Kryetari i Degës së AAK-së në Therandë dhe kandidati për Kryetar të Komunës së Therandës, Bali Muharremaj, ka thënë se fitorja e partisë së tij në këtë komunë, është e padiskutueshme.
Përmes një deklarate për media, ai ka falënderuat të gjithë përkrahësit, nga qytetarët e deri tek partitë tjera me të cilat ka arritur koalicion parazgjedhor për balotazhin e 1 dhjetorit.
“Në ditën e parë të fillimit të fushatës për balotazh në Therandë, Aleanca është e përgatitur fuqishëm për të arritur fitore të bindshme më 1 dhjetor 2013. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Komunës së Therandës që më 1 dhjetor të dalin në zgjedhje, në mënyrë që të vendosin për vazhdimin e zhvillimit ekonomik të komunës sonë. Falënderoj të gjithë qytetarët që më kanë besuar më 3 nëntor 2013, duke dëshmuar forcën dhe qëndrueshmërinë e programit për Zhvillim të Përshpejtuar Ekonomik të Komunës së Therandës”, ka thënë mes tjerash Muharremaj.
Ai ka shprehur mirënjohje të plotë për vendimin e strukturave dhe votueseve të PDK-së në Therandë për t’i dhënë mbështetjen e plotë atij për zgjedhjet në balotazh.
“U jam mirënjohës edhe një numri të madh të votuesve të LDK-së (Lidhjes Demokratike të Kosovës) që pas rundit të parë më 3 nëntor janë afruar me ne, dhe kanë vendosur të bashkohen me projektin fitues dhe të vërtetë të zhvillimit ekonomik të Therandës. Falënderoj edhe votuesit e partive tjera politike në Therandë që në mënyrë unanime kanë vendosur të votojnë për projektin që unë e përfaqësoj”, ka theksuar ai më tej.
Ai tha se “fitorja jonë në Therandë është e padilemë”.
“Fitorja jonë në Therandë do të vuloset më 1 dhjetor, duke vazhduar dhe fuqizuar ekonomitë familjare, mbështetjen për bujqëinë, programet për reformat në arsim, fuqizimin e zhvillimit të sistemit shëndetësor komunal, artit, kulturës dhe sporteve”, u shpreh Bali Muharremaj.
Kandidati i AAK-së për kryetar të Komunës së Therandës, Bali Muharremaj, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve për një fushatë dhe ditë të votimit të qetë, të lirë, fer dhe demokratike.
“Theranda është e njohur për demokracinë që ka dhe kushdo që tenton të dëmtojë këtë do të dështojë plotësisht”, theksoi ai. /Zëri/