Drejtori Artistik i festivalit të filmit të shkurtër dhe dokumentar DokuFest, Veton Nurkollari përmes një adresimi publik u ka shprehur mirëseardhje pjesëmarrësve të edicionit të sivjetmë. Ai ka bërë të ditur se ky edicion sjell cilësi dhe prurje të reja të cilat do të lënë mbresa tek publiku.
Drejtori Artisitik i festivalit të filmit të shkurtër dhe dokumentar DokuFest, Veton Nurkollari përmes një adresimi publik u ka shprehur mirëseardhje pjesëmarrësve të edicionit të sivjetmë.
Ai ka thënë se ky edicion do të sjell te publiku tematika të ndryshme përmes filmit përderisa është shprehur i sigurt se publiku do të ketë rastin të shijojë një program të pasur. Nurkollari ka theksuar se shumë nga filmat sivjet do të trajtojnë temën e terrorizmit fenomen ky që po e trondit botën.
Dokufest-i sivjet shënon një dekadë e gjzsmë. Ky festival është ngjarje e suksesshme kinematografike e cila ka ngjallur jetën kulturore në Prizren dhe jo vetëm, duke u bërë pikë reference për vendet e rajonit dhe më gjerë nga vendet e ndryshme të botës.
Në vijim keni fjalimin e plotë të drejtorit artistik të DokuFest-it, Veton Nurkollari
Mirësevini në edicionin e 15-të të DokuFestit!
Ka ardhur periudha e vitit për t’ju shprehur mirëseardhjen në edicionin e pesëmbëdhjetë të festivalit, këtë edicion jubilar për të cilin kemi punuar në mënyrë të palodhur dhe me plot pasion, që t’ju sjellim juve dhe audiencës sonë një program të pasur dhe të larmishëm, detajet e të cilit do t’i gjeni në faqet në vijim. Sepse ka qenë pasioni çka në fakt na ka shëndrruar nga një ngjarje e vogël tre-ditore e mbajtur në një vend të vetëm, në këtë festë kulminante të filmit dhe muzikës, dhe të artit dhe kulturës. Dhe e gjithë kjo duke ndodhur në një cep të vogël të botës, në një shtet ende të tronditur nga e kaluara e saj dhe që vazhdon të ballafaqohet me korrupsionin endemik, i cili po e kërcënon vet të ardhmen e qytetarëve të saj.
Prandaj nuk është çudi që Korrupsioni është tema kryesore e festivalit dhe do të trajtohet në shumë forma të ndryshme dhe nëpër të gjitha pjesët e festivalit: programi special i filmave i titulluar Fuqia, Korrupsioni dhe Rrenat, debatet dhe diskutimet në panel; lojëra fëmijësh dhe shumë ngjarje tjera do adresojnë këtë dukuri të përhapur globalisht dhe shkatërrues sikur kanceri. Edhe njëherë miku ynë i dashur dhe regjisori fitues i Bafta-s Daniel Mulloy ka krijuar një tjetër fushatë goditëse vizuale që përputhet me temën e festivalit.Përderisa po e kompletonim programin tonë më ambicioz deri më tani, lajmet e të shtënave dhe të një sulmi tjetër terrorist qarkullonin tek transmetuesit tanë, duke e bërë kështu frigën të vetmen konstante të kësaj bote. Prandaj nuk është për t’u befasuar që një numër i filmave nga përzgjedhja e këtij viti sillen rreth kësaj teme.
Do të shfaqim filma për vrasjet masive dhe militarizimin në rritje të policisë në SHBA; për luftërat dhe mizoritë e tyre në Lindjen e Mesme dhe anembanë botës; filma për njerëzit që dëshpërimisht përpiqen të ikin në Europë si dhe filma për atë të njëjtën Europë, që është e hutuar dhe në mosbesim, pa ditur se si të ballafaqohet me këtë. Po ashtu do të shfaqim një film për kamikazët e Al-Qaedas në Siri përderisa ata tentojnë që t’a shpërthejnë veten dhe të tjerët, sikurse që do të shfaqim edhe filma për politikanë të korruptuar dhe diktatorë të çmendur.
Fakti që regjisorët e dokumentarëve kanë qenë atje për t’i xhiruar të gjitha këto tregime dhe për të na i sjellë neve është edhe një dëshmi që ky është një prej profesioneve më të vështira dhe më të rrezikshme, por edhe më fisnike,dhe arsye shtesë që ne të vazhdojmë lartësimin dhe kremtimin e tyre në festivalin tonë.
Në gjashtë programet garuese do të gjeni shumë filma që janë të dashura për zemrat tona dhe të cilat me krenari i ndajmë me juve. Filmbërësit e njohur dhe ata të shpërblyer janë aty, njëjtë si një numër i filmbërësve të rinj dhe premtues, punën e të cilëve poashtu e ndajmë me kënaqësi.
Ne vazhdojmë të sjellim frytet e programeve tona trajnuese përmes pesë filmave të prodhuar nën petkun e Future is Here programit, pastaj gjashtë të tjera me partnerët tanë rajonalë Pravo Ljudski dhe MakeDox festival në kuadër të Active Creative Documentary School, sikurse edhe gjashtë filma të krijuar në bashkëpunim me partnerët nga Franca, Pistes Solidaires Méditerranée. Njeriu mund të ndjej vetëm krenari për këtë përderisa shumica e filmave janë xhiruar në Prizren dhe Kosovë, duke i dhënë disi jehonë fjalëve të mia nga porosia e mirëseardhjes e vitit të kaluar për vendosjen e Prizrenit në hartën e qyteteve ku filmat jo vetëm shfaqen por edhe krijohen.
Jemi jashtëzakonisht të lumtur që e mirëpresim sërish fotografin dhe filmbërësin e njohur irlandez, mikun tonë, Seamus Murphy, puna e të cilit do të prezantohet përgjatë festivalit në formën e ekspozitës së fotografive në DokuPhoto, duke sjellë bashkëpunimin e tij me muzikanten dhe artisten britanike, PJ Harvey dhe më një natë speciale të projektimit të filmave dhe videove muzikore të tij, për t’a mundësuar një rikthim me të vërtetë të denjë pas vizitës që Murphy dhe Harvey e bënë në festival, pesë vjet më parë.
Po ashtu jemi të ngazëllyer që i mirëpresim festivalet partnere nga North South Documentary Netëork me përzgjedhjet e kujdesshme nga secili prej tyre, duke na ofruar kështu një dritare në DokuFest për filmat që vijnë nga Meksika, Ekuadori dhe SHBA-të.
Festivali do ti bëj homazhe dy mjeshtërve të mëdhenj të kinemasë, që kanë ndërruar jetë rishtazi, Chantal Akerman dhe Abbas Kiarostami me projektimet speciale të disa prej filmave të tyre. Një version i restauruar i Jean Dielman, 23 Commerce Quay, 1080 Brussels do të shfaqet bashkë me No Home Movie, filmin e fundit të Akerman. Poashtu do të shfaqet një intervistë me Chantal Akerman, e xhiruar gjatë vizitës së saj në Kosovë në nëntor të vitit 2014 nga artisti dhe regjisori nga Bosnja, Ibro Hasanovi?.Për t’a përkujtuar filmbërësin e madh iranian Abbas Kiarostami, që ndërroi jetë para më pak se një muaji, do të projektojmë dy filmat monumental të tij, Taste of Cherry dhe Close Up.
Ju ftojmë që ti përjetoni këto dhe shumë dhurata të programit të sivjetmë dhe shpresojmë që me këto do të shpërbleheni po aq sa u kënaqëm ne gjatë përgatitjes së tij.
Falënderimi ynë i përzemërt i shkon të gjithë njerëzve të jashtëzakonshëm që e kanë bërë të mundur këtë udhëtim të bukur dhe ëndrrën tonë realitet; partnerët tanë, sponsorët bujarë, vullnetarët tanë të mrekullueshëm, filmbërësit që i kanë ndarë filmat e tyre me ne dhe natyrisht, falemnderimet më të mëdha ju shkojnë të gjithë juve, publikut tonë të bukur dhe të besueshëm.Ju uroj të keni një festival të shkëlqyer!
Veton Nurkollari, Drejtor Artistik