Mësimdhënësi i Edukatës Fizike Ardian Basha ka paditur Drejtorinë e Arsimit në Suharekë për nxjerrje të padrejtë nga puna, rast mbi të cilin u mbajt sot seanca gjyqësore në Gjykatën Themelore Suharekë.
Paditësi Ardian Basha, mësimdhënës i edukatës fizike, kishte pranuar vullnetarisht që të kalojë prej shkollës së mesme teknike “Skënder Luarasi” në shkollën profesionale në Shirokë, në vitin 2014, kur kjo shkollë u nda në dy.
Ai ishte renditur i dyti për nga përvoja për aktivin e edukatës fizike, të cilin e kishte nënshkruar drejtori i shkollës teknike “Skënder Luarasi”, Gëzim Sopa. Sipas listës, nëse normativi i orëve zvogëlohet, arsimtari që është i fundit në listë mbetet pa punë.
Basha pretendon se iu kishte mohuar kjo e drejtë, pasi tani është renditur i treti për nga përvoja.
Në seancë u paraqit në cilësinë e dëshmitarit, drejtori i shkollës Gëzim Sopa, i cili dy herë nuk i është përgjigjur ftesës së gjykatës, ndërsa sot erdhi me vonesë, vetëm pasi e ftoi gjykatësi përmes telefonit.
Drejtori e pranoi se lista është krijuar nga ai, dhe është bazuar në bazë të përvojës së punës në shkollën teknike.
“E kemi hartuar edhe një listë, ku në bazë të përvojës së punës e kemi hartuar në ‘Skënder Luarasi’”, tha ai.
Por, i njëjti nuk u përgjigj në pyetjen e gjykatësit, se pse kjo listë nuk është respektuar në shkollën profesionale, kur dihet, që askush vullnetarisht, nuk dëshiron me dëmtuar veten.
Avokatja e paditësit, Nadire Hoxha, tha për KALLXO.com se drejtoria e shkollës, nuk e ka zbatuar listën për renditje të mësimdhënësve.
“Të njëjtit i është bërë një padrejtësi, edhe pse ka qenë i radhitur i dytë sipas nënshkrimit dhe kushteve, të cilat i ka parapa drejtorit i shkollës Gëzim Sopa, të njëjtat nuk janë zbatuar dhe të njëjtin e kanë radhitur të tretin”, tha avokatja.
Avokati i komunës, Selajdin Gallapeni, i cili përfaqëson edhe Drejtorinë e Arsimit, tha se komuna nuk është në dijeni se ka ekzistuar një listë e tillë, por në seancën e ardhshme do ta njoftojmë gjykatën nëse me një listë të tillë ka qenë e njoftuar Drejtoria e Arsimit.