17.8 C
Prizren
E hënë, 20 Maj, 2024

Mandatet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës

DitarDitar Kabashi
Konsolidimi i një shteti me tërë barrën institucionale nuk është gjë e lehtë. Faktorët historikë, politikë, socialë e ekonomikë gjithsesi se përcaktojnë sistemin dhe rendin juridik të një organizate siç është shteti. Fuqia vetëvendosëse e një populli lidhet doemos me mundësitë e tij për të realizuar vullnetin e vet për rendin shtetëror e shoqëror, për të zhvilluar jetën ekonomike dhe për t’i zgjidhur vetë çështjet në kompetencë të brendshme.

Ne si Kosovë, kemi kaluar e mbase dhe vazhdojmë të kalojmë në një proces tranzicioni, fillin e të cilit e përcaktojmë disi, por fundin e tij sikur nuk po e shohim dot. Në periudha të tilla (kuptohet me specifikat e rrethanave të tjera) kanë kaluar pothuajse të gjitha shoqëritë që kanë mëtuar të themelojnë shtet. Zatën, kalimi nga një sistem politik në tjetrin, apo nga një shtetësi faktike në tjetrën, pashmangshmërisht imponon ujdi, të cilat mund të mos jenë në favor të një pjese të shoqërisë, qoftë ajo edhe shumica e saj.

Në kuadër të sfidave të mëdha të ndërtimit e fuqizimit të një shteti ligjor e demokratik, tash e një kohë është edhe çështja e reformës zgjedhore, ndryshimeve kushtetuese e disa të tjera. Tani më që po afrohen zgjedhjet parlamentare, subjekte të caktuara dalin me hesapet e tyre për të siguruar përsëri mandate në kolltuqet komfore të sallës së Kuvendit të Kosovës. Pagat e mira, të kurorëzuara edhe me mëditjet joshëse, imponimet politike në administratën e stërngarkuar të vendit, drekat zyrtare e udhëtimet e tilla jashtë vendit, mund të jenë shkase të ‘sakrificës për popull’ të një pjese të kandidatëve për deputetë.

Në këtë aspekt, që tani ka filluar edhe debati për ruajtjen apo jo të mandateve të rezervuara për minoritarët në Kuvend. Aktualisht, nga 120 deputetë sa janë, 20 vende janë të rezervuara për përfaqësuesit e pakicave.
Profesor Arsim Bajrami e shpjegon qartë ndarjen e mandateve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës:

“Në Kuvendin e Kosovës ekzistojnë dy lloj të mandateve parlamentare: mandatet që burojnë nga zgjedhjet dhe që kanë legjitimitet demokratik, dhe mandatet e rezervuara, të cilat paraqesin koncesion që nuk përkon me rregullat e demokracisë parlamentare dhe praktikën ndërkombëtare parlamentare. Mandatet e garantuara paraqesin një zgjedhje politike dhe një koncesion ndaj pakicave për të inkurajuar ato për integrim brenda institucioneve të reja demokratike të Kosovës. Mirëpo një praktikë e tillë bart në vete rrezikun e reproduktimit të një sistemi të demokracie parazitare, që mund të jetë një deformim i një demokracie të mirëfilltë”. (“Parlamentarizmi”, Prishtinë, 2010, fq. 400.)

Ky sistem i ndarjes mund të jetë i arsyeshëm për këto vite që i kaloi Kosova. Por, tani parashtrohet çështja nëse vërtet ende ka nevojë për ambientim (lexo: akomodim) të përfaqësuesve minoritarë në institucionet e vendit në këtë mënyrë. Sa është e drejtë kjo? 14 vjet që nga përfundimi i luftës dhe 6 vite nga shpallja e shtetit, a nuk mjaftuan që të gjithë qytetarët të ndihen të barabartë?
Nëse ka vende të rezervuara, atëherë bëhet diferencim edhe në vullnetin popullor. Pra, ta zëmë, që një shqiptar të zgjidhet deputet, duhet të fitojë shumë më tepër vota se kolegu i tij minoritar.

Ku mbeti barazia e votës? Apo ç’u bë me mosdiskriminimin në baza etnike? A flitet më për inkurajim të pakicave për t’u integruar, apo po forcohet një ‘demokraci parazitare’?

Kjo situatë lë të kuptohet në dy mënyra: e para, Republika e Kosovës, nuk i paskësh bindur deri tani qytetarët e saj minoritarë se do t’ua garantojë të drejtat e tyre edhe pa vendet e tyre të rezervuara, dhe e dyta, përfaqësuesit e minoriteteve, duke shfrytëzuar të gjitha mjetet e pazarllëqeve politike me liderët e partive shqiptare, dëshirojnë të vazhdojnë të ndajnë kulaçin, duke marrë pjesë të majme nga sofra e begatë institucionale e këtij populli të vobektë.

Që të dyja mënyrat janë shenjë jo e mirë për Kosovën. Dëshiroj të jetoj në një vend ku organi më i lartë legjislativ – Kuvendi, të jetë reflektim i verdiktit demokratik popullor, pa ndasi në baza etnike të përfaqësuesve aty. Duhet të gjejmë kurajën të ndërtojmë një shoqëri mbi baza të qytetarisë së mirëfilltë, ku asnjë komunitet të mos pretendojë epërsi apo privilegje juridike e politike në baza etnike ndaj tjetrit. E kjo më pas do të reflektonte edhe në institucione.  Uroj që Kuvendi i Kosovës të shquhet për efikasitet në punë, e jo të jetë çerdhe e trajtimit luksoz të 120 vetave aty.

 

Më Shumë

Vizita e kryetarit të AAK, Ramush Haradinaj, në fabrikën ‘Proton Cable’: Një model i suksesit ‘Made in Kosova'”

Kryetari i AAK, Ramush Haradinaj, vizitoi sot fabrikën "Proton Cable" në Prizren, me pronarë vëllezërit Fatos, Sami e Besim Dida. Kjo fabrikë prodhon mbi...

Regjistrimi i popullsisë zgjerohet në dy objektet e Komunës së Prizrenit

Procesi i regjistrimit të popullsisë është bërë edhe më i lehtë për banorët e Prizrenit. Koordinatori i komisionit komunal për regjistrimin e popullsisë, Haxhi Seferqaj,...

Lajmet e Fundit