7 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Mbetet problem licencimi i mësimdhënësve të profileve joarsimore

MASHT-KosoveMinistria e Arsimit ka arritur që deri më tani të bëjë licencimin e më shumë se 17 mijë mësimdhënësve. Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, thotë për Radio Kosovën se ky proces është realizuar me shumë sukses. Por, ky proces ka pasur edhe vështirësitë e veta, pasi mbetet ende problem licencimi i mësimdhënësve të profileve joarsimore.

Mësimdhënësit e kimisë inxhinierike, fizikës inxhinierike, biologjisë aplikative, të cilët të diplomuar në profilin jo arsimor kanë punuar në proces mësimor për disa vjet, nuk janë licencuar ende. Kjo kategori e mësimdhënësve mund të rrezikojnë vendin e punës.

Zëvendësministri i arsimit, Nehat Mustafa, thotë për Radio Kosovën se Këshilli Shtetëror i Licencimit dhe Ministria duhet t’u japin përgjigje disa dilemave se çfarë do të bëhet me mësimdhënësit e arsimit profesional, pastaj me disa drejtime të arsimit joprofesional.

“Është ideja që ata nuk i kanë ndjekur studimet në profilin mësimor. Kemi raste të shumë pedagogëve që punojnë si mësues. A do të licencohen ata? Nëse po, a do të licencohen si mësimdhënës apo pedagogë? Nëse licencohen si mësimdhënës ata që janë në proces, çfarë do të jetë numri i trajtimeve që ata do të obligohen t’i ndjekin, sidomos në lëndët matematikë dhe gjuhë shqipe? Çfarë do të ndodhë me ata që i kanë përfunduar studimet në kolegje private? A janë ato programe që ata i kanë përfunduar të akredituara? Pra, janë disa çështje për të cilat po presim që Këshilli i Licencimit t’i japë përgjigje dhe t’i shndërrojë në një vendim që do të jetë i obliguar ta zbatojnë të gjithë”, tha Mistafa.

Mësimdhënësit e këtyre fushave janë drejtuar në departamentet e Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore, duke kërkuar zgjidhje. Udhëheqësi i departamentit të fizikës në këtë fakultet, Naim Syla, thotë për Radio Kosovën, se të diplomuarit në drejtimin inxhinierik kërkojnë të transferohen në drejtimin arsimor, për të ruajtur vendin e punës duke iu pranuar kështu provimet e dhëna në inxhinierik dhe duke dhënë shtesë të tjera provime për të kompletuar programin e drejtimit arsimor në afat prej katër vjetësh. Udhëheqës të këtij fakulteti mendojnë se do të ishte një zgjidhje e mirë nëse Ministria e Arsimit këtyre mësimdhënësve t’iu japë afat shtesë prej dy vjetësh që të plotësojnë provimet e nevojshme për t’u kualifikuar si mësimdhënës.

Zëvendësministri i arsimit, Mustafa, thotë se e kupton shqetësimin e mësimdhënësve që kanë këtë problem, por Ministria nuk ka arsye t’i trajtojë më shumë urgjencë.

“Në fund të fundit, kur ata kanë shkuar në një drejtim joarsimor me kohë e kanë ditur se vendi i punës primar nuk do të jetë arsimi. Natyrisht ne jemi duke analizuar modalitetet e ndryshme. Ta zëmë, për pedagogë ka propozime që ata të cilët kanë më shumë se tre vjet përvojë pune si mësues të licencohen si mësues, por me kusht që p.sh në një periudhë njëvjeçare të detyrohen t’i ndjekin së paku 100 orë mësim plotësues nga një program i hartuar nga Fakulteti i Edukimit”, tha ai.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit, ka arritur që deri më tani të bëjë licencimin e më shumë se 17 mijë mësimdhënësve. Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, tha se ky proces është realizuar me shumë sukses. Ai sqaroi se me udhëzimin administrativ është paraparë të jenë katër shkallë të licencave, ku çdo kalim nga një shkallë e licencës në tjetrën do të përcillet me rritje page prej 10 për qind.

Sipas tij, procesi i licencimit ka pasur shumë anë pozitive, pasi është krijuar baza e të dhënave me të gjitha shënimet e mësimdhënësve të Republikës së Kosovës. Mustafa tha se me krijimin e kësaj baze të të dhënave do të jetë më i lehtë edhe kalimi i një mësimdhënësi nga një komunë në komunën tjetër.

Më Shumë

Mbyllen 34 qendra masazhi dhe lokale me muzikë nate

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim më Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë e...

Zafir Berisha garën për deputet e fillon nga vendlindja

Kandidati për deputet i koalicionit Nisma-AAK, Zafir Berisha, ka filluar betejën politike për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 nga fshati i lindjes, Billushë. “Ky është...

Lajmet e Fundit