Koalicioni LDK-AAK-NISMA e përshëndeti vendimin e shpejt të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tyre, pavarësisht se vetëm mandatari i shumicës parlamentare, pra të koalicionit LDK-AAK-NISMA, do të duhej të mandatohej, ata e pranojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese si institucion i vetëm me të drejtë interpretimi të Kushtetutës.
“Ne besojmë në një Kosovë ku vendimet e drejtësisë janë vendime të pasfiduara dhe në përputhje me këtë do të respektojmë të gjitha procedurat e parapara në këtë proces”, thuhet në një kumtesë.
“Koalicioni LDK-AAK-NISMA është koalicion i shumicës në parlamentin e Kosovës, andaj presim që konform aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ky koalicion të fillojë procedurat për krijimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Edhe njëherë konfirmojmë se koalicioni LDK-AAK-NISMA, as si koalicion e as si parti politike ndarazi, e as si deputetë individualë, nuk do t’i përgjigjemi ftesës së mandatarit të pakicës në konsultimet e tij të parapara për krijimin e institucioneve të reja. Përkundrazi, ne ftojmë mandatarin e pakicës që me qëllim të evitimit të vakuumit institucional të kthejë menjëherë mandatin te presidentja Jahjaga. Konsiderojmë se një veprim i tillë do të ishte shprehje e maturisë politike dhe do të ishte në interes të të gjithëve në Kosovë”. /