Mleqanit që më 3 nëntor t’i bashkohen ndryshimit, të cilin mund ta sjellë vetëm Lëvizja vetëvendosje.

Kandidati i Vetëvendosjes për Kryetar të Komunës së Malishevës, Alban Krasniqi, duke shpalosur programin, tha se Lëvizja Vetëvendosje në alternativën qeverisëse ka nxjerrë disa prioritete, të cilat kanë për fokus punësimin, mirëqenien, shëndetin dhe edukimin e qytetarëve të Malishevës.

Ai gjithashtu u shpreh se fshati Mleqan, njëjtë si gjithë fshatrat tjera të Komunës së Malishevës, gjatë qeverisjes së VETËVENDOSJE!-s nuk do të anashkalohet, siç ka ndodhur deri më sot nga pushtetit në ikje. “Përkundrazi, zhvillimi që zotohemi t’i sjellim gjithë Komunës, do të përfshijë edhe këtë fshat, i cili ka dhënë gjithmonë një kontribut të rëndësishëm në të mirë të vendit, si në kohë lufte ashtu edhe në kohë paqeje”, tha Krasniqi, i cili ftoi banorët e Mleqanit që të dalin masivisht në zgjedhje, duke thënë se “me daljen sa më masive në zgjedhjet e 3 nëntorit, ju do të keni mundësi ta bëni ndryshimin që i duhet Malishevës. Lëvizja Vetëvendosje ka alternativë, Lëvizja Vetëvendosje është e vetmja alternativë për ndryshime rrënjësore!”.

Më Shumë

Kurti vazhdon ta mbajë banesën 67 metërshe, deklaron 1.551 euro në bankë e kredinë deri në 2052-në

  Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Kreu i qeverisë ka deklaruar se pasuri të...

Ramush Haradinaj shkon në Sallagrazhdë për ta nderuar veprën e Fadil Vatës

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shkuar në Sallagrazhdë të Suharekës, për të nderuar vepren e heroit të kombit, Fadil Vata. Përmes një postimi në...

Lajmet e Fundit