11.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

“Miss Shqipëria 2014”: Realizova ëndrrën e fëmijërisë

miss shqiperia 2014E kush nga çupëlinat nuk e ka menduar veten me një kurorë që shkëlqen mbi kokë, përpara mijëra njerëzve që duartrokasin?! Asaj iu deshën disa vite që, nga sfilatat në oborrin e pallatit, të ecte krenare në një pasarelë të vërtetë e të shpallej mbretëreshë. E lumtur që është zgjedhur si vajza më e bukur shqiptare në spektaklin e përvitshëm të regjisorit Petri Bozo, “Miss Shqipëria 2014”, Anisa Petrela flet në “Summer Pages” për realizimin e një ëndrre të hershme. Parandjenja se do të shpallej fituese nuk e gënjeu, dhe ajo sot e shikon të hapur rrugën drejt së bukurës dhe suksesit.

Anisa, çfarë moshe ke dhe kur ka nisur për ty ëndrra për të qenë ‘miss’? Ku dhe kur i ke bërë sfilatat e para?

Unë jam 19 vjeçe. Ëndrra ime për ‘miss’-in ka nisur që në vegjëli, madje që në vitet e para të fëmijërisë, kur merrja pjesë në Miss lagjja apo shkolla, duke i ndjekur këto aktivitete me shumë pasion. Megjithatë, të them të drejtën, nuk kam marrë pjesë më parë në evente të këtij lloji, pasi i jam përkushtuar shkollës. Veç kësaj, gjithmonë kam menduar që, të jesh pjesë e eventeve të tilla duhet të jesh mjaftueshëm e përkushtuar, për t’i dedikuar një pjesë të konsiderueshme të kohës.

Sa e kanë mirëpritur prindërit e tu këtë pasion? Çfarë do të donin ata për ty?

Pavarësisht se nuk kam qenë pjesëmarrëse në edicionet e viteve të kaluara, pasioni im nuk ka lindur krejt papritur. Ky ka qenë një pasion i hershëm, për të cilin prindërit e mi kanë qenë në dijeni dhe, në këtë moment që unë vetë vendosa të isha pjesëmarrëse e “Miss Shqipëria”, ata u bënë mbështetja ime më e madhe. Besoj se do të vazhdojnë të më mbështesin në hapat e mi të ardhshëm dhe për këtë u jam mirënjohëse pa masë.

Na trego pak më shumë për veten tënde, ku ke lindur e je rritur?

Unë kam lindur në Tiranë dhe jam rritur këtu. Vij nga një familje shumë e nderuar tiranase. Aktualisht jam studente në degën e Fizioterapisë. Kjo ka qenë zgjedhje e imja individuale, e pandikuar nga të tjerët. Edhe pse nuk ka lidhje me pasionin tim për sfilatat dhe botën e televizionit, kjo gjithashtu është pjesë e pasioneve të mia. Shkolla dhe diplomimi janë shumë të rëndësishme për mua dhe kam në plan të vazhdoj të studioj njësoj, për të arritur më të mirën edhe në këtë fushë.

Si e kujton ditën e audicionit, kishe emocione? Nëse nuk do të të kishin pranuar, çfarë do të kishe bërë?

Dita e madhe e audicionit ka qenë një ditë e mbushur plot me emocione. Nuk arrij dot ta përshkruaj emocionin që ndjeva. Madje edhe tani që e kujtoj emocionohem. Unë përgjithësisht karakterizohem nga besimi në vetvete dhe këmbëngulja, e të them të drejtën, kisha besim që do të isha pranuar. Por edhe nëse nuk do të ndodhte, pasionin tim nuk do ta lija me aq. Do të vazhdoja të këmbëngulja derisa të arrija të pranohesha.

Si ka qenë për ty eksperienca e këtyre javëve në “Miss Shqipëria”? Cili prej vendeve që keni vizituar të ka pëlqyer më shumë?

Eksperienca dhe pjesëmarrja në “Miss Shqipëria” ka qenë dhe do të mbetet një nga kujtimet më të bukura të miat. Sidomos momentin e kurorëzimit do ta ruaj në kujtesë si një gur të çmuar. Përgjithësisht, gjatë gjithë turit kemi vizituar vende të mrekullueshme të rivierës shqiptare. Megjithatë, nëse më duhet të zgjedh po them Thethin, duke qenë se karakterizohet nga bukuri të pakrahasueshme dhe krenohemi që është pjesë e vendit tonë. Pa dyshim Ulqini po ashtu do të mbetet një vend i paharruar për mua. E them me bindje se do të kthehem aty çdo herë, për të rikujtuar emocionet e asaj mbrëmjeje.

Po me vajzat konkurrente, arrite të miqësoheshe?

Normalisht që po. Kemi kaluar pothuajse dy javë së bashku dhe ndihem shumë e kënaqur që kam njohur njerëz të rinj dhe kam bërë shoqëri të reja.

Kishe parandjenjë se do të fitoje ti atë natë?

Në ato momente të gjitha vajzat konkurrente shpresojnë se do të jetë fituese. Por siç ju thashë, unë karakterizohem nga një vetëbesim i lartë dhe, realisht, dëshira dhe parandjenja për t’u kurorëzuar si mbretëresha e bukurisë ishte shumë e madhe.

Çfarë ndjeve në momentin që dëgjove emrin?

Momenti i dhënies së kurorës ka qenë shumë emocionues. Mund të them që, edhe pse kisha një parandjenjë, nuk po arrija ta besoja që u thirr emri im.
A pati vështrime xheloze apo fjalë dashakeqe nga konkurrentet e tjera pas fitores tënde?
Unë, me të gjithë stafin dhe me vajzat konkurrente jam munduar të jem shumë miqësore gjatë gjithë turit, sepse synimi im ishte jo vetëm të fitoja, por dhe të krijoja shoqëri të reja e të kaloja bukur. Nuk kam ndjerë vështrime xheloze apo fjalë dashakeqe, madje kur vajzat erdhën më përgëzuan, emocionet m’u dyfishuan.
Prindërit e tu, kishin ardhur në Ulqin për të të mbështetur? Çfarë të thanë ata?
Familja ime më ka mbështetur në çdo hap të rëndësishëm të jetës sime dhe, pa dyshim që nuk mund të mungonin në këtë event të madh. Surpriza më e bukur përveç pranisë së prindërve, ishte dhe vëllai im, që kishte ardhur posaçërisht nga Italia vetëm për të më mbështetur, pasi dhe ai ka të njëjtin pasion si unë. Në mesin e atyre emocioneve, të shihja vëllain tim tek vraponte për të më përqafuar e për të më uruar, ishte lumturia më e madhe. Nuk gjej dot fjalë për ta falënderuar për të gjithë mbështetjen që më ka dhënë. Ndërkohë, të dy prindërit e mi u emocionuan pa masë, madje një foto e shkrepur rastësisht teksa ata më përqafonin, tregon më shumë se një mijë fjalë.

Po i dashuri yt, si të uroi?

Më duhet të them se, përveç familjes, ai ka qenë një mbështetje shumë e madhe. Urimi i tij ishte: Për mua, princeshë do të jesh gjithë jetën.

Si e ke imagjinuar rrugën tënde në botën e bukurisë e të spektaklit pasi u shpalle ‘miss’? Çfarë ëndërron?

Si fillim, pjesëmarrja në “Miss Shqipëria” nisi thjesht për të realizuar një nga ëndrrat e mia të fëmijërisë. Duke qenë se e kam imagjinuar dhe ëndërruar prej kohësh, ndihem shumë e lumtur që kjo m’u realizua. Pa dyshim që, dua që këtë ëndërr të mos e lë me kaq, por të ndjek mundësitë që do të më jepen.

Ke në plan të bëhesh pjesë e televizionit?

Në fakt është një nga dëshirat e mia më të mëdha. Sigurisht që dua shumë të jem pjesë e televizionit.
Edhe paraardhëset e tua kanë pasur këto ëndrra, por shumë prej tyre janë zhdukur. Pse ndodh kjo, sipas teje? Do të lejosh që të përsëritet e njëjta gjë edhe me ty?

Nuk mund ta përcaktoj arsyen se përse paraardhëset e mia nuk e kanë ndjekur ëndrrën e tyre. Por mund të them që unë e kam këtë dëshirë dhe do të vazhdoj ta ndjek deri kur ta realizoj.

Cili është mashkulli dhe femra shqiptare që të pëlqejnë më shumë?

Mashkulli shqiptar i ekranit që më pëlqen më shumë është balerini i talentuar Kledi Kadiu. E adhuroj këmbënguljen që ka bërë për të realizuar ëndrrat e tij. Ndërsa femrat janë shumë. Ka disa emra femrash të cilat i pëlqej, për virtyte të ndryshme që ato kanë e i përcjellin tek ne. Nuk do të preferoja të thosha vetëm një emër, pasi realisht janë shumë.

Do të pranoje të pozoje nudo?

Pa dashur të paragjykoj askënd, personalisht nuk është se kam dëshirë të pozoj nudo. Mendoj se nuk është e nevojshme të pozosh krejtësisht e zhveshur, për të ndjekur pasionin apo për të vazhduar të jesh pjesë e botës së televizionit dhe spektaklit. Kjo mund të arrihet edhe me shumë punë e përkushtim, pa u detyruar të zhvishesh.
Pushimet e kësaj vere, ku dhe me kë i ke planifikuar?
Deri në këto momente nuk kam planifikuar akoma diçka për pushimet. Jam ende duke shijuar emocionet e asaj nate.

Më Shumë

Hysni Temaj, luftëtari i lirisë që ia kthehu krenarin kombit

25 vjet nga rënia e dëshmorit Hysni Sylë Temaj Hysni Sylë Temaj, u lind më 15.11.1976 në fshatin Kushnin të Hasit, që shtrihet rrëzë maleve...

Vjedhja e veturës në fshatin Damjan të Hasit: I mituri arrestohet pas aksidentit në Prizren

Një veturë është vjedhur mbrëmë në fshatin Damjan të Hasit tw Gjakovës. Pronari ka deklaruar se vetura ka qenë e parkuar në oborrin e shtëpisë. Ajo...

Lajmet e Fundit