Mësimdhënësit kosovarë po deklarohen për grevën në arsim në qoftëse qeveria nuk zbaton Kontratën Kolektive në këtë sektor nga ky muaj. Nëpër komuna të Kosovës përfaqësitë e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) kanë marrë qëndrimin e anëtarësisë lidhur me grevën.
Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj ka thënë për “Zëri” se do të presin vetëm deri nesër ( enjten) dhe pasnesër që të kenë takime me zyrtarë të qeverisë për çështjen e kërkesës për zbatimin e kontratës kolektive që kjo sindikatë ia ka adresuar qeverisë. “Ministria e Financave, Ministria e Arsimit dhe Komunat po të duan mund të sigurojnë buxhetin për zbatimin e kontratës”, thotë Jasharaj. Jasharaj thotë se vetëm kompensimi për shujtën e mësimdhënësve për një vit kap vlerën e 10 milionë eurove, për 29 mijë mësimdhënës në sektorin e arsimit.
Por, jetësimi i plotë i kontratës parasheh edhe disa milionë tjera për zbatimin e pikave të tjera sikurse tri pagat para pensionimit, apo edhe udhëtimi.
“Në qoftëse nuk kemi përgjigje zyrtare nga qeveria se do të zbatohet kontrata atëherë në mbledhjen e Këshillit Drejtues të sindikatës që e kemi thirrur për të shtunën sipas rregullores autorizohet kryetari i SBASHK-ut që të marrë vendimin për greva”, ka thënë ai.
Ndërkaq, përfaqësuesi i sindikatës në komunën e Suharekës, Sadik Shala thotë se në këtë komunë mësimdhënësit janë deklaruar me nënshkrime se me këmbëngulje duan zbatimin Kontratës Kolektive dhe se janë për grevën, nëse kontrata nuk zbatohet. Edhe në komuna të tjera SBASHK konfirmon se anëtarësia (mësimdhënësit) po deklarohen për grevën. /Zëri/