Vdekja e 17-vjeçarit Selldi Alija në vendin e punës ka vënë në alarm shoqërinë. Ai dje u varros në Lubizhdë të Prizrenit me nderime qytetare, pasi që dy ditë herët ka vdekur aksidentalisht në vendin e punës. Policia vetëm ka konfirmuar rastin dhe fillimin e hetimeve. Selldi Aliaj, sipas familjarëve të tij, ka punuar për të siguruar të hollat për shkollim, pasi që ai ishte nxënës i Medresesë dhe ishte nga një familje me gjendje të rëndë ekonomike. Ishte djalë i vetëm i familjes dhe vëlla i dy motrave. Hetimet e para tregojnë se Selldi Aliajn e ka marrë mikseri që e pret stiroporin, në kompaninë “SatStyro” në Mushnikovë të Komunës se Prizrenit.
Zëdhënësi i policisë Hazir Berisha për “Kosova Sot” theksoi se policia ka pranuar këtë informacion bëhet fjalë për një vdekje aksidentale. Viktima është lindur në vitin 2001. Të dielave familja priste të afërm që po ngushëllonin familjen Aliaj, për 17-vjeçarin. Refki Alija tregon se 17- vjeçari kishte qenë nxënës në shkollën e mesme “Alaudini”. Lidhur me këtë reagim kanë bërë edhe KBI në Prizren. Besim Berisha duke shprehur ngushëllimet ka thënë se rasti i tij duhet të jetë alarm për humbjet e jetëve. I mituri kishte dy javë që kishte filluar punën në fabrikën e stiroporit në fshatin Mushnikovë “Sat Styro” të komunës së Prizrenit. Këtë punë e kishte filluar për të marrë një pagë prej 250 eurosh, kishte menduar t’i ndihmojë familjes për të dalë nga kushtet e varfra në të cilat ai me dy motrat më të reja dhe prindërit po jetonin.”Ky është rasti më i rëndë që ka ndodhur deri më tash në Kosovë për një punëtor në vendin e punës. Kjo është edhe më e rëndë sepse ka humbur jetën i vetmi djalë i familjes dhe ka humbur jetën në një vend të punës, pasi ka dashur që familjes së vet t’ia ofrojë një ndihmë sociale”, është shprehur Berisha.
Presin raportin e Inspektoratit
Kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi, ka thënë se ky rast i ka shokuar dhe është vështirë të gjejnë fjalë ngushëllimi për familjen. Ai thotë se ky është një mesazh për punëtorët e Kosovës, por megjithatë është një mesazh për punëtorët e Kosovës që të ruajnë jetët e tyre, sepse shteti dhe pronarët e kompanive nuk po e bëjnë këtë.”Thërrasim që raste të tilla të mos ndodhin kurrë, edhe pse e dimë që raste të tilla ndodhin në botë, por sikur ky rast në aspektin ligjor dhe njerëzor është rast tepër i rëndë dhe nuk e di që qeveria çfarë do t’i thotë familjes së këtij punëtori të vdekur”, ka thënë ai. Lidhur me vdekjen e të riut Selldin Alija, prokurori nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, Petrit Kryeziu, për “Kosova Sot” është shprehur se janë në pritje të raportit nga Inspektorati i punës. Në vendin e ngjarjes kanë marrë pjesë prokurori kujdestar i krimeve të rënda, emergjenca, zjarrfikësit, policia dhe mjekësia ligjore. Viktima është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”.
“Tash për tash nuk ka bazë për ndonjë arrestim”
Kryeziu thekson se Policia nën mbikëqyrjen e Prokurorisë është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për të konstatuar gjendjen faktike në rastin konkret.”Prokuroria për momentin nuk ka persona të ndaluar apo të dyshuar konkretë. Prokuroria do të veprojë tutje me qëllim të zbulimit të ndonjë vepre penale dhe të ndonjë kryesi eventual, varësisht nga rezultatet dhe provat e siguruara”, tregon prokurori Kryeziu. Megjithatë, Prokuroria e Shtetit gjatë ditës së djeshme e ka intervistuar pronarin e kompanisë së polistilorit poroz (stiroporit) në Mushinikovë të Prizrenit. Prokurori i kësaj lënde për krime të rënda në Prizren, Metush Biraj, theksoi:”Pronari i kompanisë ka ardhur në Kosovë. Tash ai është duke u intervistuar nga ana e Prokurorisë. E kam autorizuar policinë që t’i bëjë hetimet paraprake hulumtuese. Pronarin dhe dëshmitarët të gjithë do t’i dëgjojmë”, thotë Biraj. Ai sqaron se gjatë ditës së djeshme inspektorati i punës ka shkuar në vendngjarje.”Tash, pas veprimeve, po presim. Ndërkohë që kemi dhënë urdhër që të ndalen punimet në atë kompani. Njëherë për njëherë nuk ka bazë për ndonjë arrestim”, thotë prokurori i këtij rasti. Kurse qytetarët tashmë kanë ngritur alarmin edhe për faktin se si kjo vdekje ka rënë në heshtje dhe nuk është ngritur as zëri i Qeverisë e as i Komunës së Prizrenit.
(Kosova Sot)