16.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Na mashtruan për vizat, Çollaku&CO të japin dorëheqje

Qeveria e Kosovës dhe ministri i Integrimeve, Bekim Çollaku, vetëm pak ditë para se BE-ja të jepte rekomandimin pozitiv për plotësimin e kritereve nga autoritetet kosovare për liberalizimin e vizave, por edhe pas atij momenti “betoheshin” me shumë siguri se tani qytetarët e Kosovës pushimet e kësaj vere do t’i bëjnë duke udhëtuar jashtë vendit të tyre, pa viza, sepse heqja e tyre është vetëm çështje orësh a pak ditësh,shkruan gazeta Kosova Sot.

Mirëpo, këto garanci të Qeverisë së Kosovës, e veçmas të ministrit Çollaku, shumë shpejt u fundosën në ujë dhe tani kur nuk po ndodh një gjë e tillë, po hesht edhe ai si ministër i Integrimeve, por edhe vetë Qeveria, duke pasur para vetes mundësinë që, përveç shtyrjes së atij afati të premtuar prej tyre, është akoma e pasigurt që liberalizimi do të bëhet brenda këtij viti. Çështje morale e qeveritarëve të Kosovës mbetet përgjegjësia dhe llogaridhënia para qytetarëve për këtë mashtrim të madh, ngase ambasadorja gjermane në Prishtinë përsëri e ka nxjerrë si kusht të domosdoshëm për plotësim, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, një dobësi, të cilën po mundohet ta fshehë Ekzekutivi i Kosovës. Përfaqësues të subjekteve politike opozitare dhe analistët politikë konsiderojnë se një Qeveri serioze, në një rast të tillë do të duhet të jepte përgjegjësi, qoftë edhe me dorëheqje të zyrtarëve të resorëve të caktuara që e kanë mashtruar opinionin, por në praktikën kosovare diçka e tillë nuk ka ndodhur as edhe në një rast të vetëm, kurse mashtrimi me vizat ka filluar që nga mandati i parë i presidentit aktual, ish-kryeministrit Thaçi.

Thaçi dikur premtonte liberalizim për 15 muaj

“Me çështjen e liberalizimit është abuzuar në vazhdimësi. Është i madh numri i politikanëve që abuzojnë me këtë temë, tash e sa vjet. Hashim Thaçi qysh në zgjedhjet e para 6 vjetëve deklaronte se liberalizimi do të bëhej brenda 15 muajsh, por kanë kaluar 6 vjet dhe liberalizimi nuk ka ndodhur. Edhe tani, eksponentë të pushtetit mundohen të marrin kredi prej një vendimi eventual të liberalizimit, sikur ata e kanë bërë një gjë të tillë, dhe më pastaj dalin në “rrenë”. Liberalizimi nuk varet as nga deklaratat, e as nga premtimet boshe. Në rastin konkret, liberalizimi është i ndikuar nga shumë faktorë, fatkeqësisht edhe të jashtëm. Por, detyrat e shtëpisë janë kryesoret. Korrupsioni dhe krimi i organizuar po e grijnë shoqërinë kosovare.

Pa këtë standard, nuk na duhen as vizat, as premtimet”, tha për “Kosova Sot” anëtar i Kryesisë dhe drejtori i Departamentit të Marrëdhënieve me Publikun i AAK-së, z. Muharrem Nitaj. Edhe magjistri i shkencave politike, Ali Hertica pohon se nuk është hera e parë që qeveritarët tanë betohen dhe garantojnë diçka që nuk do të ndodhë, sepse nuk janë në rrjedhat e politikës evropiane, derisa ata vetëm mund të shëtisin dhe të mos kenë kurrë kontakt me zyrtarët e BE-së dhe nuk mund të precizojnë se kur do të ndodhë një datë politike apo historike për të ardhmen e Kosovës. “Çollaku është një ministër që askush nuk e pyet, dhe ai këtë e di fare mirë, sepse qëndrimi i tij nuk është fleksibil dhe serioz”, ka theksuar ai.

Zyrtarët të japin llogari për mashtrimin

Hertica thotë se në Kosovë dihet fare mirë se si është situata politike dhe ekonomike dhe kjo e rëndon shumë situatën e vendit drejt rrugëtimit në BE, edhe të drejtën për të lëvizur lirshëm. “Kushtëzimi për luftimin akoma më të madh të krimit të organizuar dhe korrupsionit tregon më së miri se BE-ja akoma e konsideron Kosovën si një shtet banditësh, militantësh politikë e kriminelësh të klientelave të subjekteve të mëdha politike. Tani, vetë heshtja e ministrit të Integrimeve, Bekim Çollaku, i ngjan një lloji të strukjes para fjalëve të tij, i cili ka dalë si figurë joserioze qeverisëse e këtij shteti. Ai sikur të jetë intelektual me moral e kredibilitet që tani duhet të jap dorëheqje, sepse e rrejti popullin me plot gojën, se vera e këtij viti do jetë verë e shkuarjes në pushime gjithandej Evropës pa telashin e vizave, kurse tani po del krejtësisht e kundërta”, theksoi ai. “Me premtimet e njëpasnjëshme që kanë pasuar, jo vetëm Çollaku, por e gjithë Qeveria e Kosovës dhe ministrat do të duhej të japin llogari për këtë mashtrim të popullit, prandaj jo rastësisht është krijuar edhe disponimi që ndryshimet pozitive mund të vijnë vetëm duke shkuar sa më shpejt vendi në zgjedhje”, tha Ali Hertica për “Kosova Sot”.

Më Shumë

Paralajmërimet e SBAShK-ut për grevë, Nagavci kërkon maturi

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, ka kërkuar nga SBAShK-u të jenë të matur në deklarimet e tyre për protestë...

Hyseni për herë të pestë fiton çmimin ‘Ylli i javës’

Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i javës”. Ky çmim për javën e 31-të...

Lajmet e Fundit